Përfundon dëshminë dëshmitari i 15-të, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 14 gusht

20 korrik 2023 | 12:16

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit të 15-të me radhë (me kodin 04586), gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të rinis më 14 gusht 2023.

Dëshmitari me kodin 04586 ka dëshmuar përmes video-lidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke qenë se ekipet e mbrojtjes nuk kanë pasur pyetje për këtë dëshmitar, seanca ka vazhduar me pyetjet e trupit gjykues.

Me pyetje ka filluar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Guenawl Mettraux, i cili e ka pyetur atë nëse i njëjti i kishte raportuar dikujt atë që i kishte ndodhur anëtarit të familjes së tij, e që dëshmitari u përgjigj me “po”.

Ndërkaq, kur u pyet se kujt ia kishte treguar këto ngjarje, DhSK-ja ka vendosur që përgjigja e dëshmitarit të ketë përmbajtje të redaktuar dhe kështu ka mbetur edhe pjesa tjetër e përgjigjeve të tij.

Më tej, një pjesë e shkurtë e deklarimit të tij ka qenë në seancë publike por që ka qenë e pamundur të kuptohen plotësisht deklarimet e dëshmitarit.

Në këto rrethana, dëshmia e tij ka përfunduar dhe se gjykimi për këtë çështje gjyqësore do të rinis më 14 gusht, pas pushimit të Gjykatës Speciale, me dëshmitarët e radhës.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith paraprakisht tregoi se të akuzuarit Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë hequr dorë nga prania e tyre në sallë për këtë seancë dhe të njëjtën e kanë përcjellë përmes video-lidhjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fshatin Nëpërbisht të Suharekës një person ka raportuar në…