Pikat e dobëta të Serbisë

06 tetor 2021 | 13:49

Shkruan: Milazim Krasniqi

Kur flet Vuçiqi për fuqinë e ekonomisë dhe të shtetit të Serbisë, tingëllon sikur flet për një shtet shumë të fuqishëm. Vuçiqi është që moti një ekspert i propagandës, këtë e dinë të gjithë, përveç injorantëve që i besojnë verbërisht dhe që i shkojnë pas si një grixhë.

Pra, ajo që ai thotë, nuk përputhet me realitetin, sepse Serbia është një shtet i dobët, i varfër, pa demokraci dhe nën mbikëqyrje permanente nga akterët më të fortë ndërkombëtar.

Faktet për gjendjen e keqe të Serbisë janë kështu:

1. Sipas partisë opozitare, Partia e Drejtësisë dhe Lirisë, borxhi publik i Serbisë është 32 miliardë dollarë. Kjo është një shumë marramendëse e borxhit, të një shteti që ka ekonomi të dobët. Sa për ilustrim po kthej në kujtesë faktin që borxhi i ish-Jugosllavisë, në kohën kur ajo ra në krizën e borxheve, nga e cila pastaj pasoi edhe kriza politike dhe shpërbërja e përgjakshme, ka qenë 20 miliardë dollarë. Pra, ish-Jugosllavia me të gjitha resurset që kishte me të gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome, nuk e përballoi borxhin prej 20 miliardësh. Prandaj mund të thuhet se nga ky aspekt Serbia është shtet i falimentuar. Nuk arrin të përballojë krizën e borxheve të mëdha ku e kanë futur qeverinë e saj, më së shumti vetë qeveria e Vuçiqit.

2. Sipas të dhënave që ka publikuar Sindikata Ushtarake, në këto vite shërbimin në ushtri e kanë braktisur 10.000 profesionistë. Kjo do të thotë se ushtria serbe ka pësuar edhe një goditje të fortë, pas goditjes që mori në vitin 1999, nga bombardimet e NATO-s. Është riarmatos me armë ruse, gjë që e bën edhe më të vështirë raportin e saj strategjik me NATO-n.

3. Ekonomia e Serbisë ka hyrë në një lloj varësie nga ekonomia kineze. Për këtë arsye ajo mund ta humb komplementaritetin me ekonomitë në Bashkimin Evropian. Edhe ndikimi i Rusisë me anën e gazit është evident, gjë që e rëndon edhe më shumë prospektin e ngrysët të ekonomisë serbe.

4. Mediat në Serbi janë nën terrorin e regjimit, për ç’arsye imazhi i saj përditë e më shumë po errësohet. Tashmë edhe në sistemin e “Twitter”-it Serbia është evidencuar si shtet që kontrollon mediat, gjë që e vë në pikëpyetje besimin në mediat serbe.

5. Serbia është shtet, i cili zyrtarisht mbron kriminelët e luftës. Që nga Shesheli dhe dy anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk i janë dorëzuar Tribunalit e deri te Radosavleviq Guri, urdhërdhënësi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, janë të mbrojtur nga shteti serb. Ndërsa një shtet që mbron kriminelët, nuk mund të ketë respektin në komunitetin ndërkombëtar.

6. Në një rangim të publikuar kohët e fundit lidhur me regjimet autokratike, regjimi i Serbisë është ranguar si regjimi i pestë autokratik në botë.

7. Partia SNS e Vuçiqit, sipas shumë vlerësimeve brenda e jashtë Serbisë, tashmë më shumë llogaritet si organizatë kriminale, se sa një parti politike. Kjo do të ketë reperkusionet e veta, si për atë parti, ashtu edhe për Serbinë, e cila udhëhiqet nga një organizatë kriminale.

8. Serbia është shtet me një rrethim të theksuar armiqësor. Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Bosnjën, me Kroacinë, me Malin e Zi dhe me Kosovën, janë barrë për ekonominë dhe shtetin serb, sepse harxhohen shumë para e shumë energji për të bërë presion mbi këto shtete. Por, fronti antiserb tashmë po profilizohet dhe po fuqizohet edhe në rajon. Po të mos ishin lojërat e ndyra të Edi Ramës me Vuçiqin, Serbia sot do të ishte tërësisht e izoluar në rajon.

Nga sa u pa, Serbia është shtet me ekonomi të dobët dhe jokonkurruese me ekonomitë në Bashkimin Evropian, shtet me borxhe të mëdha, shtet ku nuk ka liri të medieve e as demokraci, shtet ku udhëheq një organizatë kriminale dhe një lider që ka qenë bashkëpunëtor i Sheshelit dhe Millosheviqit.

P.S. Këto fakte duhet t’i analizojnë politikëbërësit në Kosovë. Ky tekst u shkrua si indikacion për ta. (6 tetor 2021)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e eventuale e çmimit të energjisë elektrike, pas krizës…