
Përmbledhja e Inteligjencës Artificiale që ofron Google lë pa klikime gjigantët e mediave, Daily Mail: Kanë rënë vizitat me 89%
Pronari i Daily Mail ka bërë thirrje për rregullime të reja ndaj inteligjencës artificiale (IA) të Google, pasi paralajmëroi se testet e hershme të teknologjisë në motorët e kërkimit po shkaktonin një rënie të trafikut në internet.
DMG Media i ka shkruar Autoritetit të Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) duke thënë se “Përmbledhjet e Inteligjencës Artificiale” të gjigantit të kërkimit Google po bënin që lexueshmëria nga kërkimet në Google të binte deri në 89%.
Botuesi, i cili zotëron gjithashtu gazetën i, Metro dhe New Scientist, i ka bërë thirrje organit mbikëqyrës të konkurrencës që të zgjerojë rregulloren e propozuar për kompaninë në chatbot-in e saj Gemini dhe shërbimin Google News.
Google ka prishur shumë modele biznesi të botuesve të internetit në muajt e fundit duke prezantuar përmbledhje të IA-së, në të cilat përgjigjet e gjeneruara nga sistemet e inteligjencës artificiale të kompanisë shfaqen në krye të rezultateve të kërkimit.
Bizneset e internetit janë të shqetësuara se kjo do të zvogëlojë numrin e njerëzve që klikojnë listën e lidhjeve për të cilat kompania është më e njohur. Ata kanë frikë se rënia do të përshpejtohet me publikimin e “modalitetit IA” të ri të Google, i cili ofron një përgjigje shumë më të gjatë me më pak lidhje që të çojnë te artikujt e faqeve përkatëse.
Në një parashtresë drejtuar CMA-së, DMG tha se shkalla e klikimeve, numri i kërkimeve në Google që rezultojnë në vizitën e dikujt në faqen e internetit të Daily Mail, ra nga 25.2% në kërkimet e rregullta në desktop në 2.8% kur një përdorues sheh një përmbledhje të IA-së, një rënie prej 89%. Rënia ishte 87% për kërkimet në celular.
Ndryshimet e Google kanë qenë shumë të dëmshme për një gamë botuesish, megjithëse DMG Media vuri në dukje në parashtresën e saj se “një nga pikat e forta të faqes së internetit të Daily Mail është sasia e madhe e trafikut të drejtpërdrejtë që tërheq”.