“Përveç Kroacisë edhe dy shtete të tjera japin garanci për lirimin e Thaçit dhe të tjerëve”

02 maj 2021 | 16:20

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Koshares, Hisen Berisha, thotë se pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë.

Teksa shton se tani është radha te Presidentja, Kryeministri apo Kryeparlamentari që të veprojnë institucionalisht.

“Presidenti kroat u tregua i gatshëm të bëhet garant i lirimit me kusht të të arrestuarve të UÇK në Hagë’, thekson sërish Berisha në postimin e tij në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

“Veproni institucionalisht, përgjegjësinë e kemi individuale

Pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë.

Radha është te Presidentja, Kryeministri apo Kryeparlamentari që të veprojnë institucionalisht.

Për të ofruar garancë, së pari duhet treguar kredibilitet institucional dhe integritet personal.

Nëse i shohim në ketë kontekst lidershipin aktual drejtues, atëherë nga një qeveri ministrat e se cilës në mengjes përballen me procedurat penalizuese gjyqësore, e nga bankat e të akuzuarve shkojnë në zyret e kabineteve ministrore për të vënë rregull e ligj dhe për të zhvilluar e implementuar politika qeverisëse, kjo lë shumë pikpyetje.

Kjo strukturë po tregohet e fuqishme për destabilizim e shumë e kufizuar për stabilitet.

Presidenti kroat u tregua i gatshëm të bëhet garant i lirimit me kusht të të arrestuarve të UÇK në Hagë.

Përfaqësuesit institucional të Kosoves, në vend të deklaratave, përmes administratorëve nëpër zyra, duhet të bëjnë kërkesën zyrtare në adresë të instancave të shteteve që ofrojnë garanci. Me këtë i vënë në veprim procedurat formale në TS për Kosoven në Hagë.

E kjo mundësi garantimi për lirim me kusht e mbrojtje në liri, nga adresat e komunikimit institucional zyrtarë që kam tanimë do të vijnë edhe nga Austria dhe sëfundmi edhe nga Sllovenia.

Institicioni i Presidentes, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit duhet që të parashtrojnë kërkesen zyrtare.

Kjo kërkesë, nuk do duhej të jet e karakterit selektiv, siç ka bërë kryeministri Kurti kur ofroj garancione të tilla vetëm për anëtarin e subjektit të tij politik, ngase atje po gjykohen lidershipi shtetëror dhe i UÇK-së.

Zatën mbaj mend se kur ishin në burgjet serbe z. Kurti e të tjerët, kuadro të larta të UÇK-së, të afërt më pas edhe bashkëpartiak, kërkesa e z. Thaçi e përfshiu edhe z. Kurti specifikisht.

Ju veproni si institucione për ç’gjë obligoheni ligjërisht, përgjegjësinë e mbajmë individualisht secili për veprimet publike.

Në mos protokolin shtetëror, kështu na obligon tradita”.

Hisen Berisha, tha fillimisht se presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në mënyrë që ata të mbrohen në liri.

“Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant, i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, ka deklaruar Berisha. “Kurse përfaqësuesit e institucioneve tona, nuk patën kurajo ta marrin këtë përgjegjësi, sepse edhe nuk ju besojnë”, ka shtuar ai.

Jo vetëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, por edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të garantojnë për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga. Kështu është shprehur drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

“Nëse kjo nuk garantohet nga Kosova, e njëjta mund të garantohet nga Shqipëria, respektivisht nga Presidenti Meta apo Kryeministri Rama, por që nuk e kanë peshën dhe rëndësinë e njëjtë sikur kjo të vinte nga Kosova”, u shpreh Miftaraj.

Ndërsa gazetari Agron Halitaj ka thënë se si ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, kishte shprehur gatishmëri për ofrim të garancisë për mbrojtje në liri ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po gjykohej për krime lufte në Hagë.

“Kur merret si shembull rasti i lirimit të Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës për t’u mbrojtur në liri, dhe përmendet vetëm garancia e ofruar nga liderët institucional të asaj kohe në Kosovë, më në krye ish-presidentin Ibrahim Rugova, atëherë duhet ditur se kështu i hyhet në hak danezit, Soren-Jessen Petersen. Nuk duhet harruar se asokohe ky burr ishte kryeadministrator i Kosovës, dhe si i tillë ishte autoriteti numër një në vendin tonë. Me të shkuar Haradinaj në Hagë, ai menjëherë pati deklaruar publikisht se ishte i gatshëm të ofronte garanci nëse ish-kryeministrit do t’i ofrohej mundësia që të mbrohet në liri”, thuhet në postimin e tij.

Historia politike e pasçlirimit të Kosovës i mban në mend Thaçin e Kurtin si dy kundërshtarët më të mëdhenj politikë. Ata shpesh e kanë akuzuar njëri-tjetrin edhe për të bëmat gjatë dhe para luftës. Ndër tjerash, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte thënë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend se Serbia i kishte organizuar konferencë në burg.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anije kozmike e krijuar nga kompania private amerikane SpaceX…