Pioneri i panjohur i larjes së duarve

25 mars 2020 | 08:24

Nga Lindsey Fitzharris

Është e vështirë të gjendet ndonjë ndjenjë optimizmi gjatë pandemisë Covid-19, por një burim inkurajimi është që uji dhe sapuni mund të jenë një mbrojtje e fuqishme. Koronavirusi që shkakton sëmundjen është i mbështjellë me shtresë yndyrore që tretet lehtësisht nga larja me sapun, që për pasojë e zhduk atë. Kjo është arsyeja pse autoritetet e shëndetit publik e theksojnë me aq shumë forcë rëndësinë e larjes së duarve.

Larja e duarve për të vrarë mikrobet, një veprim bazë higjienik sot, është një zbulim relativisht i vonë në historinë e mjekësisë. Në fillim të shekullit të 19-të, në spitale pastërtia nuk kishte ndonjë rëndësi. Ata ishin baza infeksioni, shpesh të quajtura “shtëpi të vdekjes”. Spitalet ofronin vetëm lehtësirat më primitive për të sëmurët dhe të vdekurit, shumë prej tyre ishin vendosur në ndërtesa me pak ajrosje ose qasje në ujë të pastër. Në vitin 1825, vizitorët në Spitalin St. George në Londër panë se si kërpudhat lulëzonin në çarçafët e lagur e të ndyrë të një pacienti që shërohej nga një frakturë. Shkalla e vdekshmërisë së pacientëve në spitale ishte 3-5 herë më e lartë sesa e njerëzve që trajtoheshin në shtëpi.

Mjeku i parë që kuptoi rëndësinë e higjenës në ndalimin e përhapjes së sëmundjes infektive ishte Ignaz Semmelweis, një mjek hungarez, i cili në vitet 1840 shërbente në maternitetin e Spitalit të Përgjithshëm të Vjenës. Në atë kohë, ideja se kushtet e këqija në spitale luanin rol në përhapjen e infeksioneve nuk i shqetësonte shumë mjekët. Në mesin e më të rrezikuarave ishin gratë shtatzëna. Gjatë lindjes, krijoheshin rrugë kalimi për bakteret që mjekët dhe kirurgët bartnin mbi vete kudo ku shkonin.

Që në fund të viteve 20, Semmelweis kishte vënë re një mospërputhje interesante midis dy pavijoneve obstetrike të spitalit. Njëri ishte në kujdesin e studentëve meshkuj të mjekësisë, ndërsa tjetri ishte nën kujdesin e mamive femra. Edhe pse secili repart siguronte kushte identike për pacientët, ai i mbikëqyrur nga studentët e mjekësisë kishte një shkallë vdekshmërie tre herë më të lartë. Ata që e kishin vënë re çekuilibrin ia atribuojnë faktin idesë se studentët meshkuj i trajtonin pacientet më ashpër sesa mamitë, duke i bërë kështu nënave të reja më të ndjeshme ndaj etheve puerperale, një infeksion i rrezikshëm pas lindjes. Semmelweis nuk ishte i bindur për këtë.

Në vitin 1847, ai bëri një zbulim kur njëri nga kolegët e tij u sëmur pasi preu dorën gjatë një ekzaminimi pas lindjes. Semmelweis vuri re që simptomat e mjekut ishin jashtëzakonisht të ngjashme me ato të grave që vuanin nga ethet puerperale. A mos vallë mjekët i transportonin me vete “grimcat e çuditshme” dhe i çonin në repartet e lindjes së foshnjave?

Në atë kohë, mjekët nuk përdornin veshje mbrojtëse të tilla si dorezat kur disektojnë të vdekurit, dhe nuk kujdeseshin për të larë duart më pas. Ndoshta ndryshimi i madh midis repartit të studentëve dhe mamivë ishte se studentët trajtonin edhe të vdekurit. Duke besuar se ethet puerperale ishin shkaktuar nga “materiali infektiv” që merrej nga kufomat, Semmelweis përdori si zgjidhje spërkatjen e ambjenteve të spitalit me klorur të gëlqeres dhe kërkoi nga të gjithë mjekët që të lanin duart përpara se të ndiqnin pacientët. Në prill 1847, shkalla e vdekshmërisë për nënat e reja në repartin e studentëve ishte 18.3%. Pasi larjes së duarve në maj, ra në më pak se 2%.

Rezultatet e Semmelweis ishin bindëse, dhe pa dyshim që ai u shpëtoi jetën e shumë nënave gjatë asaj periudhe. Por ai nuk qe në gjendje të bindte kolegët e tij se ethet puerperale shkaktoheshin nga ndotja përmes kontaktit me kufomat. Pas shqyrtimesh të shumë rasteve negative në një libër që ai botoi mbi këtë temë, në 1861, Semmelweis i quajti mjekët që nuk i lanin duart “vrasës”.

Me kalimin e kohës, sjellja e tij u bë aq e fiksuar në këtë drejtim saqë iu kthye në siklet për spitalin. Historianët e mëvonshëm kanë sugjeruar se ai mund të ketë vuajtur edhe vetë nga sëmundja e Alzheimerit ose sifilizit. Më 30 korrik 1865, një nga kolegët e Semmelweis e dërgoi atë në një azil të çmendurish në Vjenë, me pretekstin se po vizitonte një institut të ri mjekësor. Kur Semmelweis e kuptoi atë që po ndodhte u përpoq të arratisej. Për këtë u rrah rëndë nga disa roje, e më pas u mbyll në një qeli të errët. Dy javë më vonë, vdiq nga një plagë e gangrenizuar në dorën e djathtë.

Teoritë e Semmelweis për higjenën dhe infeksionin nuk u pranuan kurrë përtej mureve të spitalit të tij. Do të duhej të vinin vitet 1880 kur pionierët e teorisë së mikrobeve si Louis Pasteur, Joseph Lister dhe Robert Koch t’i dëshmonin botës se sëmundjet vërtetë barteshin nga grimca mikroskopike, duke sjellë një revolucion në praktikat mjekësore. Vetëm atëherë iu dha rëndësi bazë larjes së duarve dhe u pranua kontributi i Semmelweis.

Sot, termi “refleksi Semmelweis” përdoret për t’iu referuar tendencës së turmës për të hedhur poshtë provat e reja që janë në kundërshtim me normat e përcaktuara. Pandemia e fundit është një provë e re për sistemet mjekësore të botës dhe aftësisë së tyre për të dhënë një përgjigje të koordinuar. Mendjet tona duhet të jenë të hapura për zgjidhje krijuese që nuk përshtaten domosdoshmërisht me metodologjitë e pranuara. Edhe në vitin 2020, mbetet një sfidë për të bindur njerëzit se larja e duarve është një nga mënyrat më efektive për të luftuar Covid-19. Nëse pandemia do të sjellë diçka positive ajo do të jetë që larja e duarve do të bëhet më në fund aq universale sa shpresonte Semmelweis. WSJ

*Dr. Fitzharris është një historian i mjekësisë dhe autori i “Arti i Kirurgut: Kërkimi i Joseph Lister për të Shndërruar Botën e Mjekësisë Victoriane”./mapo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës sot në orën 11.00 do të mbajë…