
Pesë poezi nga Pal Ndrecaj
KËNGË KRISHTLINDJESH
Baba na blinte rroba të reja
nana bënte ushqime me shije
prifti na fliste diçka për shpëtimin…
ndonëse tash thur me tjera fije
simbolit të Krishtlindjes ia dua kuptimin
Shpirt i njerëzimit ngecur n’atë dakik:
gozhdë e çekiç rrahin në duet
mbi kokë të paqes vringëllin një kamxhik
secili gozhdon Shpëtimtarin e vet
Çdo ditë emigrime nga ishull i urtisë
kurthe e prita hapit për së mbari
dehje e qejf n’gjakun e zilisë
i duhet thash i duhet botës Shpëtimtari
Vrasës e të vramë n’ballë t’çdo historie
përmbytje t’pamëshira n’ato orë t’pamendshme
mjeshtrit më me emër s’mbarojnë dot anije
që shpëton shpirtin
nga përmbytje e brendshme
Unë e shikova sot Shpëtimtarin n’sy
për pak verë t’shndërruar më kishte marrë etja
tërë gaz m’përshëndeti: Paqja me ty
mua tha m’gjen përherë ke vetja
Sonte Shpëtimtarin tim dua me e ftu’
me i thanë veç lindu se të rris unë
s’lë kënd me t’vra as me t’kryqëzu
bashkë do të pagëzohemi në të njëjtin lumë
Edhe pse tash rroba blej qoftë për një shëtitje
e para se të pranoj kërkoj arsyetimin
për një çështje i shtroj 100 pyetje
simbolit të Krishtlindjes ia dua kuptimin
MUNDJA E FRIKËS
Nëse frika zgjat ma shumë se zakonisht
me ndonjë orë të vjedhur
a të marrë hua
lëshoni ëndrrat
të bredhin
lirisht
se
ç’nuk u vra në ëndërr
kurrë ma s’ka me u vra
LEKSION BIOLOGJIE NË MESNATË
Hijet e gjumit lëvaren nëpër qepalla
të hapin kanatat
të hyjnë brenda
Qerrja e tij kujis nëpër pengesa
Disa ide që nuk janë përfundu
e me i lanë s’ke besë
se të presin deri në mëngjes
i bëhen gurë nën rrotë
Kërkëllin rrota e gjumit nëpër pengesa
përroi i ideve turbullohet
zgurdullon gurët si dhëmbë të prishur
Gjysma jote sharron në errësirë
gjysma tjetër reziston sa çdo gjysmë
pastaj hyn një leksion biologjie
dhe i fton palët ndërluftuese
të bien dakord
për një marrëveshje gjumi të paqtë
LOJË PUZZLE
Kësaj skene
i mungon një linjë dashurie
një çlirim emocionesh
jemi lodhë nga narrativat serioze
me fillim e mbarim të ditur
nga refrenet morale
Thjesht
një linjë dashurie
Ky tekst
ka aq pak linja të tilla
nuk dihet as kush e ka shkruar
fetarët e të gjitha feve përjashtojnë Zotin nga autorësia
njëjtë bëjnë edhe ateistët
Bota është një fushë puzzle me pjesë zemrash
që duhen organizuar
Mu aty ku janë thesaret
ka munguar gërmimi
e krejt mjeshtëria është
me ditë edhe sa me zbritë në thellësi
Çuditem me ata që asnjëherë nuk e bënë
një kombinim si duhet
MOTRËS SIME LIZËS QË NDËRROI JETË MBRËMË
Nga rrëfim i moçëm cicërin një zog,
t’ma kujtojë detyrën që vjen nga Fillesa.
I gjallë o i vdekur më duhet një gjog,
që ta mbaj premtimin, pa më skadu besa!
65 vitet tua – sekonda kozmike
u kthyen në reshje, që çatinë e shemb.
Të rrimë a të ikim, kësaj dileme tragjike,
si s’ia gjetëm kurrë një kohë që s’dhemb?
Tash je udhës sate që n’tempull të qet.
Bota ka aq tempuj, sa zemra, pa skaj.
Ti trokit veç pak dhe dyert hapen vetë,
se i njeh Parajsa shpirtrat e saj.
Diku mbi kokën time cicërin një zog.
Ma kujton premtimin, që vjen nga Fillesa.
As gjallë e as vdekur s’u gjend dot një gjog,
që ta mbaj premtimin…
dhe
skadoi
besa…!