Poetikë e mrekullisë dhe e tmerrit metafizik të jetës së përditshme

14 maj 17:23

Analizë e dramave të Haqif Mulliqit

Prof. dr. Nebi Islami

Përkitazi me kompletin e dramave të Haqif Mulliqit botuar nga Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”

Në tri dekadat e fundit Haqif Mulliqi (1960 ), aktualisht pedagog universitar, është zhvilluar me një flurudhë intensive në një personalitet krijues poliedrik si dramaturg, regjisor, studiues, kritik i dramës publicist dhe eseist. Është i lindur në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka mbaruar në Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Arteve n ë drejtimin e dramaturgjisë në Prishtinë në vitin 1999. Është magjistruar në Fakultetin Filologjik të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe ka doktoruar në fushën e antropologjisë së dramës në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Opusi krijues i Haqif Mulliqit në fushën e dramaturgjisë është i vëllimshëm, heterogjen dhe shumështresor, andaj si për rrallë ndonjë krijues bashkëkohor aktualisht mund të flitet jo vetëm për dramën por për dramaturgjinë e tij sepse është duke lënë gjurmë të fuqishme në vetëdijen artistike si dhe në vetëdijen letrare në hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Ai është njëri ndër krijuesit më produktiv të dramës, autori më i inskenuar pas Luftës në tërë hapësirën kombëtare i cili është afirmuar edhe në arenën e skenës ndërkombëtare në Evropën perëndimore, lindore dhe në skenën e lindjes së mesme. Gjer më tani ka shkruar 19 drama, ndër të cilat: Katër epoletat, The Kosowars, Trenat, Një varr për majorin e mbretit, Gjakova një luftë ndryshe, Si e mposhta Mussolinin, Komedia, Kaos atdhedashurie në Paris, Komemorativisht, Sistola, Parfumeria, Përralla klaustrofobike, Dramë për mua Mirjam dhe Sandrin, Asgjë veç Xhuzepes, Maksi dhe Kimi apo takimi pas 21vjetësh. Me këtë shkrim do të flasim fluturimthi për veçantitë e tërësisë së këtij opusi aq të begatshëm. Në poetikën e kësaj dramaturgjie, tematikën dhe motivet krijuese ku, Haqif Mulliqi gërsheton linjat e formacioneve dhe drejtimeve të ndryshme stilistike të shndërruara në tërësi përmbajtjesore në formë të sintezave moderne, kryesisht me rrjedha e ritme të ekzistencës bashkëkohore.

Drama me tematika dhe motivet që përshkojnë gjithë linjën e veprimit

Në dramat fillestare, Haqif Mulliqi, i është qasur temës së parapëlqyer të ekzistencialistëve, të tjetërsimit të njeriut, të shtresave shoqërore dhe të zvetënimit të humanizmit dhe të sfidave të rënda që lidhin të kaluarën me të tashmen dhe që mund të kenë pasoja për të ardhmen. Në këtë kontekst ekzistenca si determinuese e fatit në dramën Katër epoletat lëvizë drejt natyralizmit psikologjik me të cilin universalizohet dhe stigmatizohet antimilitarizmi si përgjithësim artistik, ideoestetik e filozofik në një hapësirë e gjendje ku realiteti objektiv dhe realiteti artistik shkrihen në fantazmagori dhe situata absurdi të përmbushura me ankth, pesimizëm dhe gjendje halucinante të personazheve të Alfadorit dhe Betadorit, dy gjeneralëve të dy taborreve kundërshtare që jetojnë diku në thellësi të një murane të qytetit të shkatërruar shumë vite pasi ka përfunduar lufta me pasoja shkatërrimtare. Komunikimi ndërmjet këtyre dy kipcave dinamik në mënyrë të shkëlqyer shpreh absurdin, anakroninë, prapavijën dhe esencën inkriminuese të njëmendësisë së totalitarizmit, ideatorët apo ekzekutuesit e të cilit shkelin mbi kufoma për të cilat personazhet vet shprehen se e tmerrojnë edhe vet Zotin në qiell. Por, lufta ka krijuar tipa militant si ata të cilët mendojnë se ajo duhet të vazhdojë deri në pafundësi. Lufta i ka bërë ata kriminelë të pa ndjenja, me arsye të errësuar, grindavecë e primitiv, të krekosur e mburravec por në esencë frikacak sepse të ushqyer reciprokisht e halucinojnë dhe thërrasin Grajetin e verbër që lëvizë andej duke menduar se si spiun e ka dërguar armiku. Ata urrejnë njëri tjetri por janë të predestinuar të jenë së bashku andaj kur Betadori ateist dëshiron ta vrasë Alfadorin, megjithëkëtë vrapon e përqafon si mik dhe e lutë që të mos e bëjë këtë. Nga ky rreth magjik nuk mund të dalin gjer sa arrin Grajeti për t’i marrë që është vet vdekja të cilën e kanë mbijetuar deri në këtë çast duke e thirrur, mbjellë dhe shkaktuar tërë jetës.

