Izraeli mbyll pikat kufitare me Bregun Perëndimor ditën e zgjedhjeve
Izraeli do t’i mbyllë të gjitha pikat tokësore të kalimit me Bregun Perëndimor të martën, ditën e zgjedhjeve, ndërsa punëtorëve palestinezë do t’ua ndalojë hyrjen në vendbanimet izraelite.
Masa vjen në kuadër të shtimit të operacioneve ushtarake në territorin e pushtuar, pas vrasjes së dy ushtarëve izraelitë nga persona të armatosur palestinezë, transmeton Telegrafi.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan ndalimin e hyrjes dhe daljes së punëtorëve palestinezë në të gjithë Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e referon si Judea dhe Samaria, si dhe në Luginën e Jordanit. Kufizimet përfshijnë edhe zonat industriale dhe të gjitha pikat tokësore të kalimit.
Sipas ushtrisë izraelite, shumica e punëtorëve do të ndalohen të hyjnë në vendbanimet izraelite që nga e diela, me përjashtim të zonave industriale dhe disa zonave të tjera të kufizuara. Para sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, më shumë se 100 mijë palestinezë lejoheshin të punonin në Izrael. Që prej atëherë, vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë arritur t’i rikthejnë lejet e punës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi të premten nisjen e një operacioni të madh ushtarak, pas një sulmi ndaj një pike kontrolli, ku dy persona të armatosur palestinezë vranë dy ushtarë izraelitë dhe plagosën tre të tjerë. Të dy sulmuesit u vranë gjithashtu.
Që nga fillimi i operacionit, ushtria izraelite ka demoluar shtëpi dhe biznese në qytetin e Hebronit, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra familjeve.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se rreth 2,000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Pamjet e publikuara në internet tregojnë se të paktën një rrugë duket se është rrafshuar pothuajse tërësisht.
Edhe para shpalljes së ndalimeve për punëtorët palestinezë, ushtria kishte vendosur rrethimin e Hebronit dhe kishte kufizuar ndjeshëm lëvizjen e rreth 200 mijë banorëve të qytetit.
Forcat izraelite shpesh demolojnë shtëpitë e palestinezëve të dyshuar për sulme ndaj izraelitëve në Bregun Perëndimor. Organizata izraelite për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar këtë praktikë, duke e cilësuar si ndëshkim kolektiv.
Sulmi i së premtes ndodhi në një periudhë të tensionuar, vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Izrael. Në një intervistë të publikuar të shtunën për televizionin izraelit i24, Netanyahu paralajmëroi se Autoritetin Palestinez, i cili administron disa pjesë të territorit, e pret një “surprizë shumë e madhe”.
Kryetari i Bashkisë së Hebronit, Youssef al-Jaabari, tha se operacioni po zhvillohet nën ndikimin e zgjedhjeve. Sipas tij, Netanyahu dhe ministrat e tij po përpiqen të sigurojnë mbështetjen e së djathtës ekstreme dhe të kolonëve izraelitë.
Ndërkohë, mijëra persona u mblodhën të shtunën në Tel Aviv në një protestë të madhe kundër qeverisë. Demonstrata u organizua nga Këshilli i Tetorit, një grup i themeluar nga familjarët e viktimave dhe pengjeve të marra nga militantët gjatë sulmit të 7 tetorit 2023.
Organizatorët kërkojnë që të mbahet përgjegjëse qeveria për dështimin në parandalimin e sulmit dhe që të krijohet një komision shtetëror hetimor. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, grupi tha se tubimi shënon kulmin e tre viteve përpjekjesh për të zbardhur të vërtetën dhe për të kërkuar llogaridhënie.
Në protestë morën pjesë edhe udhëheqësit e katër partive kryesore opozitare, mes tyre Gadi Eisenkot, ish-shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, i cili sipas raportimit po zhvillon një garë të ngushtë politike me Netanyahun.



