Pjesë të shkëputura nga libri i Reshat Nurbojës “Unë dëshmi kohe”

08 korrik 2025 | 00:25

PJESË TË SHKËPUTURA NGA LIBRI IM “UNË DËSHMI KOHE”

Marrë nga faqja e Reshat Nurbojës:
…Me 07 korrik të vitit 1993… Pas dhjet-pesëmbëdhjetë minutash, që e kam filluar mbledhjen, në sallën hynë forca të shumta të policisë të armatosura deri në dhëmbë, me automatikë, veshje antiplumb etj. Paraprakisht të tërë lagjen ku mbahej Kuvendi i PRK-së e kishin rrethuar, kishte tanke e shumë policë, edhe në stadium, para sallës ishte një tanke e autoblindë policor… Kur hyn brenda, pyeten çfarë është kjo mbledhje dhe kush është organizator i saj. Prisja që ndonjëri nga ata që e kanë organizuar mbledhjen të lajmërohet, por çele gur gojën, asnjëri nuk bëzante nga frika…Për disa sekonda të cilat dukeshin si vite, në sallë mbizotëronte heshtja e vdekjes.

Nuk di as vet si, kur e pashë se askush nuk po lajmërohet, instinktivisht u ngrita dhe i thashë unë jam organizator, i tregova se është Kuvendi i Partisë Republikane etj etj… Ai, i cili komandonte me ekspeditën policore serbe më shikonte me habi… Disi nuk ia mbushja syrin të jam Kryetar i Partisë Republikane “famoze” të Kosovës. Isha i veshur si gjithnjë, atëherë me xhinsa, me një majicë dhe patika, isha i dobët- kurrsesi policia nuk mund të konceptonte se unë jam kryetar. Ma kërkoi lejen e njoftimit dhe e krahasoj me një listë në të cilën i kishte të shënuar disa emra. Atëherë u bind, dhe më tha ulu e pritë, mos lëviz dhe filluan legjitimimin e delegatëve,…duke i legjitimuar disa nga ta edhe i grushtonin….
Mua dhe disa të tjerë na futën në automjetet policore dhe na dërguan në polici, ndërsa të gjithë të tjerët i kishin qitur jashtë në stadium dhe i kishin detyruar të vraponin rreth stadiumit duke i sharë e rrahur. Në fund i kishin mbështetur për mur dhe kinse kishin dashur t’i ekzekutonin, më në fund i kishin lëshuar duke i porositur që të largohen nga Partia Republikane, se nëse i zënë edhe njëherë, nuk do të shpëtojnë dhe se do t’i vrasin të gjithë…
Në polici na dërguan: Mua – Reshat Nurbojën, Feti Grapcin, Ramiz Kuklecin, Zeqë Hasaj dhe një njeri që udhëhiqte me restorantin e ekipit futbollistik “Falmurtari” në Prishtinë, e i cili e kishte lëshuar sallën e restorantit për mbajtjen e Kuvendit PRK-së …
të na nxirrnin nga qelia dhe dëshironin të na rrihnin, mirëpo, policet që na ruanin nuk i lejonin Inspektorët e lartë të UDB-së serbe filluan një nga një në zyre të veçanta të na merrnin në biseda informative. Krahas bisedave, siç ishte praktikë në biseda të tilla informative, filluan edhe kërcënimet, maltretimet psikike, etj… Rrahje fizike në zyrat e policisë nuk përjetuam… Pas bisedave me inspektorë nga Prishtina dhe Beogradi, na dërguan në paraburgim në lokalet e policisë. Ishte e premte, 07 Korriku, festë e Serbisë, policët fillimisht na fyenin e na thoshin shikoni shikoni këta që donë Republikë dhe donë për të luftua me Serbinë. Gardianët serbë që na ruanin, pinin alkool, ishin të dehur, provokonin, shanin e çfarë nuk bënin… Me një rast, na nxorën jashtë, dhe në korridor na kthyen me fytyrë nga muri,… mua, Fetiun e Ramizin na shqelmuan, ndërsa Zeqë Hasaj e rrihnin keqas… Ai ishte korpulent, div i vërtet, e kishin kthyer me fytyrë nga muri si të gjithë ne, e me duar të ngritura e të mbështetura në mur, dhe i binin me grushte, shqelma e shkopinj gome… Zeqa as nuk lëvizte, të