Përfaqësuesja e “Liria ka Emër” pritet në Deçan nga kryetari Ramosaj, mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt
Përfaqësuesja e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha, ka qëndruar sot në Komunën e Deçanit, ku është pritur në takim nga Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, dhe ekipi i tij, me respekt të veçantë.
Gjatë takimit, Eliza Hoxha e njoftoi Kryetarin Ramosaj me misionin dhe aktivitetet e platformës “Liria ka Emër”, si dhe me fushatën e mobilizimit qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shprehu mbështetje të plotë për marshin dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen më 17 shkurt në Prishtinë.
“Kosova ka kaluar nëpër sakrifica të mëdha për liri dhe pavarësi. Çlirimtarët tanë, të cilët dhanë gjithçka për këtë vend, sot po përballen padrejtësisht në Hagë. Çdo përpjekje e popullit tonë për liri, përfshirë luftën e UÇK-së, ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Prandaj, më 17 shkurt, i ftoj qytetarët e Deçanit dhe të gjithë Kosovës të na bashkohen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, ka thënë Ramosaj.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, falënderoi Kryetarin Ramosaj për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e mobilizimit qytetar.
“Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është zë i ndërgjegjes qytetare dhe thirrje për drejtësi të vërtetë për ata që luftuan për lirinë e Kosovës”, tha Hoxha.
Platforma Liria ka Emër do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.





