
Pezullimi i dialogut strategjik, Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj ftohen në takim në Ambasadën e ShBA-së
Liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë ftuar për takim në Ambasadën e ShBA-së pas njoftimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.
ShBA-ja kanë njoftuar se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e plainfikuar strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Për këtë vendim ka njoftuar ambasada amerikane në Kosovë, e cila tha se veprimet e Qeverisë Kurti “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
ShBA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar të çojë përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, ka njoftuar Ambasada amerikane.
Ajo ka shtura se dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar.