Recension për librin “Reflektime në kohë krize”

18 maj 2026 | 14:24

Prof. dr. Xheladin Murati

Libri “Reflektime në kohë krize”, me një titull shumë domethënës, i përgatitur nga autori  Ardian Ramadani, vjen në kohën e duhur ku shoshiten prob­lematika dhe trajtesa shumë të dobishme. Autori e ka ndarë librin në dy kapituj.

Në kapitullin e parë ai vë në pah problemet që kanë të bëjnë me publicistikën dhe analiza të problemeve të natyrave të ndryshme.

Në kapitullin e dytë trajtohen probleme nga më të ndryshmet, si: shoqërore, kulturore, politike, kombë­tare dhe artistike.

Nga pena e shkruar e tij mund të konstatoj se libri më i ri i Ramadanit ngërthen sendërtimin e reales me anë të shprehjes artistike, ku autori mendimet, preo­kupimet e ndjenjat e veta i shpreh me ndjenjën e ngrohtë, me frymë përgjegjësie dhe realiteti, me diçka të bukur e fisnike, me atë që ndikon thellë në ndjenjat e lexuesit.

Libri ka qëllim të qartë dhe konkret, të përcaktuar dhe të definuar, të cilin autori e respekton në tërësi si nga aspekti i elaborimit teorik, po ashtu edhe nga ai praktik.

Krijimtaria publicistike, analitike e informuese është forma sublime e artit të shkruar, në të cilën gjuha dhe pena e autorit zbatohet për shtjellimin dhe kuptimin e problematikave, shqetësimeve, sfidave, duke arritur të bëjë në mënyrë estetike shkrirjen e të menduarit në fjalën e shkruar. Estetika, si disiplinë, që merret me natyrën dhe shprehjen e së bukurës në krijimtari, si teori e vlerësimit, e që studion vlerat shoqërore dhe cakton standarde, si normë obliguese e krijuesit në art, është reflektuar plotësisht në krijimtarinë publi­cistike e letrare të këtij libri “Reflektime në kohë krize”.

Në punën krijuese dhe veprimtarinë kreative të autorit Ardian Ramadani, është bërë një rreshtim, një radhitje, një organizim i ideve që vendos funksio­nalitetin dhe humanizmin e plotë të mendimit dhe të shprehjes. Imagjinata krijuese e  autorit në këtë libër ka bërë formësimin  e përmbajtjeve e formave publi­cistike e letrare të shprehura në mënyrën më të ngje­shur të mundshme.

Vepra e z. Ramadani është shprehje e mendimit të lirë. Kjo shprehje, sa e lehtë aq edhe e gjerë, në kompozicion ka mundësuar që tekstet e shkruara të tij të jenë shpërthyese dhe shumë më tepër racio­nale. Pastaj, brenda trungut të copëzave publicistike dhe letrare reflektohet larmia e modelimeve, që lidhen me artistiken në kompozicion, ku fjala shfaqet si opsion dhe reflekton konstruktin e veprës.

Stili i trajtimit të materialit në libër është i lehtë dhe pse autori trajton probleme qenësore  shoqërore  me gjuhë shkencore.

Përmbajtja dhe struktura e këtij libri me aktua­litetin që ka dhe me rekomandimet e udhëzimet që jep është në funksion të përparimit të punës  dhe jetës shoqërore.

Me këtë vepër pasurohet literatura publicistike dhe letrare, me hollësi dhe të dhëna që ndriçojnë  probleme të ndryshme shoqërore.

Duke pasur parasysh arsyetimin e lartshënuar dhe përpunimin e problemeve që ka bërë autori në këtë libër, si dhe duke pasur parasysh nevojën dhe munge­sën çdoherë për një literaturë të këtillë siç janë kënd­vështrimet, analizat politike, kombëtare, historike, artistike, patriotike, historike e të ngjashme, dhe nga ana tjetër duke nisur nga suksesi i trajtimit dhe aktualitetit të temave të larmishme nga jeta reale, ngjarjet e ndodhitë në ambiente të ndryshme sociale, theksoj se ky libër është begati dhe pasuri për bib­liotekat tona, si dhe është në funksion të përndritjes shoqërore dhe individuale të lexuesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentja dhe kandidatja për pozitën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,…