PËRMASA MË SHUMË SE PERSONALE TË NJË RRËFIMI OBJEKTIV

26 janar 19:27

Jakup Krasniqi

(Fjalë rasti në promovimin e librit “Shenja e Përkatësisë” dhe “Burg Pas burgu” atë autorit Gani Sylaj, 14 janar 2020)

Kam nderin të flas para jush për dy libra që po promovohen sot të njeriut me të cilin më lidhi rruga jetësore, qoftë në rininë e hershme, në formimin intelektual e atdhetar që në bankat e shkollës normale, ku përgatiteshim për profesionin fisnik të mësuesit, në veprimtarinë klandestine, në hetuesi, në burgje, për të kulmuar pastaj në zhvillime të tjera aspak të lehta me ndryshimet që ndodhën në gjithë Evropën, por për ne, brezin tonë, degën e ndarë padrejtësisht nga trungu që nga viti 1912/13, ishin të një rëndësie të veçantë dhe pa dyshim që sollën ndryshimin.

Të dy librat që kemi përpara, rrëfimet “Shenja e përkatësisë” dhe kujtimet “Burg pas burgu” dëshmojnë përkushtimin e autorit për të treguar ç’ duhej thënë e treguar për brezat. Për të rrëfyer frymën që formoi personalitetin e secilës frymë do t’i përkushtoi një jetë të tërë. I dhembshëm është fakti se për të gjallë autori arriti të botonte librin autorial “Ilegal viteve shtatëdhjetë” (2018) në të cilën përfshin periudhën dhjetëvjeçare të veprimtarisë tij deri në çastin e burgosjes (1979). Libri “Shenjat e përkatësisë” me 24 tregime jetësore, jo imagjinare, është një intermeco midis “Ilegales…” dhe “Burg pas burgu” që kap harkun kohor prej 11 viteve burg. Pra, dy dekada jete, dy dekada veprimtari dhe burg janë të përjetësuara në tri libra nga vetë autori Gani Sylaj.

Latinët e lashtë kanë thënë me të drejtë “Arslonga, vita brevis”, “arti i gjatë, jeta e shkurtër”, sikundër dhe “Verba volant, scripta manent”, “fjalët i merr era, shkrimi mbetet” që aq bukur korrespondojnë me punën intelektuale që na la trashëgim Ganiu.

Që nga Lidhja e Prizrenit, po veçanërisht nga copëtimi i trojeve shqiptare pas 1912/13-tës dhe premtimet për një vëllazërim-bashkim imagjinar e kurrë të jetësuar nga 1945-ta breza të tërë nuk hezituan, përkundër çmimit të lartë që duhej paguar për aspirata liridashëse, të çlirimit e të bashkimit kombëtar. Me të drejtë thuhet: “Të luftosh mund edhe të humbësh, por, pa luftuar nuk ka fitore”. Ketë frymë na sjellin librat që po i promovojmë sot.

Pikërisht këta dy libra dëshmojnë se me ç’sakrificë u formuan dhe vepruan bijtë dhe bijat e gjakut shqiptar për fitoren përfundimtare.

“Shenja e përkatësisë” shpalos Ganiun në gjithë përmasën e formimit dhe të veprimit. Një rrëfim i sinqertë nga faqja në faqe, nga ngjarja në ngjarje, nga organizimi në organizim.
Një rrëfim në veten e parë, po që kalon përmasat e individuales, sepse e tillë ishte jeta e secilit nga ne që aspironim lirinë, barazinë pse jo edhe bashkimin e kombit sikur gjithë popujt e qytetëruar.

Është Drenica, vendi i formimit dhe i sakrificës, e djegur dhe e shkallmuar aq rëndë dhe padrejtësisht siç ndodhi në shekullin e kaluar, një gjenocid, së këndejmi një etnocid i pashembullt në Evropën dhe Perëndimin Demokratik. Etnocidi është gjenocidi, një vrasje e një kulture e kombi dhe e shpirtrave individualë. Kjo i ndodhi kulturës shqiptare e bartësve të saj jo vetëm në Drenicë, por në të gjitha trojet shqiptare jashtë Shqipërisë politike, të ndarë e copëtuar si mos më keq në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës e gjetiu.

