Poetika e reflektimeve emocionale

11 nëntor 2025 | 08:16

Sadik Krasniqi

Salih H. Haliti, Merr pak frymë nga fryma ime, Shoqata e Shkrimtarëve ‘Jakup Ceraja’, Mirovicë, 2019

Libri i autorit Salih H. Haliti është i dyti me radhë me poezi pas të parit me titull Ëndërrim diellor. Duke u nisur nga titulli i librit Merr pak frymë nga fryma ime, titull i formuluar me anë të një fjalie, është njëherësh edhe një metaforë poetike.

Fraza titullore, merr pak frymë nga fryma ime, konoton në një raport emocional ndërnjerëzor si domosdoshmëri jete. Nevoja e të marrit frymë nga fryma, realisht tregon një rast akut, por që poeti e shndërron në permanencë jetësie. Të gjithë lëndën poetike poeti Salih Haliti e este­tizon përmes situatave, ngjarjeve, gjendjeve, imazheve, mirazheve, të gjitha këto si kujtime, përjetime e vizione. Poetika e librit Merr pak frymë nga fryma ime është rea­lizuar përmes një sërë figurash poetike brenda një struk­ture strofike me vargje të rregullta të rimuara, që tingë­llojnë bukur. Prosedeu i librit është strukturuar përmes tetë nënndarjeve të titulluar bukur metaforikisht si: Gjëma e gjuhës, Kurorë yjesh, Në globin e vetmisë, Fijet e shpirtit, Tingull i mbyllur, Tri lule për ty, Jargë patriotike dhe Legjendare. Cikli i parë Gjëma e gjuhës përfshin poe­zitë me një tematikë që nga stërlashtësia pellazge deri tek e sotmja. Cikli fillon me poezinë Gjëma e gjuhës pellazge që është një himn për paragjuhën shqipe. Himn ky me ngjyrime solemne dhe madhështore me përmasa të një gjeografie të gjerë dhe një historie të lashtë: Kjo gjuhë e bukur dhe e lashtë – gjuhë hyjnore e Zotit, – shprehet poeti.

Në këtë cikël kemi perceptim, reflektim e përsiatje të autorit për situata dhe çaste të ndryshme në kohë dhe hapësirë. Poezitë e realizuara bukur në këtë kaptinë janë: gjëma e gjuhës pellazge, shkrumb kënge, kur kalërojnë ëndrrat, pikë loti etj.

Poezitë e ciklit Kurorë yjesh janë poezi kryesisht përku­shtimore, kushtuar figurave të ndritshme kombëtare si Isa Boletinit, Bec Sinanit, Dem Ahmetit, Shën Nënë Tere­zës, Azem Bejtës apo siç e quan poeti Princi i Arbanisë, Shaban Palluzhës, Abedin Rexhës, Izbicës, Ramadan Dra­gës, Miradije Ahmetit si dhe Çamërisë. Duke qenë të ndjeshme këto poezi, shpesh kanë nuanca baladike.

Me gjithë ndjeshmërinë, këto personalitete historike përshkruhen përmes figurave poetike me epitete, kraha­sime e hiperbola:

Sa herë të dhemb krahrori që të kanë coptuar,

klithma jote planetare Godet zemrën e malluar shpre­het poeti për Çamërinë.

Te Globi i vetmisë janë një tufë poezish me ngjyrime të përmallta të një mërgimtari, andaj edhe vetë titujt janë një mveshje e bukur metaforike si rrugë e humbur, guri dhe rrënjët, vragë malli, glob vetmie etj.

Këto poezi përmbajtësisht dhe metaforikisht përjetë­sojnë përmallimin e mërgimtarit.

Fijet e shpirtit është një cikël i bukur erotik. Erosin poeti ua atribuon të rinjve dhe botës së tyre të zhuritur nga dashuria. Koha e dashurisë te këto poezi përjetësohet, që nga koha e dashurisë epike e Penelopës deri te dashuria personale kushtuar gruas. Tingull i mbyllur përbëhet vetëm prej dy poezive, që janë një intermeco me një pamje të bukur nga deti.

Jargë patriotike është cikli i fundit në të cilin përfshi­hen poezitë me tematikë nga realiteti aktual i njerëzve dhe dukurive të deformuara. Ndaj këtyre fenomeneve të shëmtuara autori ka një qëndrim kritik. Kjo kritikë shoqë­rohet me ironi të thellë deri në parodi. Përgjithësisht libri Merr pak frymë nga fryma ime është shkruar bukur, me kujdes dhe një durim prej një poeti të matur dhe të vetë­dijshëm për aktin krijues.

Tematika dhe motivorja janë të shumëllojshme. Në këtë libër gjejmë gjetje të bukura poetike të realizuara për­mes figurave të ndryshme poetike si: epiteti, krahasimi, personifikimi, metonimia, por më së shpeshti sintagma të bukura metaforike si: shkrumb kënge, gjëma e gjuhës, kurorë yjesh, damar gjaku, eshkë e djegur, ashk shpirti, pikë loti, xixa shprese, glob vetmie, vragë malli, fije e shpirtit, valle e zjarrtë, ura e ndezur, emblema e rrejshme, kurorë mjegulle etj. Kjo poetikë semiotike koordinohet bukur në shërbim të semantikës së motiveve dhe temave të lëndës si poezi në këtë libër. Poezia në këtë libër struk­turohet përmes vargjeve të rregullta me një konstant ritmike, kryesisht me vargje të rimuara, të cilat kanë ritëm me intonacion të bukur dhe harmonik. E gjithë poezia e kësaj përmbledhje realizohet me një gjuhë të pasur për­mes një leksiku fjalësh mjaft të shumta si nga gjuha e uni­suar, por edhe nga varianti i gegërishtes.

Kjo larmi tingëllon bukur.

Libri Merr pak frymë nga fryma ime karakterizohet edhe për bashkëngjitjen e këngës kreshnike Te kisha e kuqe, në ciklin e veçantë Legjendare. Këngës kreshnike i paraprin një sqarim autorial i poetit, me të cilin na bën të njohur me unikalitetin e këngës, e cila është kënduar nga Sak Hamit Haliti (gjyshi i poetit), këngë kjo që është mbaj­tur në mend nga vetë poeti dhe e rishkruar në mënyrë origjinale. Kënga është tipike nga ato të ciklit të kreshni­këve, me personazhet legjendarë Mujin dhe Halilin dhe bëmat e tyre. Në krahasim me këngët e tjera të këtij cikli, këtu i gjejmë disa veçori të natyrës poetike.

Duke parë pasionin e poetit Halit Hamiti për llojin e këtyre këngëve, si dhe përgjithësisht për letërsinë popu­llore e asaj artistike të Rilindjes, lehtë hetohet ndikimi i poetikës së tyre në poetikën e vargjeve të dy librave të tij me poezi.

Natyrisht që ky ndikim pasuron figuracionin e poezisë te ky autor, por që në të ardhmen, me gjithë këtë adhurim ndaj tyre, autori duhet ta ketë parasysh ngritjen e indivi­dualitetit të tij krijues në librat vijues. Për këtë i dëshi­rojmë shumë suksese poetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 18 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit…