Platforma politike e UÇK-së (9)

20 nëntor 2023 | 17:23

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (9)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së nëntë, ka bërë me dije se Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) është struktura politike që themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, LPK-ja konsideronte luftën e armatosur si të pashmangshme, prandaj filloi angazhimin serioz në këtë drejtim. “Duke përcaktuar si qëllim të vetëm politik çlirimin e vendit nga okupatorët Lëvizja Popullore e Kosovës ofroi platformën që mundësonte të liheshin anash dallimet klasore, ideologjike, fetare dhe krahinore dhe të  mobilizoheshin të gjitha forcave politike, shoqërore, intelektuale dhe profesionale rreth këtij qëllimi”, thotë Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: Në fillim të aktivitetit të Grupit Diplomatik të UÇK-së shpesh përmendej se gjatë takimeve është shpalosur Platforma politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse deri më sot asnjëherë nuk është publikuar ndonjë dokument lidhur me këtë platformë, çfarë mund t’i thuhet lexuesit rreth kësaj çështjeje?

Bardhyl Mahmuti: Që në fillim duhet të qartësojmë për ata që nuk e dinë se Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) është struktura politike që themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo organizatë patriotike kishte për qëllim bashkimin e të gjitha forcave politike dhe shoqërore shqiptare që angazhoheshin për realizimin e të drejtave tona kombëtare, pa marrë parasysh dallimet klasore, ideologjike, fetare apo krahinore. Çlirimi i vendit nga okupatorët shekullor përbënte boshtin kurrizor rreth të cilit artikulohej tërësia e veprimtarisë politike të LPK-së. Në funksion të këtij orientimi politik kjo organizatë i përcaktoi vetes për qëllim të mbronte politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht domosdoshmërinë e luftës së armatosur për realizimin e aspiratave kombëtare.

“Epoka e re”: Përpara se të fillonte shpërbërja e Federatës së Jugosllavisë, LPK-ja në atë kohë quhej Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës dhe angazhohej për krijimin e republikës së Kosovës, në kuadër të së cilës do të përfshiheshin të gjitha territoret me shumicë shqiptare që ishin nën Jugosllavi. Sipas disa deklaratave të anëtarëve të dikurshëm të kryesisë së LPK-së, më 17 nëntor 1994, kryesia e kësaj organizate kishte pru vendim që të emëroheshin njësitë e armatosura të udhëhequra nga LPK-ja me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. A mund të thuhet se nga kjo datë kemi edhe përcaktimin e qëllimeve të lartpërmendura për të mbështetur UÇK-në në të gjitha format e mundshme?

Bardhyl Mahmuti: Shpërthimi i luftërave të armatosura gjatë procesit të shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë krijoi kontekstin e ri historik që imponoi rishikimin e kërkesave politike dhe mjeteve që duhej të përdoreshin për realizimin e tyre. Përderisa shumica e forcave politike shqiptare që vepronin në viset shqiptare që dikur ishin nën Jugosllavi predikonin zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare nëpërmjet mjeteve demokratike-paqësore, LPK-ja konsideronte luftën e armatosur si të pashmangshme. Prandaj filloi angazhimin serioz në këtë drejtim.  Ka njerëz që datën e emërtimit të njësive të armatosura që vepronin nën udhëheqjen e LPK-së e paraqesin si datë të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lëshohen në spekulime se kush ishte kumbara që “pagëzoi” UÇK-në. Lindja e UÇK-së i ka rrënjët në gjakun dhe sakrificat e shumta të atdhetarëve që u mobilizuan për realizimin e aspiratave kombëtare të shqiptarëve që mbetën nën Jugosllavi dhe është rezultat i një procesi e jo i një vendimi.

“Epoka e re”: Meqenëse rreth kësaj çështjeje nuk ka konsensus të përgjithshëm as në mesin e veprimtarëve të LPK-së, ju në cilën kohë do ta do ta përcaktonit lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Bardhyl Mahmuti: Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, organizatat atdhetare shqiptare që vepronin në atë kohë (Organizata-+ Marksiste-Leniniste, Fronti i Kuq Popullor, Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe Kushtrimi i Lirisë), që ishin, në një farë forme, vazhdimësi e organizatave të krijuara pas ripushtimit të trojeve tona në vitin 1945 nga regjimi komunist jugosllav, ranë në ujdi që të bashkoheshin rreth kërkesës për krijimin e republikës së Kosovës. Në këtë kontekst po përmend faktin se Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, që udhëhiqej nga Jusuf Gërvalla, kishte moto: Me penë dhe pushkë për liri dhe bashkim me vendin amë, Shqipërinë socialiste!”. Në dallim nga periudhat e përparshme të rezistencës kur si pasojë e arrestimeve dhe vrasjeve rezistenca merrte kohë për t’u riorganizuar, Pranvera e Madhe ’81 vuri në binarë lokomotivën që, pa u ndalur fare, do të shpinte në realizimin e aspiratave tona kombëtare. Gjaku i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut dhe gjaku i të gjithë të rënëve në përballje me okupatorët trasuan rrugën e vetme drejt lirisë sonë! Rënia e heronjve të lartpërmendur dhe aksionet e armatosura të bashkëveprimtarëve të tyre shënojnë momente të rëndësishme të luftës sonë të armatosur dhe pasqyrojnë pjesën më madhështore në procesin e formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, sipas pikëpamjeve të mia, formimi i UÇK-së duhet të shihet si proces, ku çdo sakrificë ka vendin e vet, ndërsa në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të  LPK-së të mbajtur në Prishtinë më 26-27 korrik 1993 (Në këtë mbledhje u vendos edhe ndërrimi i emrit nga LPRK në LPK), paraqet një moment kyç në këtë proces, sepse pikërisht në këtë mbledhje u vendos të fillohej me strukturimin e celulave të armatosura që kishin kryer aksione kundër okupatorit në forcë ushtarake që do merrte përsipër çlirimin e vendit.

