Poetika e perceptimit estetik

06 nëntor 2025 | 07:48

Sadik Krasniqi

Bujar Salihu, Linga e heshtjes, Armagedoni, Prishtinë, 2020

Letërsia e mërgimit është një segment i veçantë i letër­sisë së përgjithshme shqipe. Përfaqësues i denjë i këtij segmenti është edhe poeti Bujar Salihu, që jeton, vepron dhe shkruan në Zvicër, e që vjen para lexuesve me librin e katërt poetik.

Librin e ri me poezi Linga e heshtjes të poetit Bujar Salihu e kuptojmë si shestim autorial për libër jubilar. Në poezinë Në vend të pasthënies autori shprehet:

Dhe tani më në fund pas gati njëzet vjetësh

Duket se u shkrua libri që nuk po shkruhej.

Libri jubilar mendohet gjithherë si libër jetësor, e të tillë libra konceptohen, konstruktohen, stilizohen e poeti­zohen gjatë dhe me durim. Lirisht mund të themi se autori e ka përmbushur këtë synim, madje në të gjitha aspektet. Gramatika e të folurit sintaksor, morfologjik e fonetik te poezitë është maksimalisht e kujdesshme. Prandaj kon­strukti i strofës dhe i vargut ka një koherencë të ritmit met­rik. Përmbajtja e lëndës poetike në këtë vëllim me poezi është e begatshme, me tema e motive të gjera dhe të lar­mishme. Në qasjen e tyre poeti ka një intuitë fenomenale të perceptimit. Ky perceptim përshndërrohet në frymë­zim. Perceptimi i autorit është sublimim estetik. Sublimimi estetik konsiston në transcendencë figurative të një poe­tike të veçantë.

Linga e heshtjes është një libër tërësisht metaforik. Vetë titulli i librit është një metaforë e bukur. Konotativja estetike në këtë përmbledhje me poezi konceptohet për­mes simbolikës së numrit shtatë, duke u shtrirë në shtatë kapituj.

Libri nis me një përkushtim ndaj mësuesit që i dha dritë autorit, por që iku në një ditë qershori me shi. Pas perdes së këtij përkushtimi vjen, paraprakisht, motopoezia.

Linga e heshtjes është edhe metapoezi. Kjo metapoezi metaforike është palimpsest për muzën, frymëzimin dhe vetë librin. Parapoezia diskursive shfaq ardhjen e librit. Pesë katrenat e kësaj poezie, përmes formës së një gjysmë­harku, simbolizojnë ecjen e frymëzimit të këtij libri. Pra, në këtë vizivitet shohim fillim, mekje e rifillim.

i dha jetë lingës së heshtur,

asaj që s´po më bëzante qe sa vjet, – thotë poeti.

Madje lënda poetike fillon përmes shtatë akteve seman­tike-semiotike: Shtatë herë Shkupi, Lule mbi oqean, Shtatë letra, Shtatë harqe urash, Shtatë pamje dhe një legjendë, Shtatë nuk janë më dhe E bardhë dhe e pafajshme.

Cikli i parë ka temë sinorin etnik. Sinori etnik është topo­nomastikë (Shqipëria, Nishi, Shkupi, Mitrovica, Kosova) dhe antroponimi figurative (babai, Sali Çeku, vëlla Lulëzimi, Albana, e të gjitha këta në mjegull dhe me diellin e vonuar, ofshan poeti. Në poezinë Kosova vjen në shprehje meto­nimia panteonike për figurat kulminante të sinorit etnik: altruizmi – Hasan Prishtina, trimëria – Shotë Galica, vetë­mohimi – Adem Demaçi, urtësia – Ibrahim Rugova, sakri­fica – Adem Jashari.

