
Përfaqësuesit e LV-së: KQZ-ja ka bërë shkelje të rënda ligjore
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alim Rama, kanë kritikuar këtë institucion për tejkalimin e afateve kohore dhe për jo transparencë gjatë procesit të regjistrimit dhe verifikimit të votueseve jashtë vendit.
Sipas tyre, KQZ-ja ka bërë shkelje ligjore në këtë proces, si dhe nuk është treguar transparente gjatë verifikimit të aplikacioneve të tyre.
“Ne e kemi thirr me qellim të nxjerrjes së të gjitha fakteve dhe bërjes transparente me gjendjen e krijuar lidhur me votimin jashtë vendit. Ashtu siç e dini nga numri i madh i aplikimeve në KQZ, nga jashtë, tanimë ende nuk e kemi listën përfundimtare të rregulluar që tregon se sa aplikues janë konfirmuar, sa janë refuzuar dhe se si ka kaluar procesi i verifikimit përmes telefonit. Siç e dimë ky proces nuk ka përfunduar ai”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi ka theksuar se KQZ-ja ka bërë shkelje ligjore duke mos u respektuar afatet e përcaktuara për zgjedhjet e parakohshme në vend.
“Sot është 2 shkurti dhe është dashur që të fillohet me fletë votimin dhe votimin jashtë vendit. KQZ askund nuk është e përgatitur, e ka shkelur këtë afat dhe kjo është një ndër shkeljet më të rënda”, ka deklaruar ai.
Më tutje, Kurteshi ka thënë se shkeljet që po bëhen në KQZ, janë duke u minuar nga përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së.
“Kjo nuk është shkelja e parë e as e fundit në këtë proces zgjedhor e që po e minojnë partitë politike PDK dhe LDK së bashku me kryetaren e KQZ-së dhe Sekretariati që nuk ka mundur që të planifikojë resurset njerëzore dhe teknike për ta përmbushur afatin”, ka thënë Kurteshi.
Sipas përfaqësuesit të LV-së në KQZ, ky institucion ka bërë shkelje penale në rastin e votimit të aplikuesve nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit.