Përfshirja në buxhetin e Kosovës, Sinani: Ka qenë kërkesë e kamotshme e Luginës së Preshevës

30 tetor 2021 | 17:15

Lajm të mirë e ka quajtur kryetarja e Preshevës njoftimin për buxhetimin e dy milionë eurove për Luginën e Preshevës. Kryetarja Ardita Sinani thotë se do të jenë në dakordim me Qeverinë e Kosovës për shpërndarjen e këtyre mjeteve në fushat ku ka nevojë. Nga ekzekutivi i Kosovë kërkon përfshirjen e Luginës së Preshevës në tryezën e dialogut Kosovë-Serbi.

Qeveria e Kosovës dje miratoi Projektligji për Buxhetin e vitit 2022, ku përfshihet edhe ndarja e dy milionë eurove për Luginën e Preshevës.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani në intervistën për KosovaPress flet për këtë projektbuxhet, ndërkohë thekson se shpërndarja do të bëhet për të gjithë qytetarët.

“Kjo ka qenë kërkesë e kamotshme e përfaqësuesve institucionalë dhe politikë të Luginës së Preshevës. Përtej aspektit financiar, kjo mbështetje merr vlerë të shtuar nga fakti se Lugina e Preshevës bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Republikës së Kosovës. Një praktikë tejet e rëndësishme në vijimësinë e bashkëveprimit institucional dhe të qasjes shtetërore të Republikës së Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sa i përket mjeteve ne do të jemi në dakordim të plotë në koordinim me Qeverinë e Kosovës. Po ashtu, shpërndarja do të bëhet tek të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës”, tha Sinani.

Udhëheqësja e Preshevës thotë se po përballen me një diskriminim të vazhdueshëm të shtetit serb.

“Përveç problemeve të përditshme socio-ekonomike, ne përballemi me një diskriminim të vazhdueshëm shtetëror. Dhe çdo ndihmë e ardhur nga Republika e Kosovës, po ashtu edhe Qeveria e Shqipërisë, qoftë edhe simbolike edhe herëve të kaluara kanë qenë të mirëseardhura, shpresëdhënëse për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por, kjo metodë, kjo qasje institucionale dhe të futin në linjë buxhetore, kjo kërkesë e kamotshme që të jetësohet në këto momente shumë delikate është jashtëzakonisht për t’u vlerësuar”, tha Sinani.

Kërkesë e vazhdueshme e Luginës së Preshevës është edhe përfshirja e tyre në tryezën e dialogut Kosovë-Serbi.

“Për një paqe të qëndrueshme në rajon është e domosdoshme që në tryezën e bisedimeve dhe në fazën finale të dialogut, Lugina e Preshevës të jetë e shtruar në tavolinë”, tha Sinani.

Derisa flet për udhëheqjen e Komunës së Preshevës, ajo shton se ka qenë i vështirë stabiliteti financiar.

“Kemi arritur të krijojmë një stabilitet financiar si qeverisje e re për Preshevën e re. Tani jemi duke marrë propozime, duke planifikuar buxhetin për vitin 2022. Është fakt që ky vit që shkoi, obligimet që kemi pasur ndaj punë kryerësve dhe borxhet e trashëguara, ka qenë më e vështirë për të mbuluar këtë stabilitet. Përveç që kemi krijuar stabilitet, vitin e ardhshëm mendojmë që të përpilojmë një buxhet më zhvillimor për një Preshevë të re”, tha Sinani.

Për buxhetimin e dy milionë eurove për luginën, ka reaguar edhe ish-kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi. Ai ka thënë se ka kërkuar me këmbëngulje që lugina të jetë pjesë e planifikimit buxhetor të Kosovës. /kp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Filmi vendor “Zgjoi” ka arritur suksesshëm të depërtojë në arenën…