Suspendohet një polic në Shqipëri, dyshohet se goditi me plumb gome në sy një protestues
Një inspektor i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Shqipëri, me inicialet A. K., është pezulluar nga detyra pas publikimit në media të pamjeve ku dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Shtetit, e cila njoftoi se ndaj inspektorit ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar nisjen e veprimeve përkatëse për hetimin e plotë të incidentit, gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy.
Për zbardhjen e rastit kanë nisur hetime edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Sipas Policisë së Shtetit, protesta e mbajtur më 24 tetor u shoqërua me tensione dhe zgjati deri në orët e mbrëmjes, duke u shtrirë në disa zona të Tiranës.
Policia pretendon se efektivët u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
“Si pasojë e sulmeve nga persona të maskuar dhe të dhunshëm, pesë punonjës policie mbetën të plagosur”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Policia bëri të ditur se, para protestës, kishte bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës. Drejtori i Përgjithshëm, sipas njoftimit, u kishte kërkuar drejtuesve të shërbimeve dhe efektivëve në terren të tregoheshin të vetëpërmbajtur dhe të zbatonin parimin e proporcionalitetit gjatë përballjes me aktet e dhunës.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit theksoi se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke nënvizuar se respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime thelbësore të detyrës policore.



