Tri ditë para zgjedhjeve, mijëra izraelitë në rrugë kundër Netanyahut
Mijëra qytetarë u mblodhën të shtunën në Tel Aviv në një protestë të madhe kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, vetëm tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, të cilat konsiderohen si një test i rëndësishëm për drejtimin e tij politik.
Protesta u organizua nga Këshilli i Tetorit, një grup i krijuar nga familjarët e viktimave dhe pengjeve të marra nga militantët palestinezë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ngjarje që çoi në nisjen e luftës në Gaza. Familjarët kërkojnë që të zbardhen dështimet e autoriteteve izraelite për të parandaluar sulmin dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.
Sipas një gazetari të AFP-së, mijëra protestues marshuan nga sheshi qendror Rabin drejt sheshit të Pengjeve, i cili është kthyer në një pikë të rëndësishme të protestave të mëparshme kundër qeverisë dhe në mbështetje të lirimit të pengjeve të mbajtura në Gaza.
“Personi që na ka drejtuar gjatë katër viteve të fundit ka bërë një punë të tmerrshme”, deklaroi 68-vjeçarja Hadas Feuershtein për AFP-në, pak para nisjes së tubimit. Ajo shtoi se Izraeli nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq të vështirë sa kjo e tanishmja.
Organizatorët paralajmëruan gjithashtu policinë për mundësinë e provokimeve nga persona që mbështesin qeverinë. Këshilli i Tetorit bëri të ditur se i kishte dërguar një letër urgjente komisionerit të policisë, pas informacioneve për përpjekje të mundshme nga persona të lidhur me koalicionin qeverisës për të penguar protestën.
Tubimi zhvillohet pas vitesh kërkesash nga shoqëria civile dhe partitë opozitare në Izrael për krijimin e një komisioni të pavarur hetimor, që do të shqyrtojë dështimet e sigurisë që lejuan sulmin e 7 tetorit 2023.



