Pjetri dorëhiqet nga marrja e postit të kryebashkiakut të Shkodrës

15 gusht 2019 | 17:48

Valdrin Pjetri ka vendosur të tërhiqet nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. Vendimi vjen pas akuzave të Partisë Demokratike se ka qenë i dënuar në Itali për shpërndarje droge në vitin 2003.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, ka thënë Pjetri.

Sipas tij, ngjarja për të cilën akuzohet është krejt banale dhe ka ndodhur kur ishte student, ndërkohë që sot është nxjerrë nga konteksti. “Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, ka deklaruar ai.

Pjetri ka sqaruar se me tërheqjen nga marrja detyrës si kryebashkiak, do të përqendrohet në zgjidhjen ligjore të ngjarjes. “Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, është shprehur ai./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësudhëheqësja e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, së…