“Epoka e re”: Nga ajo që thatë më lartë del se platforma e Lëvizjes Popullore të Kosovës për çlirimin e vendit ishte platformë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bardhyl Mahmuti: Plotësisht e saktë. Duke përcaktuar si qëllim të vetëm politik çlirimin e vendit nga okupatorët Lëvizja Popullore e Kosovës ofroi platformën që mundësonte të liheshin anash dallimet klasore, ideologjike, fetare dhe krahinore dhe të  mobilizoheshin të gjitha forcave politike, shoqërore, intelektuale dhe profesionale rreth këtij qëllimi.

“Epoka e re”: Përkundër angazhimeve të Lëvizjes Popullore të Kosovës që përballë okupatorëve të lihen anash dallimet ideologjike ndërmjet forcave politike shqiptare, gjatë gjithë periudhës që i parapriu luftës çlirimtare ju keni pasur epitetin e një force politike të majtë (marksiste-leniniste). A është i qëndrueshëm pohimi se ju ishit politikisht të majtë dhe deri në çfarë mase kjo çështje ka qenë pengesë për koordinimin e veprimtarisë me forcat e tjera politike për çlirimin e vendit?

Bardhyl Mahmuti: Që të kuptohet drejt kjo çështje e shoh të rëndësishme të sqaroj disa aspekte teorike që lidhen me nocionet në fjalë. Fillimisht po tërheq vëmendjen e lexuesit se dallimi thelbësor ndërmjet doktrinës marksiste-leniniste dhe nacionalizmit si ideologji lidhet me çështjen kombëtare. Përderisa komunistët e të gjitha rrymave kombin e shohin të ndarë në klasa dhe i japin përparësi luftës së klasës punëtore kundër klasës së borgjezisë dhe predikojnë rreshtimin përkrah proletariatit ndërkombëtar, nacionalizmi përpiqet të fshij të gjitha dallimet klasore, ideologjike, fetare, krahinore etj., brenda kombit me qëllim që të dilet unik kundër kombeve të tjera që përpiqen ta rrezikojnë interesin e tij. Të gjitha aktet normative të LPK-së (Programi, Statuti dhe shkrimet në Zërin e Kosovës) kanë qenë pikërisht në frymë të tejkalimit të dallimeve klasore, ideologjike, fetare dhe krahinore të shqiptarëve dhe për unitetin kombëtar për t’u bërë ballë sfidave me të cilat ballafaqohej kombi ynë. Në kuadër të lëvizjes sonë ka pasur njerëz ateistë dhe fetarë, të majtë dhe të djathtë,  nga Kosova, nga viset që mbetën nën Maqedoni, nën Mal të Zi, nga Lugina e Preshevës dhe nga Shqipëria, intelektualë të profileve të ndryshme, punëtorë, bujq, të papunë etj. por që i bashkonte veprimtaria për çlirimin e vendit.

“Epoka e re”: Si e shpjegoni faktin se, siç del edhe nga motoja që përmendët më lartë, qëllimi i LPK-së ka qenë “bashkimi me vendin amë, Shqipërinë socialiste”.