Në disa drama të tjera, tematika dhe motivet vështrojnë kolizione në formë trysnie që përshkon gjithë linjën e veprimit, për t’u shfaqur zgjidhja tek në fund të tyre, e plotë dhe domethënëse (The Kosowars, Përralla klaustrofobike); në ndonjë dramë tjetër fabula jepet e përshkuar me dykuptimësi si te Komemorativisht, kurse disa janë të fokusuara në linjën e demistifikimit të së ligës, të djallëzive dhe gënjeshtrave ideologjike që si pasojë kanë sjellë lakimin e kurrizit, duke prodhuar lakej servil, dhe të mjeruar moral si në dramën Si e mposhta Mussolinin në të cilën kryepersonazhi Bardh Bregu me shpirt të pastër e i sinqertë dhe i pa ideologji vepron krejtësisht në mënyrë spontane pa e dëmtuar askë dhe vetëm pse ka identitet e pëson me familje dhe më në fund vritet nga miqtë e dikurshëm që tentojnë t’i fshehin gjurmët e turpit dhe të krimit duke u vënë në shërbim të armiqve të njerëzve të vet. Në këtë dramë si rrallë në dramaturgjinë tonë zhvishet plotësisht gënjeshtra ideologjike e pushtetit dogmatik e totalitar me martirizimin e Bardhit për të cilin versioni zyrtar shpallet se: …. u gjet varur në qelinë numër 3 se aktin e kreu në Çastin e krizës dhe se. . . hetimet vazhdojnë.

Analiza të thella të dukurive, gjendje dhe të situatave me diskurs të realizmit dhe shprehje të bukura artistike

Haqif Mulliqi është anticipator i absurdit të kohëve moderne i cili me mjeshtri nxjerrë në syprinë antinominë e sjelljeve kundrejt veprimeve në kuadër të lëvizjeve mondiale (botërore) ku në vend se të ngadhënjejë e mira dhe e virtytshmja mbizotëron errësimi i vetëdijes kolektive tragjikja dhe fatalja, ndërsa e mira e dikurshme njerëzve të pafajshëm u kthehet në mënyrë mizore me mosmirënjohje, me të liga, krime të personifikuara sidomos në dramat ( Trenat, 2002 dhe Gjakova një luftë ndryshe, 2004).

Në poetikat e disa dramave tjera bie në sy ndjesia për të marrë në mbrojtje viktimat e luftës, sakrificat e të cilëve për lirinë shpërdorohen nga spekulimet e përfituesve nga të ata që luftën nuk e fitojnë por që nga lufta përfitojnë duke rrëmbyer pushtetin me çdo lloj mjeti të mundshëm (Një përkujtim në kafe-teatër). Në disa të tjera ai fshikullon me kritikën e ashpër ndaj ideologjive që ushqejnë dhunën, histerinë dhe diferencimet nacionale (The Kosowars) dhe kurajon afrinë ndërmjet njerëzve me sinqeritet e vullnet të mirë pa dallim etniteti. Në këtë këndvështrim, autori Mulliqi, ironizon, godet dhe shprehë averzion ndaj elitave militare dhe ideologjike që thurin plane satanike duke shkaktuar gjakderdhje, tragjedi dhe katastrofa sociale e humanitare. Ai analizon me thellësi dukuri, gjendje dhe situata me diskurs të realizmit, me shprehje të bukura artistike, me figura, me trope, me parabola, e shëmbëllime duke depërtuar në etiologjinë dhe shkaktarët realë të rrëmujave dhe të çrregullimit të harmonisë së natyrshme ndërmjet njerëzve dhe në formë vizioni flet për ilaçet duke u angazhuar për fisnikërim të individit dhe kolektiviteteve e etnive. Idetë e tij përshkohen nga humanizmi në ç‘drejtim angazhohet për pacifizimin e vetëdijes në kuptim të mirëkuptimit, të ruajtjes së vlerave autentike të njerëzve dhe popujve.

Struktura përmbajtjesore e dramave të Haqif Mulliqit karakterizohet me numër relativisht të pakët të personazheve, që i shërbejnë si çelës që në detaje të ngërthejë ngjarje, fenomene, gjendje dhe situata tejet të tensionuara, karaktere të ndërlikuara me tipare rrëqethëse përmes konflikteve të ashpra dhe zgjidhjeve të papritura të mbështetura e të qëndrueshme në ligjësitë doktrinore dramaturgjike-skenike. Kjo vlen sidomos për diadramat në të cilat është identifikuar si njëri ndër mjeshtrit më të mëdhenj të dramaturgjisë shqiptare. Në to ndjehet fuqishëm tensionimi që lëvizë drejt kulmit apo niset nga kulmi dhe zgjidhet në formë tejet dramatike përmes anktheve, mynxyrave dhe përmes veprimit duke spikatur qartë dhe me argumente cilësitë e karaktereve qofshin ato statike apo në transformim duke i shkrirë dhe harmonizuar me gjendjet e krijuara.

  1. Mulliqi, me mjeshtri, krijon kontrapunkte ndërmjet gjendjeve neurotike, herë të ngulfatura, në dukje të qeta e latente e herë ekspresive përmes shpërthimeve me të cila arrin kulmin e dramaticitetit.

Tipar i rëndësishëm poetikave dramaturgjike të Haqif Mulliqit mbetet gjurmimi, anticipimi dhe artikulimi i etiologjisë lidhur me gjenezën e problemit në vështrim që gjen zgjidhje përmes kontrapunktit fillim-mbarim, (shembulli i dramës The Kosowars, 2004) kur personazhet që personifikojnë dy ideologji, dy gjendje historikisht kundërshtime (Ushtari serb dhe Ushtari shqiptar që vijnë nga SHBA për t’u ndihmuar të vetëve) nga dialogu i mllefosur që shprehë një konflikt për jetë a vdekje gradualisht zbuten duke ndjerë floskulën ideologjike si prapavijë të tërë tragjedisë dhe kalojnë në dialogun më të njerëzishëm me të cilin autori vë në spikamë se megjithatë dielli mund të ngrohë për të gjithë, duke nënkuptuar reciprokisht domosdonë e jetës në paqe pranë njëri tjetrit të etniteteve historikisht të armiqësuara dhe njëherësh nxjerrë në syprinë mitin destruktiv dhe politik për pushtimin e hapësirës së huaj jetësore në një anë, dhe në anën tjetër të drejtën legjitime për ta mbrojtur hapësirën historike të kërcënuar me shfarosje.

Situatat dramatike te Mulliqi mbindërtohen, edhe në dramat e tjera të tij, përmes dialogut bazik me elemente narrativ me të cilat krijohet fabula. Elementi narrativ në këto drama assesi nuk e zvetënon forcën e veprimit, dramaticitetin e konfliktit dhe konstruktin e karakterit të personazheve. Kjo, ngase, ngjarja në to, gjithnjë, është në shërbim të pozitës së personazheve, të identitetit si dhe të efektit dramatik të shumëfishuar (Një varr për majorin e mbretit, Si e mposhta Mussolinin, etj. )

Në disa raste Haqif Mulliqi, në dramat e tija, i ka përmbysur skemat e fabulës së traditës përmes konfliktit dhe kontrapunktit duke u koncentruar (në thelbin e çështjes) in media res në gjendjet e traumës kur strukturën përmbajtjesore e mbindërton përmes reflektimit të subkoshiencës (Përralla klaustrofobike, Komemorativisht) si gjendje shpirtërore e cila e ndihmon vetëdijen për t’u ngritur më lartë dhe për të demistifikuar dukuritë dhe bartësit e tyre.

