Kujtesa, shtëpia dhe lufta – mbi receptimin e poezisë së Kujtim M. Shalës në bullgarisht
Rusana Hristova-Bejleri
Në qendër të librit qëndron antiteza e madhe midis jetës dhe vdekjes. Ajo shpaloset vazhdimisht në një varg kundërvëniesh që organizojnë tërë sistemin artistik të autorit. Bota e bardhë e fëmijërisë, bora, drita, mëngjesi dhe shpresa qëndrojnë përballë botës së zezë të vatrave të djegura, hirit, natës, tymit dhe vdekjes. Drita dhe errësira, dita dhe nata, agimi dhe terri pushojnë së qeni pamje të zakonshme të natyrës. Ato shndërrohen në kategori morale, në përmasa të ekzistencës njerëzore. E njëjta logjikë poetike ndërton edhe kundërvënien midis njerëzve të afërt dhe barbarëve. Në njërën anë qëndrojnë Gjyshi, Gjyshja, Nëna, Babai, fëmijët – njerëzit me të cilët je rritur dhe që ruajnë kujtesën, dashurinë dhe vijimësinë e brezave. Ata e ndërtojnë shtëpinë jo vetëm si vendbanim, por edhe si hapësirë shpirtërore, ku njeriu u përket të parëve të vet dhe mban përgjegjësi për brezat që do të vijnë. Përballë tyre qëndrojnë barbarët pa emër – njerëzit që kanë humbur fytyrën njerëzore dhe janë shndërruar në bartës të shkatërrimit.
Veçanërisht mbresëlënëse është simbolika e ngjyrave. E bardha shfaqet vazhdimisht si shenjë e pastërtisë, pafajësisë, borës, dritës, fëmijërisë dhe shpresës. Përballë saj ngrihet e zeza – ngjyra e tokës së djegur, tymit, hirit, natës, zisë dhe mizorisë njerëzore. Midis këtyre dy poleve lëviz e gjithë bota e poetit. Edhe kur bardhësia mbulohet nga hiri, ajo simbolizon mundësinë e një fillimi të ri. Në të njëjtën mënyrë kundërvihen e vendit dhe e huaja, shtëpia dhe rrënoja, pema dhe dega e prerë, gjuha dhe heshtja, fotografia dhe harresa, fëmija dhe ushtari, kujtesa dhe dhuna. Këto antiteza i shndërrojnë poezitë e veçanta në pjesë të një kompozimi të madh poetik, ku çdo fjalë mbart një peshë morale. Poeti e ngre në hero njeriun që, pavarësisht gjithçkaje, i mbetet besnik shtëpisë, familjes dhe të vdekurve të vet.
Në poezinë e Shalës është vazhdimisht i pranishëm numri dy: dy botë – para dhe pas luftës; dy shtëpi – e vjetra dhe e reja; dy ngjyra – e bardha dhe e zeza; dy breza – të gjallët dhe të vdekurit; dy lloje njerëzish – të afërmit e dashur dhe barbarët; dy hapësira – atdheu dhe mërgimi; dy kohë – kujtesa dhe e tashmja.
Është për t’u vënë në dukje se tema tragjike nuk e bën veprën poetike që të ngjallë urrejtje, edhe pse dhimbja është kudo. Dhimbja është e jashtëzakonshme, por synimi i saj nuk është hakmarrja. Autori kërkon ruajtjen e kujtesës, sepse vetëm njeriu që kujton mund të mbetet i lirë. Të afërmit e dashur kundërvihen me barbarët jo si përfaqësues popujsh të ndryshëm, por si dy parime morale të kundërta. Të parët luftojnë për jetën e tyre, të dytët e shkatërrojnë atë.
Gjuha poetike e Kujtim M. Shalës është tejet e qartë, e zhveshur nga retorika e tepërt. Përsëritjet, grumbullimet dhe kontrastet e vazhdueshme ndërtojnë një ritëm të veçantë, që të kujton një rrëfim të trashëguar familjar ose një epos të lashtë. Vëmendje të veçantë meriton edhe teknika poetike e Kujtim M. Shalës. Autori heq dorë me vetëdije nga pikësimi tradicional. Fjalitë rrjedhin nga njëra te tjetra, ndërsa pauzat sintaksore rrallë përkojnë me fundin e vargut. Fraza shpesh ndërpritet në mes të rreshtit dhe vazhdon në tjetrin, duke e shndërruar kapërcimin e vargut, anzhambmanin, në parim themelor kompozicional. Kështu, vargu nuk pranon të jetë një njësi e mbyllur dhe nis t’i ngjajë frymëmarrjes njerëzore, të ndërprerë nga frika, të qarët ose kujtimi. Mungesa e shenjave të pikësimit i çliron fjalët nga rendi i rreptë sintaksor dhe lejon që kuptimi të shpaloset gradualisht, njësoj si kujtesa, e cila nuk e rindërton kurrë të shkuarën në një trajtë të përfunduar dhe të rregullt. Lexuesi duhet t’i gjejë vetë vendet e pauzave, të rindërtojë intonacionin dhe të marrë pjesë në ndërtimin e kuptimit.
Në këtë mënyrë, forma shndërrohet në ekuivalent artistik të vetëdijes së copëzuar pas luftës – të fragmentuar, të trazuar dhe vazhdimisht të kthyer te trauma e përjetuar. Në këtë përzgjedhje poetike, mungesa e pikësimit është një teknikë moderniste me funksion të thellë semantik. Ajo lidhet drejtpërdrejt me temën e luftës. Ashtu siç lufta shkatërron shtëpitë, edhe vargu shkatërron fjalinë tradicionale. Ashtu siç jeta ndërpritet dhunshëm, edhe fraza ndërpritet në mes të rreshtit. Krijohet kështu një paralelizëm i veçantë: shtëpi e shkatërruar – varg i shkatërruar; jetë njerëzore e ndërprerë – tërësi sintaksore e ndërprerë; kujtesë e shpërndarë – frazë e shpërndarë; mungesë sigurie në jetë – mungesë pikëmbështetjesh të sigurta pikësimi në tekst. Kjo është një nga procedurat artistike më origjinale, që dëshmon se te Kujtim M. Shala forma dhe përmbajtja janë të pandashme: vetë mënyra se si janë shkruar vargjet rikrijon një mozaik pamjesh të ngrira, të gjitha të para përmes syve të vetë autorit. Përkthimi bullgar ruan pikërisht këtë poetikë të veçantë. Është ruajtur thjeshtësia e shprehjes, e cila në të vërtetë fsheh një forcë artistike mbresëlënëse – bëhet fjalë për njerëz të zakonshëm, të cilët nuk kanë luftuar për t’u bërë heronj, por janë bërë të tillë.
“Stacioni i vjetër” është një poemë për luftën, por edhe më shumë është një vepër për njeriun. Ajo i mundëson lexuesit bullgar të ndiejë si tragjizmin e Kosovës, ashtu edhe mesazhin themelor të librit: shtëpia mund të shkatërrohet, por kujtesa mund të ruhet, nëse jeton në gjuhë dhe në poezi.
Vepra është shumë e përshtatshme për një lexues të jashtëm, veçanërisht për atë bullgar, sepse përçon mesazhin në mënyrën më të padiskutueshme dhe të ndjeshme për të huajt që kanë qenë vetëm spektatorë. Ajo shtron rrugën për transponimin e veprave të tjera letrare të shqipes dhe për njohjen më të mirë të botës së brendshme midis fqinjeve në Ballkan.
(Autorja ështrë profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”)



