Poezi nga Adelbert von Chamisso
Adelbert von Chamisso
Dashuri e tradhtuar
Ne putheshim natën, e dashur,
Askurrë njeri nuk na pa;
Veç yjet na shihnin nga qielli,
Ne kishim besim tek ata.
Po ja që një yll i këputur
Në det i tregoi gjithë ç’pa;
Dhe deti me rremën se ç’foli
Ajo peshkatarit ia tha.
Dhe vetë pastaj peshkatari
Së dashurës me këngë ia tha;
Sot djem e vajza e këndojnë
Në sheshe dhe rrugë të mëdha.
* * *
Kthehet që larg prej vendeve të huaja
Tronditur thellë në shpirt të tij, mërgimtari;
Lë pranë shkopin e përkulet
Dhe prehrin lag me lot të heshtur,
O nënë Gjermani! – Për kaq shumë dashuri
Plotësoja vetëm një lutje:
Kur i lodhur në mbrëmje t’i mbyllen sytë,
Në truallin tënd një gur lëre të gjejë
Që të mbështesë kokën për të fjetur.
Invalidi në çmendinë
Lajpcig! Lajpcig! Vend i prapë,
Turp ç’padrejtësi na le.
Liri! – klithnim, para, përpara!
Pive gjakun tim, përse?
Liri! – klithja, përpara, përpara!
Ç’nuk beson një budalla!
Nga goditje e rëndë shpate
Koka dyshas mend m’u nda.
Rashë unë dhe beteja
Kobëzezë shkoi si zjarr,
Përmbi mua, mbi kufomat,
Zbriti nata me acar.
Dhe më zgjoi një dhimbje e tmerrshme,
Ndërsa plaga përvëlon;
Tani rri i lidhur, shtrirë,
Roja te koka vigjëlon.
Me inat klith për lirinë,
Blerë shtrenjt, aq fort, me gjak,
Por vjen roja dhe qetësinë
Ma kthen prapë me dajak.
Shqipëroi: Petraq Kolevica