Drama që ngërthejnë tërësi të mirëfillta letrare me të gjitha atributet e letërsisë bashkëkohore

Siç u theksua këtu, tematika dhe motivet e dramës së Haqif Mulliqit në mënyrë ekskluzive ngërthejnë në vete jetën dhe njeriun urban në vorbullën e ritmeve shumëdimensionale të jetës bashkëkohore, apo pasojat e së kaluarës në shpirtin dhe vetëdijen e njeriut aktual. Nga ky këndvështrim autori ka krijuar poetikën e mrekullive dhe të tmerreve metafizike të jetës së përditshme tejet të universalizuar, ku individi edhe me prirje më të veçanta ruan në vete në formë latente, apo të haptë, relikt filogjenetike përmes ontologjisë si rekapitullim të rrugëtimit nëpër ekzistencë. Kështu, ky autor, ka ndërtuar poetikë komplekse me ide, shumëkuptimësi, mesazhe dhe vizione që mëtojnë fisnikërimin e shpirtit dhe përballimin e shtresëzimeve negative të ndërgjegjes dhe vetëdijes.

Ndërkaq, krahas vlerave të çmueshme skenike, këto drama ngërthejnë tërësi të mirëfillta letrare të qëndrueshme me të gjitha atributet e letërsisë bashkëkohore të formacioneve të ndryshme stilistike me thekse të ekspresionizmit, të surrealizmit dhe të realizmit integral me plotë fluidë postromantike në formë të simbolizimeve, rrezatimeve asociative e të pasqyrimit të absurdit e paradokseve brenda jetës reale të cilat në brendësi fshehin mistere që zbulohen në mënyrë intuitive përmes realitetit të besueshëm dhe të qëndrueshëm artistik.

Tjetërsimi, frustrimi, shqetësimet shpirtërore nga jeta e vrazhdët, konfliktet e brendshme të përshkuara me ankthe, turbullimi arsyes dhe shpërthimi emocional ekspresiv shpërfaqen sidomos në dramën Parfumeria (2002). Tematika e saj shtjellohet në frymën e filozofisë pozitiviste të konstatimit të gjendjes dhe pasojave përmes personazheve të Brutit dhe Spajsit, të cilët, ndonëse të konsumuar, të senilizuar dhe të atrofizuar, në prag të përfundimit të jetës shprehin tërë afshin dhe dëshirën për t’iu gëzuar asaj dhe me inerci rinore, plotë nostalgji e sentimentalizëm rrëfejnë për të kaluarën. Ata e dashurojnë të dy zonjushën e imagjinuar Meri. Zotërinjtë lëngojnë nga dhimbje fizike dhe shpirtërore dhe nga ky këndvështrim e personifikojnë jetën edhe si të tillë të mundshme e cila aktualisht ndër ne po merr gjithnjë e më tepër tipare të tilla. Drama prandaj merret me këtë aspekt të dialektik të përgjithësuar bukur në pikëpamje ideoestetike dhe filozofike. Skenat janë pak komike dhe shumë tragjike të artikuluara bukur përmes dialogëve dhe situatave traumatike të dy pleqve në një azil të cilët përmes digresioneve, zënkave apo komunikimit miqësor shprehin gjakimet e jetës në përfundim si dashurinë, xhelozinë dhe egot e tyre, etj. Përfundimi tingëllon si zë kushtrimi për më tepër kujdes për njeriun në nevojë, për humanizim dhe fisnikërim të jetës në dinamikën rrëqethëse të ritmeve të zhvillimeve urbane të metropolit.

