‘Po tentohet të delegjitimohen’, avokatët reagojnë pasi Specialja sulmoi Clarkun dhe Rubinin
Prokuroria e Specializuar në Hagë ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e disa prej dëshmitarëve ndërkombëtarë që kanë dëshmuar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale
Në dosjen finale të dorëzuar në gjykatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka cilësuar ish-Komandantin e NATO-s, Wesley Clark, dhe ish-diplomatin amerikan, James Rubin, si dëshmitarë “të njëanshëm”, “të pabesueshëm” dhe të ndikuar nga raportet personale ku ata përshkruhen si “miq të ngushtë të Hashim Thaçit”.
Njohësit e ligjit këto pretendime të prokurorisë i kanë cilësuar si përpjekje të dështuara për të delegjitimuar dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes dhe për të zbehur peshën e dëshmive që, sipas tyre, kanë rrëzuar në thelb pretendimet e aktakuzës.
Madje sipas tyre këto dëshmi kanë qenë në përputhje me rrethanat e luftës dhe me provat e tjera të paraqitura para trupit gjykues, duke sfiduar pretendimet e Prokurorisë lidhur me strukturën komanduese dhe kontrollin efektiv të UÇK-së.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Qerkini në një intervistë për gazetën “Metro” ka deklaruar se këta dëshmitarë kanë qenë pjesë direkte e zhvillimeve gjatë luftës në Kosovë dhe kanë pasur qasje në informacionet më të rëndësishme ndërkombëtare të asaj kohe.
Por sipas tij, prokuroria po sulmon e dëshmitarëve ndërkombëtarë si Wesley Clark dhe James Rubin duke ngritur dyshime për tentim se po ndërtohet një narrativë e njëanshme
“Kur një prokurori fillon të sulmojë kredibilitetin e dëshmitarëve ndërkombëtarë si Wesley Clark dhe James Rubin, lind pyetja serioze: a po kërkohet drejtësia apo po tentohet të ndërtohet një narrativë e njëanshme? Këta njerëz nuk kanë folur nga thashethemet apo propaganda. Ata kanë qenë pjesë direkte e zhvillimeve gjatë luftës në Kosovë dhe kanë pasur qasje në informacionet më të rëndësishme ndërkombëtare të asaj kohe. NATO nuk ndërhyri pa arsye, por pas dokumentimit të vazhdueshëm të krimeve, dëbimeve dhe represionit të regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ka deklaruar Qerkini.
Kritik është treguar edhe avokati Arbër Jashari, i cili është shprehur se “nuk mund t’i quash “miq” njerëzit e z. Thaçi, me të cilët ai ka pasur bashkëpunim në momente të caktuara historike dhe marrëdhënie qoftë diplomatike, qoftë ushtarake” duke iu referuar pretendimeve të Speciales.
Sipas Jasharit pretendimet e Prokurorisë Speciale në Hagë janë përpjekje e dështuar e tyre pas debaklit që kanë pësuar si rezultat i dëshmive.
Dëshmitë e Wesley Clark dhe James Rubin si të tilla sipas avokatit Jashari i përjashtojnë nga përgjegjësia penale Thaçin dhe të tjerët.
“Janë përpjekje që t’i delegjitimojnë dëshmitarët e Speciales që kanë qenë në favor të mbrojtjes dhe kundër aktakuzës së Prokurorisë, duke u munduar që dëshmitë e tyre të mos merren në konsideratë nga Dhomat e Specializuara. Nuk mund t’i quash ‘miq’ njerëzit e z. Thaçi, me të cilët ai ka pasur bashkëpunim në momente të caktuara historike dhe marrëdhënie qoftë diplomatike, qoftë ushtarake. Kjo është një marrëdhënie që i përket karakterit të punës së z. Thaçi. Z. Thaçi nuk i ka ruajtur bagëtitë me ta që t’i ketë miq, siç pretendon Prokuroria. Ajo që është më e rëndësishme është se dëshmitë e tyre janë objektive, në përputhje me faktet e tjera dhe me rrethanat në të cilat është zhvilluar lufta në Kosovë. Kjo duhet të jetë e rëndësishme për trupin gjykues dhe dëshmitë e këtyre personave duhet të shikohen në këtë prizëm. Ajo që ka thënë Prokuroria është një përpjekje e dështuar e tyre pas debaklit që kanë pësuar si rezultat i dëshmive të tyre të cilat për me i përmbledh, kanë thënë se UÇK-ja nuk ka qenë një forcë e strukturuar që ka ushtruar kontroll efektiv dhe se Hashim Thaçi dhe të tjerët nuk kanë pasur kontroll efektiv as mbi zonën e as mbi dëshmitarët. Nuk ka pasur as një vijë të qartë komanduese apo hierarki në UÇK. Plus, UÇK-ja ka operuar në rrethana lufte dhe kjo i përjashton ata nga përgjegjësia penale ndaj çfarëdo vepre penale për të cilën akuzohen se ka ndodhur gjatë luftës”, ka thënë avokati Jashari për “Metro”.
Qëndrim të njëjtë shpreh edhe avokati Ardian Bajraktari ku sipas tij reagimet e prokurorisë kanë ardhur pikërisht për shkak të ndikimit që këto dëshmi kanë pasur në procesin gjyqësor
Ai ka vlerësuar se dëshmitë e tyre kanë pasur peshë të madhe në proces dhe kanë ekspozuar dobësitë e aktakuzës.
“Përtej autoritetit dhe kredibilitetit që bartin këto personalitete, dëshmitë e tyre goditën në themel tezat e Prokurorisë dhe ekspozuan dobësitë e aktakuzës”, ka theksuar Bajraktari.



