
Pesë vite pas arrestimit të ‘Calit’, vajza e tij Buna ndan publikisht fjalimin e tij
Buna Mustafa
Dje, më 24 shtator 2025 u bënë pesë vite që babai ynë, Salih Mustafa – Cali, mbahet padrejtësisht në Hagë. Me këtë rast, dua të rikthej fjalimin e tij hapës para trupit gjykues, sepse aty gjenden idetë, motivet dhe shpirti i tij luftarak. Ky fjalim mbetet një dëshmi e gjallë e bindjes, moralit dhe sakrificës së tij dhe e shokëve të tij për lirinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
“I nderuar zoti gjykatës,
Së pari ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të shprehur atë që mendoj dhe për të cilën jam i bindur.
Dhoma e Specializuar e Republikës së Kosovës, zoti gjykatës, zonja dhe zotërinj të pranishëm në këtë gjykatë. Pasi që jam qytetari i parë i Republikës së Kosovës i nxjerrë para kësaj gjykate me një aktakuzë të konfirmuar, më duhet të them disa fjalë, apo më mirë të them, dua të bëj këtë deklaratë:
Unë, Salih Mustafa, ish-luftëtar i lirisë dhe ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së dhe moralin e bashkëluftëtarëve të mi, duke qenë thellë i bindur se lufta për liri e pavarësi e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse okupimi i gjatë dhe regjimi nacional-shovinist e fashist me përmasa gjenocidale i Sllobodan Millosheviqit, si dhe pas luftërave pushtuese e të përgjakshme të këtij kasapi në Kroaci dhe Bosnje, mua dhe popullit tim nuk na kishin lënë shumë zgjidhje: ose të përfundonim të përndjekur në kampet e refugjatëve në Evropën Perëndimore, pa nder, pa atdhe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme që kulmoi me luftën çlirimtare për liri, pavarësi dhe shtet demokratik.
I nderuar zoti gjykatës,
Duke besuar në moralin tim, bindjet e mia dhe karakterin tim që kam ndërtuar përgjatë 34 viteve të jetës sime, në shërbim të atdheut e të rrugës drejt lirisë, si dhe në shërbim të institucioneve demokratike të shtetit tim; duke i respektuar dhe nderuar gjithmonë shtetet mike që ndihmuan lirinë tonë; duke qenë thellë i bindur se UÇK-ja kurrë nuk ka qenë organizatë terroriste, por as grup apo bandë e organizuar kriminale, por një ushtri çlirimtare e cila lindi nga populli dhe e cila, me shumë mund e sakrifica, duke derdhur edhe gjakun e vajzave dhe djemve më të mirë të kombit, është bërë gurthemel i lirisë që ne sot e gëzojmë.
Duke dashur të besoj se këto Dhoma të Specializuara nuk do të influencohen nga politika, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, por as nga interesa për qërim hesapesh të individëve apo grupeve të interesit; duke dëshiruar që këtë gjykatë armiqtë e shtetit tim të mos mund ta përdorin kundër Republikës sime dhe qytetarëve të saj; duke i përbuzur ata individë apo grupe individësh, qofshin vendorë apo ndërkombëtarë, që për interesa të ngushta politike, pasurie apo interesa të tjera të ulëta po godasin themelet e lirisë sonë, luftën e drejtë të UÇK-së dhe po tentojnë t’i kryqëzojnë luftëtarët e lirisë duke bërë punën e Luciferit. Përderisa lakmia dhe interesat e ngushta ua kanë turbulluar mendjen, sytë ua kanë verbuar nga urrejtja dhe inatet, e shpirtin ia kanë shitur djallit. Për këtë kategori nuk po gjej fjalë më adekuate shpirtërore për t’i përshkruar sesa fjalët hyjnore të Jezu Krishtit në momentin e kryqëzimit, kur thotë: “Fali o Zot, sepse nuk dinë çfarë po bëjnë.”
I nderuar zoti gjykatës,
Duke ju falënderuar për mundësinë që më dhatë të shprehem lirshëm, duke besuar në drejtësi dhe në vlerat demokratike, shfrytëzoj rastin që nga kjo gjykatë të bëj thirrje: deputetëve të Parlamentit Evropian, deputetëve të Kosovës, politikanëve vendimmarrës të shteteve evropiane, politikanëve të Kosovës, si dhe drejtësisë evropiane, që të zgjojnë ndërgjegjen njerëzore, demokratike e humanitare dhe kësaj gjykate speciale selektive – e cila në analet e historisë dhe drejtësisë evropiane e ndërkombëtare është e panjohur – t’ia zgjerojnë kompetencat për të hetuar, gjykuar dhe për të vendosur drejtësi edhe për:
1,392 fëmijët e vrarë e të masakruar,
16,000 viktimat civile,
afërsisht 20,000 motrat dhe nënat tona të dhunuara e të abuzuara seksualisht,
kthimin dhe gjetjen e 1,500 bashkëqytetarëve të mi që ende evidentohen të zhdukur,
qindra varreza masive të zbuluara nga Beogradi e deri në Rashkë të Serbisë,
mbi 450 masakra të ndodhura anembanë Kosovës,
si dhe për dëmet kolosale materiale të shkaktuara mbi ekonomitë familjare, por edhe mbi ekonominë shoqërore nga okupatori gjenocidal e nacional-fashist i Serbisë.
Sepse jam i bindur se pajtimi i popujve nuk arrihet duke ua mprehur shpatat xhelatëve dhe viktimat duke i viktimizuar edhe për së vdekuri. Por as paqja dhe prosperiteti demokratik evropiano-perëndimor në Ballkan nuk do të arrihen duke e përkëdhelur e mikluar trinomin autokratik, klero-fashist e nacional-shovinist të përbërë nga Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin, të cilët ishin akterë aktivë në regjimin e Millosheviqit dhe tani, si derivat i atij regjimi, janë shndërruar në çetnikë sallonesh, të cilët edhe sot, me politikat e tyre fashiste, po godasin lirinë dhe qytetarët e shtetit tim; bashkëkombasit e mi në Kosovën Lindore e në Sanxhak po i bëjnë të vuajnë duke ua mohuar edhe të drejtat më elementare njerëzore, ndërsa në anën tjetër po cenojnë të gjitha shtetet e Ballkanit që po ndërtojnë demokraci perëndimore, dhe në këtë mision po përkrahen nga aleati i tyre tradicional djallëzor.
Duke shpresuar që kjo gjykatë do të prodhojë drejtësi dhe vetëm drejtësi, edhe pse ende nuk e kam marrë aktakuzën e pacensuruar dhe të gjitha shkresat e lëndës, ju siguroj, zoti gjykatës, se në këtë betejë time ligjore me prokurorinë, para kësaj gjykate, në çdo rast dhe çdo herë do ta përdor të vërtetën dhe të drejtën. Sot jam i gatshëm të deklarohem për pafajësinë time.
Faleminderit zoti gjykatës për fjalën. Faleminderit për durimin për të më dëgjuar.
I paraburgosuri
Salih Mustafa – CALI
Hagë,
25 shtator 2020″
https://www.youtube.com/watch?v=RkFaMzoQEa8&list=PLBHX5QguVqAKfcLAyLPBFtKvGzuYmKQ_s