Podujeva nuk është më bastion i LDK-së

19 shkurt 2020 | 17:23

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur optimizëm për fitore në zgjedhjet e 15 marsit.

Ai ka deklaruar se zgjedhjet e fundit kombëtare kanë treguar se kjo komunë nuk është më bastion i asnjë partie politike. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bulliqi është shprehur i bindur se në këtë garë do ta marrë besimin për ta qeverisur Komunën e Podujevës.

“Mendoj se koha e bastioneve ka kaluar në Kosovë. Tanimë asnjë komunë nuk mund të llogaritet se është bastion i këtij apo atij subjekti politik. Ju e dini se në zgjedhjet e fundit nacionale në komunën tonë dallimi në mes të LDK-së dhe LV-së ka qenë  mbi 1 000 vota. Prandaj, në këtë aspekt mendoj se më nuk mund ta quajmë Podujevën si bastion të një partie, nëse diferenca mes këtyre dy subjekteve politike është mbi 1 000 vota. Sigurisht se gjatë fushatës do të angazhohemi fuqishëm që në radhë të parë ta marrim besimin e qytetarëve dhe këtë besim të qytetarëve pastaj ta shndërrojmë në punë dhe angazhime që janë në interes të qytetarëve të Podujevës”, ka thënë ai.

Bulliqi ka bërë me dije se gjatë fushatës zgjedhore i mbetet vetëm ta prezantojë programin e tij para qytetarëve të kësaj komune.

“Unë kam besim të plotë që besimi i qytetarëve të Podujevës nuk do të mungojë për programin tonë dhe për mbështetjen e Lëvizjes Vendvendosje dhe për mua si kandidat për kryetar të kësaj komune. Tashmë nuk kemi dilema në këtë aspekt. Na mbetet që gjatë kësaj kohe të afrohemi sa më tepër te qytetari, t’i japim sqarimet konkrete se cili është vizioni ynë për qeverisjen lokale. Ndërsa përkrahja e qytetarëve nuk do të mungojë në këtë aspekt”, është shprehur Bulliqi.

Ai ka treguar se në programin të tij përfshinë  të gjitha fushat që janë me interes për Komunën e Podujevës. Kandidati i LV-së për kryetar të kësaj komune ka thënë se synon depolitizimin e shërbyesve publikë.

“Epoka e re”: Z. Bulliqi, pse vendoset të kandidoni për kryetar të Komunës së Podujevës?
Bulliqi: Janë një sërë arsyesh pse kam vendosur t’i hyj kësaj gare. Së pari, ka qenë kërkesa e qytetarëve të Llapit që të kthehen në këtë komunë dhe ta jap kontributin tim në këtë periudhë kohore në Llap. Opinioni e di se për një kohë të gjatë kam punuar në këtë komunë. Për shtatë vjet e gjysmë kam udhëhequr Drejtorinë e Arsimit dhe gjatë asaj kohe kemi bërë shumë punë të mira. Së dyti, ishte kërkesë edhe e strukturave partiake. Pas një gare të brendshme zgjedhore, kam marrë mbi 95 për qind të votave të gjithë anëtarësisë për të qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Podujevës. Gjithashtu, ka qenë vullneti dhe dëshira që të kontribuoj në ndaljen e keqqeverisjes gjatë kësaj periudhe kohore në këtë komunë. Pra, ta sjellim ndryshimin e pushtetit lokal në Komunën e Podujevës.