Temës së ngjashme të jetës në azil i është kthyer në dramën e karaktereve dhe të situatave Përrallë klaustrofobike tani më të vendosur në ambientin aktual me temë psikologjike përplot rrezatime asociative në të cilin realiteti artistik procedon ankthin, mungesën e lirisë së individit, kundërshtitë dhe pengesat për sendërtimin e gjakimeve si dhe sfidat dhe përvojat që mund të nxirren nga ritmet e dinamikës jetësore që nxjerrë në margjina kategori të caktuara njerëzish. Veprimi i dramës zhvillohet përmes një intrige në dukje të thjeshtë e cila ndërlikohet duke individualizuar shpirtin e personazheve dhe shqetësimet e tyre. Ndonëse përfundon me zgjidhje të hareshme të çastit, dramën e përshkon nota e melodramatike, nostalgjike, sentimentale dhe tragjike e jetës së paplotësuar në moshën e rekapitullimit të së kaluarës së personazheve.

Struktura përmbajtjesore e dramës vijuese Dramë për mua, Mirjam dhe Sandrin ngërthen një temë të ndërlikuar që shtrihet deri në skutat e psikologjizmit të errët morbid dhe si shëmbëllim i dramaticitetit të ankthshëm të poetikës së Dostojevskit, në të cilën inkriminimi, përkatësisht fshehja e krimit zbulohet përmes gjendjeve shpirtërore, nebulozave, halucinacioneve dhe subkoshiencës së kryepersonazhit Lonit i cili ka gjymtuar një njeri, ka shkatërruar një familje dhe ëndrrën e tyre jetësore. Është një realitet artistik me primesa surreale ku nga një anë aksidentalizmi dhe nga ana tjetër në formë hetimi nxjerrin në pah tragjedinë e dyanshme si të Lonit ashtu edhe të Mirjam e Sandrit. Padyshim, kjo dramë është ndër dramat me intrigën me të sofistikuar të tërë opusit dramatik të Haqif Mulliqit.

Pas shumë vjetësh të aksidentit, rasti e bënë që Loni të gjendet në një lagje si qiraxhinj së bashku me bashkëshortët e vrarë së gjalli Mirjam e Sandri i cili vegjeton në karrigen e invalidit e bile edhe të komunikojë. Loni që është fajtorë për këtë tragjedi nga se ka fshehur krimin do të komunikojë në ëndrrën e tij, në ethet që merr nga bronkiti kur i dëbuar nga qiradhënësi takohet me Mirjam e Sandrin, kur i vardiset Mirjamit e cila e zbulon se ky ka qenë shkaktari i tragjedisë. Nga jermi somnambulë, Zoti Ivanaj ku jeton Loni do ta ketë një pasqyrë të mjegulluar mbi një ngjarje që nuk i përket dhe që ia rekonstrukton Lonit kur zgjohet nga kllapia. Krimi mbetet i fshehur si njollë në ndërgjegjen e tij, ndërsa familja Mirjam e Sandri vazhdojnë të vegjetojnë. Drama shquhet me tension dhe konflikt të brendshëm marramendës dhe mbetet njëra ndër strukturat skenike tejet atraktive.

Në dramën Asgjë përveç Gjuzepes autori i është kthyer sërish temës së fatalititetit njerëzor, çasteve tragjike të rekapitullimit të jetës nga pozita e përfundimit të ciklit të jetës fizike me një strukturë melodramatike tragjike të familjes së pasendërtuar për shkak të një aksidenti para më se 30 vjetësh kur Gjoni ka humbur fëmijën në një aksident trafiku dhe tërë jetën me bashkëshorten Andronikën e kanë kaluar me dhimbje dhe me fajësimin reciprok të vetvetes për paaftësinë e tejkalimit të çastit të lig fatal. Gjoni është në fundin e jetës në një azil, Andronika ka vdekur ndërsa ai krejtësisht senil pret me dhimbje e dëshirë të zjarrtë që t’i kthehet Gjuzepe dhe në mënyrë ciklike në vetmi bisedon me Andronikën, ndërsa gjatë kohës në përkujdesje me kujdestaren e azilit për pleq, Kristinën, duke evokuar të kaluarën, dhimbjet, aspiratat e dikurshme, ëndrrat e bukura, dështimin dhe tragjedinë. Drama ka intrigë interesante, dialogë të sofistikuar dhe rrezaton përvojë të përgjithshme njerëzore mbi të mundshmen dhe realitetin.

