Pensionet e policëve “vazhdojnë të jenë të padinjitetshme”

25 tetor 2026 | 08:42

Pensionet e zyrtarëve policorë vazhdojnë të jenë të padinjitetshme, prandaj Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kërkojnë trajtim dinjitoz. Për t’ua përmirësuar kushtet e punës, deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, në një bisedë për Ekonomia Online, zotohet se do të vazhdojë të insistojë që personeli i sigurisë të trajtohet me dinjitet, duke përfshirë jo vetëm kushtet bazike të punës, por edhe mbrojtjen shëndetësore e jetësore dhe trajtimin pas pensionimit.

“Edhe në këtë mandat do të vazhdoj me insistu që një shtet i sigurt është një shtet ku personeli i sigurisë dhe mbrojtjes është i trajtuar dinjitetshëm, që nga çështjet më teknike që edhe ju i përmendët, te veshmbathja, orët shtesë e kështu me radhë, e deri te ato që janë shumë të rëndësishme dhe kyçe për ta bërë punën ashtu si duhet. Karshi rrezikut që u kanoset në baza ditore, ajo është sigurimi shëndetësor dhe jetësor, por përtej kësaj edhe forma se si trajtohen pas pensionimit”, tha Kabashi-Ramaj.

Ajo ka vlerësuar se edhe pensionet e policëve duhet të trajtohen si çështje urgjente, duke e cilësuar nivelin e tyre si të padinjitetshëm. Sipas saj, duhet të ketë trajtim të duhur edhe për pjesëtarët e shërbimit inteligjent pas pensionimit.

“Ne e dimë shumë mirë që pensionet për Policinë e Republikës së Kosovës janë të padinjitetshme dhe duhet adresuar sa më shpejt. Natyrisht, duhet adresuar edhe forma se si trajtohen të gjithë ata që shërbejnë në shërbimin inteligjent, sepse pas pensionimit nga shërbimi inteligjent, këta punëtorë që i kanë shërbyer vendit me kaq zell duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe nuk duhet të bien pre potencialisht e armiqve të vendit”, ka deklaruar ajo.

Kabashi-Ramaj ka shtuar se angazhimi për përmirësimin e kushteve të personelit të sigurisë dhe mbrojtjes do të jetë ndër çështjet të cilave do t’u kushtojë rëndësi edhe në këtë mandat, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Kështu që, siç thashë, sikur gjatë gjithë karrierës sime, edhe në mandatin e kaluar, edhe në këtë mandat, do t’i kushtoj jo vetëm si deputete, por edhe ne si PDK do t’i kushtojmë rëndësi të jashtëzakonshme sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes dhe trajtimit dinjitoz të gjithë atyre që shërbejnë aty. Sfidat që i ka Policia e Republikës së Kosovës janë edhe përtej sfidave që i përmende, janë shumë më të mëdha. Njëjtë vlen për të gjithë ata që shërbejnë në ushtri, në FSK, në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, zjarrfikësit, ata që shërbejnë në AKI, në shërbimin tonë inteligjent. Kanë sfida të jashtëzakonshme”, shtoi Kabashi-Ramaj.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë mandateve të fundit ka propozuar amendamente në buxhet dhe në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes shëndetësore dhe jetësore për pjesëtarët e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Prandaj, edhe në mandatet e fundit, i kam kushtuar shumë kujdes dhe kam propozuar amendamente specifike, fillimisht në buxhetin që është propozuar, ndryshimet buxhetore të cilat kanë pasur për qëllim t’u ofrojnë të gjithë personelit të sigurisë dhe mbrojtjes sigurime shëndetësore e jetësore. Por mandej edhe në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, të dy tentativat kanë dështuar për shkak se nuk ka pasur përkrahje prej deputetëve të pozitës, në këtë rast deputetëve të Vetëvendosjes”, ka thënë ajo.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, në një intervistë për EO, ka ngritur shqetësimin për mungesën e uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për policët. Ajo ka thënë se kjo çështje është ngritur edhe në mandatet e kaluara, por, sipas saj, shqetësimet nuk janë marrë parasysh nga Qeveria.

“Ne kemi ngritur këtë shqetësim edhe në mandatet e kaluara, sepse kemi kontakte të vazhdueshme me Policinë e Kosovës. Kemi miq, ndoshta kemi edhe familjarë. Edhe vërtet ka qenë shqetësuese, sepse kanë mungesë të uniformave, kanë mungesë të këpucëve dhe ata detyrohen me pagat e veta, ekstra, me i ble edhe pjesë të uniformës, këmisha, ndoshta edhe këpucë, në mënyrë që të vazhdojnë punën”, ka deklaruar Kadrijaj.

Deputetja e Aleancës ka kërkuar që institucionet të reflektojnë dhe të sigurojnë kushte të përshtatshme për pjesëtarët e Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, duke përfshirë uniformat dhe mjetet e nevojshme për ushtrimin e detyrave.

“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim dhe shqetësimi nuk është marrë për bazë nga kjo qeveri. Edhe unë mendoj që këta duhet të reflektojnë, t’i trajtojnë me dinjitet edhe Policinë e Kosovës, edhe Ushtrinë e Kosovës, t’i pajisin me uniforma, t’i pajisin me mjetet adekuate që duhen për një polici moderne. Njëjtë kjo vlen edhe për Ushtrinë e Kosovës, por edhe për Shërbimin Korrektues, zjarrfikësit dhe të gjitha kategoritë që vërtet, kur kemi nevojë, janë në krye të detyrës. Atëherë, nëse ata janë forca jonë, nëse ata janë mbrojtja jonë, ne duhet t’i trajtojmë me dinjitet”, ka thënë Kadrijaj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Eksporti i mallrave në muajin shtator 2026 në Kosovë kishte…