Përplasje në KQZ: PDK-ja këmbëngul për fletëvotimet e diasporës para se të votohet buxheti
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) akoma nuk ka arritur ta miratojë buxhetin prej 7 milionë e 771 eurove, të planifikuar për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit 2025, pas përplasjeve mes anëtarëve të këtij institucioni.
Anëtarët e PDK-së në KQZ kanë kërkuar përfshirjen e një amendamenti për fletëvotimet me postë, para se të votohet për planin, duke kritikuar sekretariatin për mosplanifikim të buxhetit për dërgimin e fletëvotimeve origjinale te votuesit jashtë vendit.
Por kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se buxheti është i domosdoshëm dhe në momentin që ka dashur ta hedh në votim, Arianit Elshani i PDK-së, i cili ka dalë kundër, ka kërkuar që të shkohet në këtë formë.
Elshani: Kryetar, ndoshta ma s’pari duhet amendamentin,
Radoniqi: Jo veç pak..
Elshani: Na nuk kemi probleme tjera me buxhetin.
Ilir Gashi (PDK): Je i obliguar me qitë në votim amendamentin, tani buxhetin.
Elshani: Kjo mund të na bllokojë procesin.
Ndonëse u kërkua pauzë, anëtarët po vazhdojnë të diskutojnë në këtë mbledhje.
Kujtojmë se as dje anëtarët e KQZ-së nuk gjetën dakordim dhe mbledhja dështoi. /Klankosova.tv



