Prishtina dhe Vushtrria, komunat më të suksesshme

15 gusht 2019 | 17:46

Zëvendësudhëheqësja e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, së bashku me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), lansuan Indeksin e Transparencës në Prokurimin Publik. Indeksi tregon përparim të konsiderueshëm në transparencën e prokurimit publik në nivel lokal.

Përderisa ndryshimet në legjislacionin sekondar kontribuuan për rritjen e transparencës në e-Prokurimi, vullneti politik në nivelin lokal në vitin 2018 shënoi përparim, pasi dokumente të rëndësishme siç janë kontratat, vendimet për ankesat e shkallës së parë, rregulloret për ndarjen e granteve dhe informacionet mbi procesin e vlerësimit për këto grante, filluan të publikohen në faqet e internetit të komunave.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, ka paraqitur gjetjet kryesore të raportit. “Edhe pse këtë vit kemi një rritje të transparencës prej 28 përqindësh kundrejt vitit paraprak, megjithatë mesatarja e performancës në gjashtë shtyllat e matura është vetëm 58 për qind. Komunat duhet t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për rritjen e transparencës në 43 indikatorë”, ka thënë ajo.

Metushi-Krasniqi ka shtuar se ky indeks tregon se komunat, krahas rritjes së transparencës, duhet të fokusohen në krijimin dhe zbatimin e mekanizmave llogaridhënëse. Ky prezantim mblodhi aktorët kryesorë nga Qeveria e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile.

Gjatë kësaj ngjarjeje, zëvendësudhëheqësja e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, ka thënë se prokurimi transparent është një element kyç në rritjen e përgjegjësisë dhe luftimin e korrupsionit në çdo vend për çdo qeveri. “Në Kosovë kjo reformë është shumë e rëndësishme pasi që gjysma e buxhetit të vendit shpenzohet përmes prokurimit publik në nivel kombëtar ose komunal”, ka thënë ajo.

Ndërsa sekretarja e përgjithshme e MAPL-së ka pohuar se monitorimi i transparencës komunale nga sektori joqeveritar paraqet një shtysë të fortë për institucionet publike që të punojnë në zbatimin e standardeve më të mira të administrimit publik, në të mirë të krijimit të asaj që njihet si qeverisje e hapur dhe transparente, duke ndërtuar mekanizma efikas ligjorë që qytetarët të jenë sa më pranë bazës së informacionit.

Arben Kelmendi, koordinator i programit të KDI-së, ka thënë se Instituti Demokratik i Kosovës vazhdon traditën e publikimit të Indeksit të filluar qysh në vitin 2014. “Një qeveri komunale që i bën informatat lehtë të qasshme për publikun, inkurajon një qytetari aktive dhe mundëson ndërtimin e një procesi vendimmarrës gjithëpërfshirës dhe mirë të informuar”, është shprehur Kelmeni.

Gjatë organizimit të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetarët e dy komunave më të suksesshme, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“Do të publikojmë çdo dokument në mbajtje sipas ligjit brenda 15 ditëve që t’ua japim qytetarëve informacionin e plotë. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi gabime dhe që MAPL dhe OShP nuk na kanë kthyer vendime. Rruga përpara për Kosovën është transparenca e plotë në çdo vendim. Qeverisja e mirë nuk duhet të jetë në mëshire të politikanëve, por duhet ndërtuar sisteme funksionale”, ka thënë Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se është shumë i lumtur që për më pak se dy vjet të udhëheqjes ka bërë këtë kapërcim komunal. “Prioriteti ynë ka qenë që të japim shembull për praktika të mira si komunë. Jemi komuna e parë që kemi aprovuar kodin e etikës si dhe planin e integritetit. Deklarata e kodit të etikës është e nënshkruar nga secili zyrtar dhe gjendet në dosjen e tij/saj. Edhe në uebfaqe edhe në rrjetet sociale i kemi publikuar të gjithë përfituesit e subvencioneve. Ne kemi përfshirë edhe shoqërinë civile në qytetin tonë, edhe pse nuk është e nivelit të organizimit sikurse në Prishtinë”, ka thënë Tahiri.

Indeksi i Transparencës në Prokurimin Publik është zhvilluar nga KDI-ja përmes grantit nga aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump i ka sugjeruar sot presidenti kinez,…