Planet

30 tetor 2025 | 08:24

CHARLES BAUDELAIRE

Duke shëtitur i vetmuar në një park të madh, ai thoshte me vete:

“Sa e bukur do të dukej ajo po të vishte një kostum të oborrit mbretëror, të rafinuar e festiv, dhe të zbriste në atmosferën e një pasditeje të bukur, shkallët e mer­merta të një pallati madhë­shtor përballë lulishteve dhe shatërvanëve të mëdhenj! Për më tepër, natyra i ka dhënë asaj një pamje princeshe”.

Më vonë, duke ecur në një rrugë, ai ndaloi përballë një dyqani gravurash dhe pasi gjeti në një karton një imazh të stampuar që paraqiste një peizazh tropikal, tha me vete:

“Jo! Nuk do të doja ta kaloja jetën me të në një pallat madhë­shtor. Aty nuk do të ndiheshim si në shtëpinë tonë. Mbi muret e stolisura me ar nuk ka asnjë vend ku mund ta varësh imazhin e saj; në këto galeri gjigante nuk gjen asnjë qoshe ku të kalosh momente intime. Ja, këtu, në këtë ishull tropikal, duhet të shkoj për t’i reali­zuar ëndrrat e mia”.

Dhe ndërsa analizonte me sy imtësitë e gravurës, vazhdonte të përfytyronte me vete:

“Jemi në breg të detit, në një kasolle të bukur prej druri, të rrethuar me pemë të çuditshme, të shkëlqye­shme, emri i të cilave nuk më kujtohet. Në atmosferë ndihet një erë dehëse dhe e papërshkrueshme. Në kasolle ndien një parfum të fortë trën­dafili dhe myshku. Më tutje, mbrapa pronës sonë, sheh copa direkësh të shtyra nga valët e detit. Rreth nesh, përtej dhomës së ndriçuar nga një dritë rozë që pengohet paksa nga grilat, të zbukuruar me rrogoza dhe me lule eksituese, me disa karrige të stilit rokoko portugez, të bëra me një dru të rëndë dhe të errët (ku ajo do të shplodhej, në qetësi dhe në freski duke pirë duhan të përzier me pak opium), përtej verandës, dëgjojmë zhurmën e zogjve të dehur nga drita dhe dërdëllitjet e zezakeve të vogla. Kurse natën, kënga qarëse e pemëve muzikore, dhe e filaove[1] melankolikë shërben si shoqëruese e ëndrrave të mia! Ja, ky është dekori që kërkoja. E ç’më duhet pallati madhështor?”

Më tutje, duke ecur në një bulevard të gjerë, ai pa një bujtinë të thjeshtë dhe të pastër, ku dy koka të qeshura përkuleshin te një dritare e zbukuruar me perde bezeje shumëngjyrëshe. Menjë­herë tha me vete:

“Mendimi im duhet të jetë një bredharak i madh që të shkojë e të kërkojë aq larg atë që gjendet kaq pranë meje. Kënaqësia dhe lumturia gjenden te bujtina më e afërt, te bujtina e rastit ku mund t’i bësh të gjitha qejfet. Aty brenda gjen një zjarr të madh, objekte fajance të vendo­sura në mënyrë të dukshme, një darkë të mirë, një verë të fortë dhe një krevat të gjerë me çarçafë, të cilët janë pak të ashpër, por të freskët. E ku ka më mirë?””

Duke u kthyer në shtëpi, në momentin kur këshillat e Urtësisë nuk mbyten më nga gumëzhitja e botës së jashtme, tha me vete:

“Sot pashë në ëndërr tri banesa tek të cilat gjeta të njëjtën kënaqësi. Përse atëherë duhet ta detyroj trupin tim të ndryshojë vend përderisa mendja ime udhëton me kaq lehtësi? E përse duhet t’i realizosh planet, kur bërja e një plani është në vetvete një kënaqësi e mjaftue­shme?”

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa.

Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”.

© “Armagedoni”

[1] Nga dialekti kreol i Reynionit filao. Pemë e ngjashme me bredhin që rritet në zonat tropikale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kërçova është nyja e Gordit e balotazhit në fushatën zgjedhore…