jepte përshtypje se nuk po e rrihnin, por policët po e rrihnin vetveten, sepse ishin mbushur frymë dhe ishin djersitur si derrat… Zeqa, ishte shumë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm. Kjo, policët i irritonte dhe thoshin: shihe shihe sa i fort është, dhe i mëshonin edhe më fuqishëm në shpinë, në këmbë e duar, por kot, Zeqa i përballonte të gjitha me një “lehtësi” të pabesueshme… Policët u lodhen duke e rrahur Zeqen dhe na dërguan me sharje e britma e kërcënime në bodrum, ku kundërmonte erë e padurueshme e urinës, e erërat tjera nga nevojat fiziologjike që në atë birucë i kryenin të burgosurit e shumtë që e kalonin natën aty…
Atë natë nuk fjetëm fare, vetëm pritnim kur do të hapet dera e do të hynin policët e dehur që vinin në stacionin e policisë në Prishtinë, gjuanin fjalë, na kërcënonin se do të na vrisnin etj… Vinin grupe të shumta të policëve që ishin të dehur dhe kërkonin që të na merrnin e të na rrahin me arsyetim se nuk guxojnë… Me kaq, atë natë u kënaqen…Të nesërmen në mëngjes, policët që ishin kujdestarë, na thoshin se duhet t’i falënderonim sepse kemi shpëtuar mbrëmë gjallë, se, po që se do të ishte ndokush tjetër kujdestar, ne sot nuk do të dilnim gjallë nga ky burg,… Na pyesnin se a keni dëgjuar se sa policë mbrëmë kanë ardhur me dëshirë të “flasin” me ne, dhe qeshnin… Më pastaj, nga mesdita, nën sigurimin e dhjetëra policëve të armatosur gjerë në dhëmbë, na dërguan në Gjykatën për Kundërvajtje në Prishtinë, e cila ishte në qendër të qytetit… Policia serbe, paraprakisht e kishte bllokuar rrugën, dhe nën përcjellje, ashtu të prangosur na futën në gjykatë…Aty, na priste një gjykatës serb, i cili na mori në pyetje… Na njoftoj se nëse pranojmë seancën gjyqësore, mund ta mbajmë vetëm në gjuhën serbe, sepse ai nuk di shqip, e me arsyetimin se është ditë e shtune, dhe për këtë arsye sot në gjykatë punon vetëm gjyqtari kujdestar, nuk ka shërbime të tjera, gjegjësisht nuk punon përkthyesi… Nëse nuk dëshironi ta mbani seancën gjyqësore në gjuhen zyrtare, në gjuhën serbe, deri të hënën duhet të ktheheni në burg, kur në seancë gjyqësore do të jetë edhe përkthyesi… Unë, në emër të gjithëve, u përgjigja se duam përkthyes, se nuk kuptojmë mirë serbisht etj… Gjyqtari serb më tha se nuk ka mundësi që sot ta sigurojnë përkthyesin, dhe i urdhëroi policët të na kthenin në polici e të na sjellin tek të hënën… Në atë moment, ndërhynë avokatët tanë, të cilët i kishin siguruar ndokush nga familjarët e ndonjërit prej neve, kujtoj se familjarët e Fetiut, dhe e lutën gjyqtarin t’ia japë një minutë, të bisedojnë me ne… Gjyqtari i lejoi avokatët të flasin edhe një herë me ne. Nën përcjelljen e policëve, dolëm në korridor të bisedojmë me avokatët tonë, të cilët këmbëngulnin dhe insistonin që të mos luajmë e të mos shesim patriotizëm se nuk është rasti, vendi e as koha, sepse është festë, policët janë të dehur, të gjithë janë çetnik serbë, kështu që të mos rrezikojmë pa nevojë e të mbesim edhe dy tre net në ndërtesën e policisë, por të pranojmë të gjykohemi, se sigurisht do të dënohemi dhe do të na dënojnë në burg ku jemi më të sigurt… Le të pranojmë të dënohemi edhe maksimalisht nga 60 ditë e të shkojmë në burg, ku është më sigurt e të mos lejojmë të kthehem në atë podrum të stacionit policor…
