Po të ishte në jetë sot, Dr. Fatmir Fazliu do t’i mbushte 60 vjet

07 janar 2026 | 18:04

Sot do të shënonte 60-vjetorin e lindjes Dr. Fatmir Fazliu, mjek dhe veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare, i cili u zhduk me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe për fatin e të cilit familja ende nuk ka asnjë informacion.

Me këtë rast, djali i tij, Lorik Fazlija, ka ndarë një mesazh emocional kushtuar babait të tij, duke kujtuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, popullatën civile dhe mbarë kombin shqiptar.

“Babë, sot do t’i mbushje 60 vjet. Një moshë në të cilën shumica e shokëve të tu janë ende gjallë dhe me shëndet. Ti arrite të festoje vetëm pak më shumë se gjysmën e tyre; vitet e tjera për ne u mbushën me lavdi, por edhe me dhimbje”, ka shkruar Loriku.

Ai ka theksuar se madhështia e veprës së Dr. Fatmir Fazliut do të trashëgohet brez pas brezi, duke nënvizuar shërbimin e tij me nder dhe respekt ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatës civile që nga fillimi i viteve ’90 e deri në prill të vitit 1999.

“Që nga prilli i vitit 1999 e deri më sot, Serbia fashiste dhe kriminale ende nuk na e ka dorëzuar trupin tënd, që së paku të kemi një varr ku të prehesh i qetë”, shkruan më tej ai.

Lorik Fazlija shprehet se, edhe pse nuk pati mundësinë t’ia urojë ditëlindjen sa ishte gjallë, Dr. Fatmir Fazliu do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në kujtesën dhe zemrat e familjes së tij.

Dr. Fatmir Fazliu u arrestua në prill të vitit 1999 nga policia serbe dhe që nga ajo kohë konsiderohet i zhdukur. Deri më sot, familja Fazlija nuk ka asnjë informacion për fatin apo vendvarrimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Lokale “Kuzhina Qendrore”, Asdren Osaj, ka…