Franca përballet sërish me protesta masive gjatë fundjavës
Qindra mijëra njerëz protestuan në mbarë Francën të shtunën, sipas Ministrisë së Brendshme të vendit, në demonstrata që ishin kryesisht paqësore.
Rreth 110,000 nga më shumë se 410,000 protestuesit ndodheshin në Paris, bëri të ditur ministria; një shifër kjo pothuajse e njëjtë me atë të protestuesve në kryeqytet fundjavën e kaluar.
Disa protestues kanë kërkuar investime më të mëdha në sistemin arsimor të vendit, më shumë mundësi për punonjësit e rinj, si dhe zgjidhje për rritjen e shpejtë të kostos së jetesës.
Gati 1 000 persona u ndaluan gjatë demonstratave në mbarë Francën të shtunën, sipas ministrit francez të Brendshëm, Laurent Nuñez.
Kjo shifër krahasohet me 385 ndalime gjatë protestave të javës së kaluar, tha ai.
“Në Paris patëm një demonstratë të madhe që u zhvillua në mënyrë paqësore, ashtu si shumica e marshimeve të protestës në të gjithë vendin,” u tha Nuñez gazetarëve.
Nuñez tha se policia kishte kufizuar lëvizjet e protestuesve: “Atyre iu pengua të organizonin protesta të paautorizuara që lëviznin nga një vend në tjetrin, ose të drejtoheshin drejt qendrave të qyteteve.”
“Në disa qytete pati dëme ose plaçkitje të bizneseve, në një shkallë shumë të kufizuar,” shtoi Nuñez, por në përmasa shumë më të vogla sesa gjatë protestave të një jave më parë.
Nuñez theksoi se nuk kishte pasur “sulme të shënjestruara” ndaj ndërtesave publike, siç janë bashkitë apo komisariatet e policisë – gjë që u vërejt fundjavën e kaluar.
Megjithatë, forcat e sigurisë u përballën me një “nivel jashtëzakonisht të lartë dhune”, shtoi Nuñez, “ku hidheshin vazhdimisht objekte të ndryshme, si dhe fishekzjarrë të fuqishëm”. Ai bëri të ditur se forcat e sigurisë do të qëndrojnë në terren deri vonë në mbrëmjen e së shtunës, sipas orës lokale, për të parandaluar plaçkitjet.
Rreth 70,000 oficerë policie u mobilizuan në mbarë vendin të shtunën, njoftoi Ministria e Brendshme, ndërsa autoritetet franceze ndërmorën një operacion masiv sigurie për valën e dytë të protestave./CNN