Bardhyl Mahmuti: Shqiptarët që mbetën në kuadër të tri republikave të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë diskriminoheshin nga komunistët serbë, maqedonas, malazezë mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare. Prandaj kërkesa për republikë në kundër të kësaj federate socialiste ishte krijimi i republikës për të hequr diskriminimin kombëtar që ushtrohej ndaj nesh dhe nuk kishte të bënte me funksionimin ideologjik të shtetit socialist jugosllav. Është plotësisht e natyrshme se në një kontekst historik ku në mesin e shumë shteteve të tjera të Europës Qendrore, Juglindore dhe Lindore edhe Jugosllavia dhe Shqipëria ishin vende ku partitë komuniste kishin pushtetin, bashkimi me Shqipërinë socialiste shihej si e vetmja mundësi për heqjen e plotë të diskriminimit kombëtar. Synimi politik i LPK-së për t’u bashkuar me vendin amë ka qenë i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në Shqipëri. Çështja e pushteteve në Shqipëri nuk e ka përcaktuar orientimin ideologjik të LPK-së: synimi për t’u bashkuar me shtetin amë në kohën kur Shqipëria udhëhiqej nga komunistët nuk e bën LPK-në organizatë të orientimit të majtë, siç nuk e bën as të orientimit të djathtë duke ruajtur të njëjtin synim edhe gjatë kohës kur, pas përmbysjes së regjimit komunist, në pushtet erdhi e djathta. Në kohën kur shqiptarët shtypeshin “djathtas”, “majtas” dhe “në qendër”, ndasitë ideologjike “e djathtë”, “e majtë” dhe “e qendrës” çonin ujë në mullirin e armikut!

No description available.

Foto: Shtëpia e veprimtarit Fatmir Maliq Brajshori, në Kodrën e Trimave, në Prishtinë, ku u mbajt Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së dhe ku u vendos të kalohej në fazën e organizimit të luftës së armatosur.

“Epoka e re”: A ka pasur në mesin e veprimtarëve të LPK-së të tillë që kanë glorifikuar figurën e Enver Hoxhës?

Bardhyl Mahmuti: Ka kaluar gati gjysmë shekulli nga periudha për të cilën flasim dhe ndodh të ketë të tillë që nuk e dinë se Shqipëria ishte e vetmja shpresë ku ëndërronim të gjenim përkrahjen për çlirim nga thundrat jugosllave. Të gjithë adhuruesit e Enver Hoxhës e kanë dashur për shkak të kësaj shprese dhe kanë mundur të jenë shumë të paktë ata që ta kanë lavdëruar për angazhimet komuniste.

“Epoka e re”: Enver Hoxha ka zhvilluar një luftë të ashpër klasore në Shqipëri. Si mund të pajtohet orientimi i LPK-së për të lënë në heshtje dallimet klasore dhe fetare brenda kombit shqiptar me qëndrimin zyrtar të Shqipërisë socialiste?

Bardhyl Mahmuti: Atë që theksoni ju është plotësisht e saktë. Në rrafshin e brendshëm fatkeqësisht Partia e Punës ka zhvilluar një luftë të ashpër klasore dhe kundër religjioneve në funksion të qëllimit për të arritur një shoqëri pa klasa dhe pa fe që ka lënë pasoja shumë të mëdha për kohezionin kombëtar. Ndërsa në raport me shqiptarët që jetonin jashtë Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, strategjia ka qenë e kundërt: kultivimi i atdhedashurisë dhe bashkimi rreth aspiratave kombëtare si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Epoka e re”: Ku e mbështetni pohimin e tillë?

Bardhyl Mahmuti: Po përmend vetëm kremtimin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kremtimi i periudhës së krijimit të shteteve kombëtare në këtë pjesë të Europës Juglindore ka një rëndësi të madhe për arsye se aktualizoji aspiratën për bashkimin në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar të territoreve shqiptare që gjatë sundimit të Perandorisë Otomane ishin të shpërndara në katër njësi administrative (vilajete).  Me qindra shkrime që trajtonin rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, udhëheqësit e së cilës kishin shtruar për herë të parë programin politik për themelimin e shtetit shqiptar në tërësinë territoriale ku banonin shqiptarët. Me qindra poezi, pjesë teatrale, këngë, romane, piktura, skulptura dhe vepra të fushave të ndryshme iu kushtuan kësaj periudhe historike.  Emërues i përbashkët i të gjitha veprave në fjalë ishte unifikimi kombëtar duke lënë anash ndasitë e ndryshme që na karakterizonin si komb.

“Epoka e re”: Me cilin shembull konkret mund ta ilustroni këtë që thoni?

Bardhyl Mahmuti: Edhe në një rast tjetër e kam theksuar se gjeneratës që ishte në ballë të Pranverës së Madhe ’81 i kujtohet se nga të gjitha veprat shkencore dhe të krijimtarisë artistike të asaj dekade, kënga “Xhamadani i trimërisë” u shndërrua në emblemë, që këndohej si të ishte himn kombëtar. Po rikujtoj se fjalia kryesore e kësaj kënge theksonte se “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”! (…) Mjafton të thuhet se nuk mund të gjendet shembull më i bukur i ideologjisë kombëtare, se ky rast, ku fshihen të gjitha dallimet klasore, ideologjike, rajonale, fetare, gjinore dhe futen në një kategori: të gjithë shqiptarët janë një!”

(Muhamet Mavraj / Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me…