
Pesë poezi nga Uran Krasniqi
ZOTI NË FUNDJAVË
Nuk e di
çfarë viti ishte
kur u linde ti
çfarë stine
çfarë muaji
çfarë jave
që të mos bëj
më shumë tautologji
unë orientimisht
e di vetëm një gjë
ishte fundjavë
mbase e shtunë
a e diel
dhe Zoti e kishte pushim
nuk kishte punë tjetër
dhe të krijoi ngadalë
SYTË E TU
Për sytë e tu ia vlen të shkosh,
aq sa syri sheh në hapësirë.
Dhe tjetërgjë të shikosh,
do të duket veç mugëtirë.
Për sytë e tu,
UNESCO-s do t’i shkruaj,
kërkesën t’ia lë aty,
sytë e tu t’i marr e t’i ruaj.
Se ne s’do të jemi një ditë,
e bota do të jetë përherë.
Çdo gjë mund të ketë përsëdytë,
si sytë e tu asnjëherë.
SIKUR TI
Gra, gra, gra, kjo botë ngado me gra
po sikurse ti nuk është as edhe një.
Një ditë pa ty është vetëm ditë ters,
ashtu siç tha edhe shoku Eminesk.
Gra, gra, gra, kjo botë ngado me gra
po në mes turmës njeriu e sheh një.
Ajo lajmërohet porsi një shkëndijë,
janë bashkë parajsa dhe ferri i atij.
MATEMATIKANJA
Miku im
dashurohu
por ta dish
nëse është matematikane
mund të jesh veç numër
paramendo veç një numër
një numër më shumë
në kalkulatorin
e një llogaritare gjakftohtë
thua ti s’po ndodh asgjë
dhe edhe vuajtja jote
si gjërat e tjera
bën të mblidhet
e të zbritet
me numra.
NJË AFGANE NË PRISHTINË
Një afgane e bukur
e kishte humbur rrugën
në sheshin e Prishtinës
desha t’i ndihmoj
po shqetësohesha për portretin tim
kisha drojë
se çfarë motivesh do t’i jepja
për t’i nxjerrë në qilim
një ditë kur ta punonte
pasi të kthehej
andej nga kishte ardhur