Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj drejtorit të Spitalit të Mitrovicës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.
Në vend të paraburgimit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa do të zbatohet nga Stacioni Policor në Vushtrri, i cili është obliguar të monitorojë respektimin e saj dhe ta njoftojë menjëherë gjykatën në rast të ndonjë shkeljeje.
Gjykata ka vlerësuar se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Në arsyetimin e vendimit është bërë e ditur se i dyshuari dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare. Po ashtu, arresti shtëpiak është caktuar në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.



