
Përplasje e ashpër mes Shaqirit dhe trajnerit Magnin
FC Basel ndodhet nën presion pas barazimit 1:1 ndaj FC Kopenhagen në ndeshjen e parë të “play-off”-it për kualifikim në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Por ajo që po bën më shumë bujë sesa rezultati, është një debat i ndezur mes kapitenit Xherdan Shaqiri dhe trajnerit Ludovic Magnin – një përplasje që ka ngjallur reagime të forta në opinionin sportiv zviceran.
Shaqiri ka kritikuar hapur vendimin e trajnerit Magnin për të mos zëvendësuar mbrojtësin Jonas Adjetey, i cili ishte ndëshkuar me karton të verdhë në pjesën e parë dhe më pas u përjashtua me karton të kuq në pjesën e dytë.
“Në raste të tilla duhet të reagosh ndryshe, ndoshta ta zëvendësosh më herët”, ka deklaruar Shaqiri për “blue Sport”. 33-vjeçari nuk e ndryshoi qëndrimin as në deklaratat për mediat e tjera: “Nëse një lojtar ndëshkohet herët me të verdhë, rreziku që të përjashtohet është më i madh. Duhet të mësojmë nga kjo dhe herën tjetër të bëjmë një zëvendësim më të shpejtë”. Trajneri Magnin, nga ana tjetër, reagoi me qetësi dhe dozë ironie ndaj kritikave të Shaqirit. “E kam parë që Shaq ka filluar kursin për trajner, por është ende në fillimet e karrierës së tij. Ka ende shumë për të mësuar”, tha ai me një buzëqeshje. Magnin mbrojti vendimin e tij për të mos e nxjerrë Adjetey nga loja, duke argumentuar se nuk e kishte ndjerë se lojtari ishte në rrezik të madh. “Si trajner, nuk është e thënë të zëvendësosh menjëherë një lojtar vetëm sepse ka marrë të verdhë. Unë nuk pata ndjesinë që Jonas ishte në vështirësi”, u shpreh ai për “Blick”.
“Në fund ndodhi një situatë e pafat, por do ta bëja sërish njësoj. Një karton i verdhë për një qendërmbrojtës nuk është gjë e pazakontë”. Ai zgjodhi të mos e kritikojë lojtarin për ndërhyrjen që i solli kartonin e dytë të verdhë, edhe pse e pranoi që ajo situatë mund të ishte shmangur. Pavarësisht polemikave publike, Magnin e mbylli çështjen duke theksuar se mes tij dhe Shaqirit nuk ka asnjë përplasje personale.
“Gjithçka është sqaruar prej kohësh. Ju e njihni raportin tim me Shaqirin – nuk kemi asnjë problem”, ka thënë ai duke buzëqeshur. Ky episod tregon se tensionet në FC Basel janë në rritje, ndërkohë që skuadra përgatitet për ndeshjen e kthimit me shumë në lojë – përfshirë edhe autoritetin dhe qartësinë në bankinë.