Përfundon seanca ndaj liderëve të UÇK-së, avokati i Veselit e mori në pyetje dëshmitarin në sesion privat

12 tetor 2023 | 12:56

Ka përfunduar duke qenë e mbyllur seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku pyetjeve të avokatit mbrojtës të Veselit, Ben Emmerson i është përgjigjur dëshmitari i 30-të.

Kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, ka njoftuar se seanca e radhës në këtë proces gjyqësor do të mbahet të hënën, më 16 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë të së hënës, pritet të dëgjohet dëshmitari i 29-të, i cili dje nuk ishte i gatshëm të dëshmonte.

Mbrojtja e Veselit kërkon që ta marrë në pyetje dëshmitarin në seancë të hapur.

Me të filluar seanca e së enjtes, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që pyetjet e tij drejtuar dëshmitarit të 30-të të jenë në seancë publike.

Kërkesën e Emmersonit e ka kundërshtuar prokurori Matt Halling, por kryetari i trupit gjykues Charles Smith III e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe seanca vazhdojë të jetë e mbyllur.

“Do t’i bëj fillimisht disa pyetje sqaruese në emër të Kadri Veselit”, ka thënë avokati Emmerson.

Por, prokurori Halling ia ka rikujtuar se janë në seancë publike “Jemi në seancë publike, dua t’ua bëj me dije”.

“Po, unë dua ta pyes dëshmitarin në seancë të hapur, me përjashtim të ndonjë nevoje të jashtëzakonshme për të kaluar në seancë private”, është përgjigjur Emmersoni.

Ndërsa Hallingu ka thënë se ua kanë dërguar një “e-mail”, ku kanë treguar se dëshmitari i 30-të është masa mbrojtëse.

“Kështu që është e nevojshme që të gjitha pyetjet dhe kundërpyetjet të bëhen në seancë private”, ka thënë prokurori.

Megjithatë, Smith ka thënë se duhet të kalohet në seancë private. “Me vjen keq, duhet të kalojmë në seancë private. E kuptoj që doni që seanca të jetë publike, por ky dëshmitarë është me masa mbrojtëse dhe duhet marrë parasysh”, ka thënë ai.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues ia ka kujtuar dëshmitarit se ende është nën betim dhe duhet ta thotë të vërtetën.

“Mos harroni të na thoni ku i bazoni njohuritë, faktet dhe rrethanat për të cilat do të na jepni përgjigje. Ju rikujtoj se jeni ende në betim për të thënë të vërtetën”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Seancën e së enjtes, Jakup Krasniqi e ka përcjellë përmes video-lidhjes, ndërsa të Thaçi, Veseli dhe Selimi kanë qenë prezent në sallën e gjyqit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Mitrovicë u bë vënia e gurthemelit për ndërtimin e…