Përurohet biblioteka e qytetit të Mitrovicës në lokacionin e Qendrës Multifunksonale “Omni Sport”

14 qershor 2021 | 14:34

Në kuadër të objektit të Qendrës Multifunksonale “Omni Sport”, sot është bërë përurimi i bibliotekës së qytetit “Latif Berisha”, ku të pranishëm në ceremoninë e përurimit ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, kryeshefi i N.P “Omni Sport”, Sami Zeka, stafi i bibliotekës si dhe shumë nxënës të cilët ju gëzuan hapjes së bibliotekës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Bahtiri, ka thënë se nga sot biblioteka komunale do të jetë në shërbim të nxënësve, studentëve, studiuesve dhe të gjithë dashamirësve të fjalës së shkruar, duke potencuar se libri është miku më i mirë i njeriut i cili hap dyert e së ardhmes drejt diturive të reja, sidomos për gjeneratat e reja siç janë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Ai më tutje ka shtuar se ndjehet mirë që komuna po kontribuon në zhvillimin dhe ngritjen e vlerave kulturore dhe arsimore për qytetarët e Mitrovicës.

Ndërsa, Mejreme Xhemajli, në emër të bibliotekës ka njoftuar të pranishmit se vendosja në objektin e ri siguron një proces më të mirë në mësimnxënie dhe ofron kushte më të mira për të gjithë dashamirët e librit.

Kurse, drejtori i DKRS-së, Tafil Peci, ka potencuar se biblioteka e qytetit të Mitrovicës tashmë do të shërbej si një model për biblioteka e komunave tjera të Kosovës, sepse tashmë qyteti ynë ka një bibliotekë të pasuruar me tituj të shumë të librave, posedon një hapësirë të përshtatshme e funksionale dhe një objekt modern.

Ai më tutje ka shtuar se DKRS do të vazhdojë të punojë akoma më shumë në përmirësimin e kushteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit në Mitrovicë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha ka falendëruar strukturat…