Petro Koçi: Gjykimi i luftës së UÇK-së në shkollat e Kosovës është akt i papranueshëm antishqiptar
Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministri i Brendshëm gjatë viteve 1998–1999, Petro Koçi, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve, sipas të cilave një përfaqësuese e Gjykatës Speciale, e cila aktualisht po gjykon ish-udhëheqës të UÇK-së, përfshirë ish-Presidentin Hashim Thaçi, ka zhvilluar biseda në shkolla të Kosovës, ku ka mbajtur qëndrime denigruese ndaj luftës për çlirimin e Kosovës.
“Me shumë shqetësim kam përcjellë informacionin se kjo përfaqësuese ka mbajtur qëndrime që përbëjnë një gjykim të hapur dhe inkriminues ndaj luftës së UÇK-së, duke e paraqitur atë në mënyrë denigruese dhe dënuese,” shprehet Koçi.
Sipas tij, një veprim i tillë përbën jo vetëm provokim, por është thellësisht i papranueshëm në një shtet të lirë e të pavarur si Kosova.
Koçi bën thirrje që i gjithë faktori politik, institucional dhe shtetëror në Kosovë të bashkohet për të dënuar me vendosmëri këtë akt, të cilin ai e cilëson si antishqiptar dhe në shërbim të narrativës proserbe.
“Modestisht propozoj që personi përgjegjës të shpallet urgjentisht ‘Non Grata’ në Republikën e Kosovës,” thekson ai.
Në përfundim, Koçi nënvizon se dinjiteti i luftës për liri, sakrificat dhe gjaku i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen dhe të vihen në vend, duke shtuar se askush nuk duhet të guxojë të përbaltë shenjtërinë e padiskutueshme të asaj lufte.




