
Perëndimorët do të na sjellin statutin për Asociacionin, s’do të na pyesin neve
28 qershor 2023
| 08:51
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq njoftoi se shumë shpejt Perëndimi do të dalë me një tekst për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
“Ne as do të pyetemi fare për atë”, u shpreh ai duke përsëritur frazën e zakonshme se pret një presion të jashtëzakonshëm në ditët në vijim. “Pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re. Ka shumë nervozizëm për situatën në Ukrainë dhe disa mendojnë se ne duhet ta paguajmë çmimin për mospërmbushjen e pritshmërive të tyre”, shtoi presidenti serb.
Vuçiqi nënvizoi më tej se “të gjithë në botë e dinë se kush po tenton ta përshkallëzojë situatën dhe kush dëshiron luftë”, një përsëritje kjo e akuzës së tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se po kërkon konflikt.