
Përfundon spektakli i Pingpongut botëror në Prishtinë
Për katër ditë me radhë, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u shndërrua në epiqendër të pingpongut botëror, duke mirëpritur sportistë nga e gjithë bota në garat prestigjioze WTT Youth Contender Prishtina 2025.
Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse ishin edhe figura të rëndësishme të sportit në vend, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica të cilët ndanë çmime për finalistët dhe kampionët. Garat e zhvilluara sollën përballje të forta, emocione të veçanta dhe momente të paharrueshme për sportdashësit dhe pjesëmarrësit. Në fund u shpallën fituesit në tri kategori: U11, U15 dhe U19. Në këtë kategori dominuan sportistët nga Katari, duke fituar me rezultat të ngushtë 3:2. Racha Loghraibi zhvilloi një përballje emocionuese me greken Kleio Madesi, e cila ishte shumë afër fitores, por nuk arriti të përmbyste rezultatin.
Në anën tjetër, për Rabeah Al-Kuëari, kjo finale kishte një domethënie të veçantë – pas përpjekjesh të shumta për të arritur një trofe, më në fund arriti të mposhtë Taavi Samaraweeran nga Sri Lanka dhe të sigurojë fitoren e tij të parë në karrierë, raporton “KosovaPress”. Në kategorinë U15, te femrat u përballën dy lojtare nga Taipei, Lin Wan-Rong fitoi bindshëm 3:0 ndaj Ll Jen Yueh. Ndërsa te meshkujt, Malik Severinsen nga Danimarka mposhti po ashtu me rezultat të pastër 3:0 gjermanin Jeffrey Wei. Në kategorinë U19 dominoi Republika e Koresë. Te meshkujt, Kwon Hyuk shënoi një fitore të sigurt 3:0 ndaj italianit Danilo Faso. Te femrat, Yoo Yerin triumfoi me rezultat 3:1 ndaj Syndrela Das nga India. Edhe sportistët kosovarë treguan paraqitje të denja dhe përkushtim të madh, ndonëse nuk arritën të sigurojnë ndonjë çmim këtë herë.