Pesë poezi nga Arif Molliqi

05 mars 2023 | 08:47

MOTIV TJETËR

 

në ditëlindjen e gjashtëdhjetë

më dolën dhëmbët e rinj

që m’i mbolli doktori

 

desha ta bëj provën e kafshimit

veç bardhë e zi

pa ngjyra

mbetën gjurmët e reja

 

kur nuk dolën dhëmbët e rinj

bërtita aq shumë

sa në ballë

dolën rrudhat e reja

 

nëpër planetin e rrumbullakët

grabitqarët u shtuan mbi kokën time

duke i mprehur dhëmbët

për ta ngrënë kohën e rreme

 

RITUAL NDRYSHE

 

luftën e harruam

asnjë vdekjeje nuk po na kalon për zemër

çuditërisht

duhet të ketë ndodhur diçka

derisa u dashuruam në vetvete

 

për disa njerëz vdekja

është mbi vdekjen e tjetrit

derisa hap varre nga lart

 

varrmihësit le të zbresin poshtë

 

nga një stinë në tjetrën

s’rritet më liria

që po ecën mbi kukëza

 

çdo ditë në Kosovë

matim gjatësinë e shtatit

as dy metra tokë për vdekje

nuk janë të sigurta

 

se të gjallët me litar në dorë

po na e zvogëlojnë varrin

 

TINGUJT E PAPËRFUNDUAR TË KITARËS

 

(kitaristit të rok grupit ‘Purgatori’, Valton Berishës)

 

“Ka shumë si Frederiku, s’ka asnjë si ai”

thotë miku im poet Adem Gashi

 

ka shumë si Valtoni po s’ishte asnjë si ai

ishte i dashur e i mirë bre

 

para dashurisë së tij

u lig loti ynë

nga kjo ikje e tij e pakuptimtë

atëherë kur tingujt e kitarës

s’e kishin përfunduar këngën

ajo mbeti përgjysmë

notat ranë nga çelësi i pentagramit

tingujt e kitarës t’u ndalën

kur një ngjyrë e etur t’erdhi në fytyrë

një mjegull t’i mbulojë shikimet

e vdekja tinëzisht t’u endë gjakut

 

s’di sonte në këtë natë

ç’emër t’i vë këngës së ardhshme veç:

Valton Berisha mor ku je

të thërret kitara me piskamë…

 

e unë pyes në ç’vend bie ky shi

përveç n’sytë e trishtuar që na i solli terri

bashkë me moshën e papërfunduar

që na erdhi në këtë stinë

me borën e bardhë dhe të ftohtë

duke e dëgjuar kitarën tënde

po e dëgjonim çdo melodi çdo tingull që thoshte:

ka shumë si Valtoni, po s’ishte asnjë si ai

ishe i dashur e i mirë bre…

 

NËNA IME, HEROINA IME

 

ajo

na lindi ne të shtatë fëmijët

na rriti pa mjek në fshat

as në qytet s’kishte ndonjë

kur e kishim kollën e keqe

apo fruthin

rrinte gjithë natën zgjuar

duke na fërkuar ballin

babai s’kishte kohë t’i ndihmonte

rrinte me kaçakët në mal

 

për festat fetare

(se ato kombëtare ishin të ndaluara)

nëna rrinte gjithë natën zgjuar

duke na pastruar rrobat e arnuara

çorapët e grisura prej leshi na i rrotonte

as kur lodhej nuk na nemte

nuk na rrihte as kur bënim sherr

qortimi i saj vinte nga dashuria

kurrë nuk është ngopur me bukë

hisen e vet na e jepte ne

mollën që e ruante në arkën e nusërisë

e ndante në shtatë pjesë

në fytyrën e saj magjike

herë-herë i fluturonte gëzimi

kur na numëronte të shtatë fëmijëve

nëna ime

heroina ime

 

KUR SHKOJA TE DAJAT[1]

 

për ato ditët pa datë

te karakolli n’Qeste të Lloqanit

vreshtat s’piqeshin kurrë

as misri

thonë u binte bryma e urisë

 

sa herë shkonim te dajat me nënën

andej nga Qesta

na ndalnin një tog ushtarësh

na kërkonin lejen e kalimit

për të hyrë në “Zonën kufitare”

 

ata ishin të frikësuar

nga qëndrimi i nënës sime

që kishte dy fëmijë për dore

të tretin e mbante në shpinë

 

kur e lexonin mbiemrin e nënës

u kujtohej se është motra e Zhujë Selmonit

atij nacionalistit

ushtari tjetër ulërinte me automatik në dorë

 

[1] Gjatë viteve 1945-1963 për të shkuar te dajat e mi, në fshatin Hulaj, nëna ime duhej të kishte një leje speciale për ne fëmijët dhe bashkëshortin, meqë ky fshat e kishte statutin e “Zonës kufitare”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KËNGË KRISHTLINDJESH   Baba na blinte rroba të reja nana…