Cikli Lulet mbi oqean është rekuiem i përvajshëm për më të dashurit e afërt: atin, axhën, Petrit Sherifin, por edhe për dallëndyshen. Vetë titulli i ciklit është një metonimi asociative: lulet si homazhe mbi dhembjen e madhe me përmasa oqeanike. Ndërsa poezia Aritmetika e pritjes është matematikë estetike, Mos ik është një psalm lavdie, kurse Skeleti i dallëndyshes sime është poezi anto­logjike, me një introspektivitet reflektiv në formë bise­dore si:

A s’ishim marrë vesh

Urën e hijeve

Bashkë ta kalonim.

Dita jote e fundit është poezi evokative për babanë, e shkruar me një përjetim të thellë autorial dhe me aftësinë e bartjes së këtij përjetimi edhe te lexuesi. Poeti këtë cikël e realizon përmes ndjesisë lirike, me metafora të gjetura për këtë atmosferë zymtësie, si: arkivol qelqi, pasqyrë e zezë, oqean akullnajash, gjëmë e engjëjve, pupla qyqesh, ura e hijeve etj.

Shtatë letrat dhe Shtatë harqe urash janë dy cikle dedi­kuese. Shtatë letrat është një dialog poetik kushtuar arti­stit, poetit, strategut, personalitetit të shquar të kohës dhe heroit të lirisë së Kosovës, Agim Ramadanit. Në këtë dialog lirik himnizohet shëmbëlltyra e heroit përmes meta­forave monumentale. si: aureola e katanës, plejadë kometash, himn flijimi, shtizë filigrani etj. Në këtë dialog hasim një thyerje emocionale të subjektit lirik dhe kalimin tek ironia. Kjo shpreh revoltë ndaj keqpërdorimit të lirisë, ndaj poeti shprehet:

Sa mirë e sa gëzim qenka me të harruar robëria

Sa keq qenka me lirinë tënde mos me qenë i lumtur,

Dhe kudo Arbërisë të shohësh duke çelur lule të zeza.

Cikli Shtatë harqe urash u përkushtohet gjashtë figu­rave të shquara të kulturës dhe letërsisë shqipe: Nolit, Koni­cës, Podrimjes, Kadaresë, Shkrelit dhe Shaip Beqirit. Këto figura mbeten mentorë për poetin, që me hirësinë e tyre frymëzojnë poezinë e tij. Cikli mbyllet me harkun e shtatë, i titulluar Poezia, që mund të merret edhe si meto­nimi letrare e që bie si aurorë mbi shtatë harqet. Këto personazhe të këtij cikli lirik mvishen bukur me epitete metaforike, si analogji të vetive dhe cilësive intelektuale dhe njerëzore të tyre.

Shtatë pamjet dhe një legjendë janë elipsa lirike aso­ciative. Koherenca e tyre semantike (e bardha-erosi, e zeza – tanatosi) realizohet përmes oksimoronit sentencial.

Veshje solemne e virgjëreshës

e bardha.

U lidh si cengë

Në kokë mërzie

Shtizë e thyer,

Zi

e zeza

Në numerologjinë simbolike të numrit shtatë, si ekui­valencë për shtatë ngjyrat e ylberi, Bujar Salihu hyn për­mes një ezoterie semiotike kontekstuale apo edhe perso­nale. Inventiviteti i tij poetik te kjo përmbledhje poezish shquhet nga kontrasti figurativ, nga i cili krijohet meta­morfoza alkimiste. Nuancat e ngjyrave metamorfozohen në sende, fenomene e ndijime, si: e bardha në kristal, e zeza në cengë për kokë mërzie, e përhirta në vjeshtë stepash, e gjelbra në ekstazë dhe mërzi, e kaltra në gjumë pasionesh, e kuqja në vallëzim siluetash, e verdha në lulen e vetmisë. Me anë të përshkallëzimit imagjinar, këto ngjy­rime poeti i shndërron në legjendë, madje në hyjni dhe profeci:

Një hyjneshë i mori të gjitha bashkë

Vuani e gëzohuni bashkë me to

Se një ditë sytë do i mbyllni e s’i shihni më

Poezitë e ciklit Shtatë nuk janë më janë raporte emo­cionale të poetit ndaj njerëzve, gjërave, objekteve që e rrethojnë, siç janë nëna, fëmijët, qershia, shtëpia, farkë­tari, pulëbardha, gjarpri i shtëpisë, dallëndyshja, buka etj. Këto poezi janë këngë të përmallshme të poetit, nga jeta prej mërgimtari.

