Përqindja e shqiptarëve, sfidë për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

13 mars 2019 | 15:49

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut pritet të realizohet nga data 1 deri më 21 prill të vitit 2020, por vetëm nëse partitë në pushtet harmanizojnë qëndrimet lidhur me realizimin e këtij procesi statistikor.

Propozimi-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ndodhet në Qeveri dhe me të parashihet përfshirja edhe e diasporës, por me një shtojcë të veçantë, ndërsa do të ketë edhe një tjetër për përkatësinë etnike të banorëve, që më parë ishte përjashtuar si mundësi për shkak të rrezikut të dështimi të regjistrimit sikur në vitin 2011.

Ishte pikërisht lënia anash e diasporës, që kryesisht është shqiptare, ajo që kishte çuar në dështimin e regjistrimit, meqë anëtarët shqiptarë në Komisionin e Regjistrimit, por edhe partitë politike, druanin se kjo do të çonte në uljen e përqindjes së shqiptarëve, të cilët me regjistrimin e vitit 2002 janë 25.17 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe të drejtat janë të lidhur pikërisht me përqindjen prej mbi 20 për qind, që është edhe pjesë e Kushtetutës.

Partitë shqiptare në Qeveri, siç është bërë me dije jozyrtarisht kërkojnë që regjistrimi të mos jetë e drejtë ekskluzive e kreut të Entit të Statistikës, por përgjegjësia të ndahet edhe me zëvendësin e tij, ndërsa i gjithë procesi të jetë nën kompetencën e Qeverisë. Dallime ka edhe për diasporën, e cila në bazë të propozimit, mund të vetëregjistrohet në zyra jashtë vendit.

Enti shtetëror i Statistikës shumë herë ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë gjithçka për realizimin e regjistrimit të popullsisë, për shkak të rëndësisë që ka për shumë procese tjera apo projektimin e politikave financiare, arsimore, sociale e kështu me radhë.

“Regjistrim në Maqedoni patjetër të ketë. Nuk bëhet fjalë as për vullnetin tonë e as për diçka tjetër, por është nevojë për këto të dhëna, dhe duhet t’i sigurojmë ato. Problem në regjistrimin e fundit ishin ndikimet politike dhe të gjitha aktivitetet tona për këtë regjistrim, kryesisht janë orientuar në shmangien e ndikimeve nga partitë. Regjistrimi është operacion statistikor dhe patjetër të mbetet si i tillë”, ka thënë Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.

Ekspertët shqiptarë, ndërkohë dilemat kryesore i kanë në pjesën e regjistrimit të diasporës. Akademiku Izet Zeqiri, njohës i çështjeve statistikore, thotë se modeli i vetëregjistrimit është i papranueshëm pasi mund të përjetojë fatin e zgjedhjeve parlamentare, ku në diasporë interes për të votuar kishin shprehur vetëm se disa qindra mërgimtarë.

Linku i shkrimit të plotë: https://www.evropaelire.org/a/perqindja-e-shqiptareve-sfide-per-regjistrimin-e-popullsise-/29819020.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim të rregullt…