Pas një sugjerimi të këtillë, e, edhe duke mos dashur që për shkak timin të rrezikonin edhe të tjerët, pranova që seanca të mbahet pa përkthyes… U kthyem në zyrë të gjykatësit serb, i cili buzëqeshte e me ironi na provokonte: çfarë keni vendosur, a doni përkthyes apo jo?!… Sinqerisht isha i gatshëm të mbetesha në atë, që pa përkthyes të mos pranoj gjykimin, por më parë i kisha premtuar avokatëve që nuk do të kundërshtonim më… Me të hyrë në zyrë, duke e vërejtur buzëqeshjen ironike të gjyqtarit serb, menjëherë e kuptova pse avokatët tonë insistonin që të premtojmë që do të pranojmë të gjykohemi pa përkthyes,… sepse ata e dinin që do të na provokonin në këtë mënyrë… Gjykatësi na pyeti a pranojmë të gjykohemi në gjuhën zyrtare, atë serbe, apo do të presim gjerë të hënën përkthyesin, prapë me një përbuzje të një shovinisti na provokonte e na nënçmonte. Në fund ns lexoi aktevendimin me të cilin të gjithëve na denoi me nga 60 ditë burg…
…Po atë natë, diku në orët e vona gardianët na zgjuan nga gjumi dhe më thirren e më thanë që të vishem dhe asgjë tjetër… Më moren dhe nëpër disa labirinte nga burgu më dërguan në ndërtesën e SUP-it, aty në një zyre ishte Branko Gjukiqi, i cili më vonë u bë edhe Kryeshef i UDB-së në Pejë, i cili, disa herë deri më atëherë më kishte marrë në biseda të tilla informative, dhe atë jo vetëm mua por pothuaj të gjithë liderët e partive kryesore në Pejë. I urdhëroi gardianët që të m’i heqin prangat dhe filloi bisedën sipas një shablloni tani më të njohur për mua, në mënyrë shoqërore e me kulturë në fillim, e më pastaj edhe me kërcënime… Më pyetke çfarë Kongresi është, pse nuk është lajmëruar në organet kompetente në SUP-it, pse po tuboheni ilegalisht, mos dëshironi të jeni më patriotë dhe më të mençur se LDK-ja e partitë tjera, që çdo herë i përmbahen ligjeve të Kosovës e Serbisë, i respekton institucionet dhe për çdo tubim publik kërkon leje nga SUP-i, dhe nuk kanë kurrfarë problemi, kurse ju këto i injoroni e di se çfarë tjetër. Unë i thosha se po që se kërkojmë leje, atëherë do të jemi parti si ato e jo ndonjë parti ndryshe, atëherë nuk do të ishim PRK… Ai, me një cinizëm e nënçmim me provokonte me fjalët e shkëputura nga deklarata politike dhe programi i PRK-së… A ju jeni ata që nëse nuk mundeni t’i zgjidhni mosmarrëveshjet me Serbinë me mjete politike, këtë do ta bëni duke luftuar me Serbinë… dhe qeshte…
Njëkohësisht më akuzonte pse po luaj me jetën time, a e di se çfarë mund të më gjejë…
A po mendon se ti je më i mençur nga të gjithë qytetarët e Pejës, të cilët e shikojnë punën e tyre, nuk përzihen në politik, e edhe ata të paktët të cilët janë të kyçur, tentojnë që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin me dialog, ndërsa ti kërkon luftë, propagandën se nuk ka zgjidhje të problemit të Kosovës pa konfrontim të drejtpërdrejtë fizik… Hë, si po thua ti nëpër tubime: jo me dy gishta por me një gisht… kemi për ta thyer atë gisht, por edhe kokën nëse vazhdon prapë kështu…
Edhe për çfarë po angazhohesh, më thoshte Gjukiq: “Za seljaćku republiku”-“Për Republikën e Katundarëve”! A e di ti budalla, se po të ndodhte kjo çfarë po thua ti, e që është diçka e pamundur dhe qesharake, të cilën vetëm budallenjtë mund ta ëndërrojnë… ju qytetarët, atëherë do ta shihni çfarë është okupimi, padrejtësia, çfarë është seljaćka republika (republika e katundarëve) do t’u….. nana nga katundarët…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barra e luftës bie gjithnjë e më shumë mbi supet…