Nënë, u bënë 30 vjet

Që po shkruaj nga kjo natë e huaj.

Yje përmbasur

Poezia Buka si një “apoteozë misri” migjenian, na sjell ndër mend konstatimin e Umberto Ekos, se librat flasin mes tyre, me apo pa vetëdijen e autorit. Themi kështu ngaqë kjo poezi e bukur e Bujarit ka një përafri tematike e motivore me poezinë e Martin Camajt për kultin ndaj shenjtërisë së bukës, por gjithsesi duke ruajtur origjinali­tetin narrativ të tij.

Buka është e shenjtë bir

Po të ra në tokë,

Përulu merre puthe e ngrije sa më lart

Kurrë mos e shkel as mos e përmbys,

Se na mallkon Zoti e na lë pa të

Më thoshte Nëna plakë, – thotë poeti i këtij libri, ndërsa Martin Camaj shprehet:

Dy gjana print më than’ kur ishin gjallë:

-Po qe se e shkel ti bukën gand

Çoje prej dheut e puthe e vene në ball’.

Cikli i fundit, E bardhë dhe e pafajshme, më së shumti ka poezi, por edhe figura stilistike e poetike. Këtë poetit ia mundëson lirika e tij e pasur, e çiltër dhe pasionante për dashurinë kushtuar bashkëshortes së tij. Për Bujarin, dashuria është Eza antike, është frymë, etje, vaji plot dënesa, shigjetë e Artemidës, përflakje, baladë, dritë shpirti, kate­drale e kaltër, Penelopë e diellit, partiturë e heshtur, vesë ëndrre etj.

Bujar Salihu arsenalin figurativ te ky cikël lirik-erotik e krijon me një mjeshtri befasuese. Për këtë veti të autorit mjafton të merret si shembull poezia antologjike Fryma jote, kushtuar Valbonës. Poeti, simboleve konvencionale që janë emra, u bashkëngjet epitete, me të cilat krijon metafora të bukura kontekstuale dhe konceptuale, si: shi i vakët, degëza të gjalla, dritë e virgjër, trëndafil i çelur në baladë, kalorës klithmash, stërkala shtati, flakë e pafikur, qershi kristali, faqehënë, dritë e flakë etj., si dhe oksimo­ronet: përroskë etjesh, dielli i zi, errësirë e bardhë etje.

Duke lexuar këtë libër, përgjithësisht dedikues, si dhe vargun e poezisë së fundit: Në vend të pasthënies: ky është një fragment i shkurtër i librit të shpirtit, na vijnë ndër mend Dazajni dhe Hajdegeri.

“Është një poezi e bukur, lirikë e pastër, me kulturë gjuhësore dhe shtresime dijesh autoriale, me denduri tropesh e figurash stilistike, ku dominojnë metafora, oksi­moroni e ironia”, shprehet poeti dhe kritiku i shquar, Adem Gashi, gjatë përurimit të këtij libri në Prishtinë.

Ndaj këtë vështrim do ta përfundoja me fjalët e botuesit të këtij libri, Berat Dakaj: “Lexojini të gjitha poezitë e këtij libri, por mos harroni t’i lexoni dy herë poezitë: Dita jote e fundit, Buka, Eja të pajtohemi, Veshkat e vyshkura, Hija e qershisë, S’e mbajte premtimin, E përvajshme, Puthje, Mbrëmë, Në vend të pasthënies, madje t’i mësoni përmendsh, sepse fjalët, fjalitë, figurat, temat dhe motivet e tyre ju duhen shumë në jetën e përditshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rexhep Isufi Letërsia shqipe e Kosovës gjatë dekadave të fundit…