 “Epoka e re”: Cilat do të jenë pikat kryesore të programit tuaj me të cilin do të garoni?
Bulliqi: Programi ynë do të mbështetet në të gjitha fushat që janë me interes lokal. Do të fillojmë nga administrata, ku planifikojmë të ndërtojmë një administratë publike profesionale, të paanshme, të përgjegjshme dhe e cila respekton procedurat ligjore. Në fushën e administratës synojmë që të kemi shërbime inovative dhe të digjitalizuara. Brenda administratës do të përpiqemi të vendosim aplikacione të reja siç është e-rekrutimi i stafit për të gjitha pozitat e lira në nivel komunal. Për shkak të interesave të qytetarëve, planifikojmë ta zgjerojmë rrjetin e shërbimeve të ndryshme në pjesë të ndryshme të qytetit me e-kioskë. Në fushën e arsimit kemi planifikuar të bëjmë disa reforma, të cilat është dashur të bëhen edhe më herët. Ne kemi për qëllim që t’i ikim bazës partiake të rekrutimit të stafit në këtë fushë, në mënyrë që të kemi shkolla me staf profesional dhe të depolitizuar. Tani fushën e arsimit e kemi shumë të politizuar, duke filluar prej zgjedhjes së drejtorëve të shkollave dhe vazhdohet me stafin tjetër profesional. Synojmë t’i pajisim shkollat me kabinete dhe laboratorë në mënyrë që të zhvillohet mësimi praktik në lëndët ekzakte. Ndërkaq, në fushën e ekonomisë dhe bujqësisë, mendojmë të bëjmë mbështetje buxhetore për kreditimin e bizneseve prodhuese. Në shëndetësi, mendojmë të ofrojmë shërbime shëndetësore cilësore, pa pritje të gjata të qytetarëve, duke synuar të avancohen shërbimet e ndryshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në qendrat që janë jashtë qytetit të Podujevës. Kemi qëllim ta bëjmë funksionalizimin e objektit të spitalit të qytetit, sepse çështja e këtij spitali të qytetit është bërë sikurse ajo Ura e Shenjtë që sa vite flitet për të, por nuk është realizuar asnjëherë. Mendoj se gjatë mandatit tonë do ta realizojmë atë. Një interes të veçantë do t’i kushtojmë rritjes së stafit profesional shëndetësor, sepse kemi shumë Qendra të Mjekësisë Familjare, sidomos ato nëpër fshatra, në të cilat ka mungesë të stafit profesional mjekësor. Po ashtu, kemi menduar edhe për funksionalizimin e shërbimit të patronazhit, i cili do të ishte shumë i rëndësishëm për zonat e thella rurale, por edhe për kategorinë e popullatës që ka nevojë për këto ndihma në aspektin shëndetësor. Në urbanizëm dhe ambient planifikojmë të realizojmë një sërë veprimesh, duke krijuar hartat zonale në bashkëpunim me qytetarët dhe ekspertët e këtyre fushave, në mënyrë që të bëjmë një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik e shoqëror të komunës sonë. Infrastruktura, po ashtu, është një prej fushave që ne do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë. Këtu përfshihet dhe rregullimi i rrugëve në pjesë urbane dhe në ato rurale. Sigurisht se nuk do të bëjmë veprime çfarë kemi parë deri më tani, ku për çdo vit kalendarik është investuar në një rrugë dhe më pas është prishur i njëjti investim. Programi ynë parasheh që t’i kushtojmë një kujdes të veçantë edhe kulturës, rinisë, sportit e kështu më radhë.

“Epoka e re”: Sa sfiduese do të jetë gara juaj kur dihet se Komuna e Podujevës është një bastion i LDK-së? Prej pasluftës vetëm kjo parti ka qeverisur?
Bulliqi: Mendoj se koha e bastioneve ka kaluar në Kosovë. Tanimë asnjë komunë nuk mund të llogaritet se është bastion i këtij apo atij subjekti politik. Ju e dini se në zgjedhjet e fundit nacionale në komunën tonë dallimi mes LDK-së dhe LV-së ka qenë  mbi 1 000 vota. Prandaj, në këtë aspekt mendoj se më nuk mund ta quajmë Podujevën bastion të një partie, nëse diferenca mes këtyre dy subjekteve politike është mbi 1 000 vota. Sigurisht se gjatë fushatës do të angazhohemi fuqishëm që në radhë të parë ta marrim besimin e qytetarëve dhe këtë besim të qytetarëve pastaj ta shndërrojmë në punë dhe angazhime që janë në interes të qytetarëve të Podujevës.

“Epoka e re”: Pra, jeni optimist se do ta thyeni bastionin e LDK-së?
Bulliqi: Unë kam besim të plotë që besimi i qytetarëve të Podujevës nuk do të mungojë për programin tonë dhe për mbështetjen e Lëvizjes Vendvendosje dhe për mua si kandidat për kryetar të kësaj komune. Tashmë nuk kemi dilema në këtë aspekt. Na mbetet që gjatë kësaj kohe të afrohemi sa më tepër te qytetari, t’i japim sqarimet konkrete se cili është vizioni ynë për qeverisjen lokale. Ndërsa, përkrahja e qytetarëve nuk do të mungojë në këtë aspekt.

“Epoka e re”: Përballja kryesore në zgjedhjet e 15 marsit pritet të jetë mes juve dhe kandidatit të LDK-së. Kjo përballje, a mund të ndikojë në koalicionin qeverisës qendror në mes të LV-së dhe LDK-së?
Bulliqi: Ne do të garojmë për zgjedhjet lokale. Ndërsa LV-ja dhe LDK-ja kanë bërë koalicion për nivelin nacional, shpresoj shumë se koalicioni LV-LDK të jetë funksional dhe do ta luajë rolin për të cilin është krijuar. Ndërsa, në nivelin lokal, ne nuk kemi ndonjë obligim ndaj njëra-tjetrës, sepse jemi subjekte të ndara dhe garojmë në kushte të barabarta. Sigurisht se qytetarët ditën e zgjedhjeve do të votojnë për kandidatin që mendojnë se është më i miri për ta.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se…