Së këndejmi “Shenja e përkatësisë” e Ganiut përçon një frymë dhe një qëndresë në rrethana sot madje të paimagjinueshme.
Libri i dytë, “Burg pas burgu” është një nga librat e rrallë me tematikë qendrore jetën e burgut, skenat dhe prapaskenat, dhuna dhe terrori i paparë ndaj individit në ndjekjen, burgosjen, procesin e rëndë të hetuesisë, gjyqi, ditët, muajt, vitet në qeli, procese e dënime të pamjaftueshme për shtetin policor që e tmerronin idetë revolucionare për lirinë e shtetin, brezi që nuk donte t’ia dinte për tortura e masa të tjera të terrorit fizik e psikik.

Jam i bindur se secili lexues, duke shfletuar këtë libër do të bindet se çfarë ishte një shtet i huaj dhe si veproi me pjesën më të vetëdijesuar të një populli liridashës, rininë e tij dhe jo vetëm të tijen.

Po, me Ganiun nisëm rrugën jetësore aspak të lehtë për kohën, atë të mësuesisë dhe kjo koincidoi me 1968-tën, 500-vjetorin e vdekjes së krye heroit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që do të ngjallte frymën e pandalshme për çlirim e bashkim.

Në gjithë librin do të gjeni një detaj shumë të rëndësishëm: librat. Ato ishin pjesë e pandarë e aktiviteti klandestin, por edhe e jetës në vetmi, qelisë, burgjeve, qoftë në Prishtinë, në Shkup, në Mitrovicë apo në Sombor.

Ne, që kemi qenë me vite në këto burgje e dimë ç’do të thotë libri në vetminë e thellë. Në torturat dhe ndalesat më çnjerëzore, edhe pse ai shtet që do të falimentonte, proklamohej si vend i hapur dhe më liberali ndër shtetet ish-komuniste. . Bota kishte parë djegien e librave, regjimi i Titos e pas tij, i burgosnin librat dhe lexuesit e tyre.

Secili lexues, duke shfletuar e lexuar këtë libër, librin “Burg pas burgu”, do të mësojë ç’r ëndësika familja, miqtë, shokët e ilegales të cilët me asnjë çmim nuk zbulohen, duke kulmuar me ngadhënjimin e së drejtës, e idealit dhe aspiratave shekullore liridashëse.

Proceset gjyqësore që organizoheshin ndaj shqiptarëve ishin një farsë e sistemit të kalbur, por që me dënimet drastike synohej frikësimi i një populli të tërë, një popull që ishte i burgosur si ata bijë dhe bija prapa grilave, si ata që u mohoheshin të drejtat më elementare. Në këtë libër Ganiu ka konfirmuar se njeriu në kohë të vështira e shpërfaqë integritetin e tij, dinjitetin e tij dhe moralin e tij njerëzor.

Është e habitshme sesi nganjëherë, përftoj nga rasti ta them këtë, abuzohet me besimin që kishim në literaturën që qarkullonte qoftë legalisht, qoftë ilegalisht me tituj dhe retorikë mbase edhe demagogjike, shikuar nga e sotmja, si ajo e Leninit “Mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje”! Por ne i besuam dhe iu përkushtuam kësaj rruge dhe ideje deri në frymën e fundit. Në fund të shekullit në shkuarje dhe fillim të shekullit në ardhje, Vetëvendosëm me armën e fundit të politikës, me luftën Çlirimtare.

Përgëzime familjes dhe botuesit për librat dhe një falënderim post mortem, për Ganiun për këta dy libra që na i ka lënë, që ne t’i lexojmë e shkruajmë për to!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Gani Sylajn!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetë shtetas shqiptarë që punojnë në një provincë të Kinës…