Personalizimi i dialogut

08 tetor 2020 | 10:13

Shkrun: Alfons Grishaj

Mendimtarët jetojnë një botë të thellë shumë dimensionale, kanë pak fjalë e shumë punë. I shoqëron një ndrojtje natyrale dhe një leksik i zgjedhur. Ndryshe prej tyre, pjesa dërmuese e opinionistëve, debutuesve të sotëm televiziv ngjajnë me grethat që kanë të njëjtën strukturë, të njëjtën ngjyrë dhe të njëjtën zukamë, për çka dhe kurrë nuk mund t’ua gjesh dallimin. Prandaj dhe dialogu, si pjesë përbërëse e zhvillimit të  arsyes superiore ndaj mendimit të varfër, pëson atë frakturë karikatureske që shihet dhe dëgjohet rëndom. Për të mos përmendur pastaj etikën intelektuale apo dhe thjesht profesionale. Jo rrallë polemistët zelltarë e ngatërrojnë ekranin blu me “elektrik blu”.

Debatuesit, në paraqitjen prezantuese  duken të qetë, pozantë dhe dikushi që ka tagër të posedojë një auditor të gjerë, por pas fillimit të dialogut, arena e rrahjes së mendimeve degjeneron (siç theksova më lart) në rrahje zërash apo zhurmash duke vënë në punë dhe teknikat e provokimit, ku nuk mungojnë thumbimet, fyerjet, sharjet deri dhe kërcënimet. Instikti ia kalon arsyes, duke e shndërruar debutuesin në një karakter statik dhe njëkohësisht qesharak.

Degradimi i replikave, i ballafaqimit të ideve “intelektuale” zhvillimore, politike apo shoqërore, e kthen banalisht debatin nga fokusi i një çështjeje me vlerë apo interes publik në një konflikt personalizues. Për mendimin tim, personalizimi i debatit ka të bëjë me pjesën thelbësore epistemologjike, por dhe të genit. Personalizimi i debatit, nga njëra anë është shndërruar në një armë militanteske e vrastare e mendimit të pavarur dhe, nga ana tjetër mjeti më i përdorur në fushatën e bombardimit të veshit kolektiv publik.

Nëse dikush shkruan një shkrim, jep një mendim, një sugjerim, apo mban publikisht një qëndrim kritik sipas bindjeve personale, apo thënë më saktë jashtë kodekseve të strukturuara të establishmentit, del “dikush” që idenë pozitive të një subjekti të pavarur ta tërheqë në skenën e përballjes personalizuese, vetëm e vetëm që thelbi i propozimit të sfumohet nga sfida e grindjes thua se arena e ballafaqimit të ideve duhet të ngjallë të njëjtat përjetime histerike që shkaktonte në antikitet arena e gladiatorëve. Personalizim! Një “sëmundje” që shfaqet tek personat me amigdala të dobët.

Kjo tregon se  “inteligjenca” jonë është e dobët, i relevante  pa sensin e frymëmarrjes dialoguese, pa reflektimin e logjikës objektive, pa respektimin e bashkëfolësit, mendim dhënësit apo rregullave të lojës, të cilat janë empirike në kodin etik. Rrapëllima e nonsensit dhe defiçenca e intelektit nuk ka lidhje me të ashtuquajturën diplomë e cila është  një copë letër, por me formimin e vetëdijes dhe dijes, ku sjellja pasqyron realitetin e pasurisë shpirtërore dhe intelektuale.

Kur diferenca e dijes dhe vetëdijes është e vogël, dialogu dhe mirëkuptimi i ka portat hapur. Kur dija dhe pseudo dija ndeshen, shihet diferenca… dhe honi bëhet i pakapërcyeshëm.

Dialektika Hegeliane është e qartë, “Shpirt Absolut!”… teza dhe antiteza, jo gjëegjëza dhe “ofeza”! Debati i fundit presidencial Trump dhe Biden qe një tregues i pakontestueshëm i “Shpirtit Absolut” dhe  defleksionit grotesk.

Paraqitja e jashtme e shumë njerëzve të gënjen përkohësisht, sepse falsiteti është vetëm një leskër e destinuar për të rënë sapo realiteti nis të stazhionohet para syve të shoqërisë. E në këtë rast, nuk vlen dhe aq metoda e Sokratit sepse nuk mund të pyesësh më për subjektin kur është lakuriq para teje.

Shoqëria jonë retorike-egoiste për sa kohë që nuk ka një liman shpirtëror ku të ankorohet për të reflektuar do  vazhdojë të shformohet si pjatë plastike nga fuqia e mikrovalëve të kohës dhe ultratingujve dimensionalë…

Filozofia gjithnjë ka si ligj t’i shkojë gjërave deri në fund me anë të pyetjes dhe përgjigjes. Si përfundim, për të qetësuar nonsensin e personalizimit që sjell dhimbje dhe shformim, do thoja që “shërimi” i kësaj sëmundje deformuese,  vjen nëse ne respektojmë  shpirtin si frymë  në trupin tonë, dhe ushqejmë pareshtur mendimet e bukura rreth të vërtetave. Nëse ato janë të ndara, somatopsikika bëhet pjesë e jetës së përditshme. Disa doktorë mendojnë se duke shëruar mendjen shërojnë dhe trupin, kjo ka arsyet e veta mjekësore, por mendja dhe trupi shkojnë në unison vetëm nëse njohin shpirtin si çelës i fuqisë së njeriut. Mendimet e tjera duhet të diskutohen. Dialogu për të qenë i frytshëm  duhet të qëndrojë në thelbin e subjektit pa rënë në batakun e Cognitive Bias. Gjithashtu do  këshilloja “inteligjencën” që të mos luftojë për kupën e mençurisë sepse sillogjizma e Aristotelit është ende lapidare: “Të gjithë burrat janë mortalë dhe të gjithë mortalët kanë frikë  vdekjen”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur përfundimet e…