Ndërsa drama e Maksi dhe Kimi, apo takimi pas 21 vjetësh ngërthen strukturën përmbajtjesore psikologjike të tipit të trilerit kriminalistik me zhvillim rrëqethës të situatave në të cilat zbulohen dhe individualizohen karakteret e personazheve të kohëve aktuale të jetës urbane.

Në një aksident para 21 vjetësh arsimtari dhe piktori Kimi i cili nuk i është përgjigjur reflektimit erotik të një adoleshenteje është akuzuar pa të drejtë dhe ka mbajtur 2 vite në burg ndërsa Maksi mik i dikurshëm i tij si operativ hetues me prirje simpatie për Kimin së pari ka lejuar të ndëshkohet dhe pastaj e ka nxjerr me vonesë si të pafajshëm duke dëshmuar se vajza e ka akuzuar pa të drejtë për dhunim por miqësia e tyre është rrënuar dhe më nuk kanë komunikuar. Në ndërkohë vajza që e kishte akuzuar Melania duke kaluar nga dora në dorë është shndërruar në kurtizane nëpër metropolet evropiane dhe më në fund i është kthyer Kimit i cili nuk ka mundur t’i përballojë tundimit duke u bërë pre e pasionit dhe duke e toleruar që kohë pas ko0he ta braktiste e t’i kthehej bile edhe duke e lejuar vet siç ndodhë rasti me një arab që ia rrëmben parasysh dhe kur ngopet ia kthen. Kimi me ndjenja të brishta artisti nuk ka fuqi të shkëputet prej saj, përkundrazi e adhuron dhe jetën e ka të plotë vetëm në praninë e saj. Por një natë pas një orgjie në mëngjes e gjenë të masakruar në vaskë dhe i trishtuar pa masë nuk gjen rrugëdalje pos ta thërras ish mikun Maksin. Drama fillon me kthimin e Maksit dhe shtjellohet përmes dialogëve dhe situatave dramatike tensionuese, konfliktuoze dhe patetike mbi të kaluarën dhe zhvillimet nëpër periudhën 21 vjeçare, në fund të së cilës Maksi me prirje krejtësisht të panatyrshme e shfaqë haptë personalitetin duke treguar se nga xhelozia e sëmurë ka ardhur dhe ka masakruar Melaninë sepse krejt kohën ka ëndërruar që jetën ta kalojë me Kimin të cilin përpiqet ta ngacmojë seksualisht por i refuzuar fillon të kacafytet dhe aksidentalisht bie në majën e thikës duke u vetëvrarë. Edhe këtu krimi mbetet i pasqaruar sepse me autorët e tij vdesin edhe dëshmitë ndërsa Kimi mbetet dëshmitar i vetmuar tragjik mbi të cilin mund të bjerë dyshimi për krimin e dyfishtë.

Dramaturgjia e Haqif Mulliqit art që e begaton thesarin e kulturës sonë dramaturgjike skenike

Në poetikën dramaturgjike të Haqif Mulliqit, padyshim, vend shumë me rëndësi zë kultura gjuhësore që përshkon veprën. Dramat e tij operojnë me një leksik tejet të pasur me figura, trope, frazeologji sentenca, fjalë të urta e të rralla nga thesari i gjuhës (sidomos nga gegnishtja), por pa e cenuar asnjëherë standardin dhe duke dëshmuar se përmes tij tani më kemi identifikuar vitalitetin e kulturës dhe qytetërimit.

Nga thekset e mësipërme mund të nxirren vlerësime dhe gjykime të argumentuara se dramaturgjia e Haqif Mulliqit begaton thesarin e kulturës sonë dramaturgjike skenike si dhe të logosit letrar sepse rezulton nga një imagjinatë tejet e pasur që përkapë tema të ndërlikuara nga sfera të ndryshme të ekzistencës, sepse me argumente tipizon situata, gjendje e dukuri dhe bënë individualizimin analitik kompleks të karaktere si veçanti të individit dhe të veçorive etnopsikologjike të kolektivit duke sjellë njohuri dhe informata të çmueshme me të cilat zgjeron horizontin tonë të kulturës dhe thellimin e dijeve.

Lajme të sponsorizuara