Poezi nga Musa Ramadani

02 qershor 2025 | 08:39

MUSA RAMADANI

DASHURIA DHE DIÇ TJETËR

 

Së pari

 

Dritën për ta takuar mësyjmë

Drita sytë e urët na i lëbyrë

 

Dremitemi…

 

Pastaj

 

Zërin për ta nxënë nisemi

Zëri veshët e natës na i shpon

 

Shurdhohemi…

 

Dikur

 

Fjalën prap për ta urtuar kthehemi

Fjala e gishta na miklon

Dehemi…

Së fundi

 

Në djep t’kohës përpëlitemi

Përpelitemi e ndoshta zgjohemi

 

Zgjohemi…

 

FTESA IME

 

Nëse ëndërron shtekun  e lotit

Në nulimin e vonë t’ksaj vere dinake

Gjurmat memece ku i braktise

 

Zgjohu

Udhëtimi është vdekje po nuk quhet kthim!

 

Nëse sogjon pëllumbat e leçitur

Qiellit të dehur prej reve murrake

Lojën e harruar duke vazhduar prap

 

Nisu

Vendnumrimi bëhet sëmundje po nuk quhet pritje!

 

Nëse përgjon arien e ndarjes sonë

 

Fushave t’shpirtit që si shtiza gandon

Për një mëkat atë mesnate që bëmë

 

Kthehu

Se vetmia m’blindoi posi mordje në gjumë!

 

EDHE PO, EDHE JO

 

Largësia

Ura vigane e mallit tonë

Largësia që m’i humbi sytë

Ato gurra t’pashterura vaji

Për një pamundësi

Dashuri, –

Kështu i thonë qysh ndër mote

Ëndrrës e cila tani mbet gjysmake

Mashtrim i kohës për të kaluar

Pikëllim

I njeriut nesër t’harruar cok

Ndër emra që pahetueshëm shlyhen vetë

Ku ngelet për ngushëllim (athua?) vetëm

Një spiegim:

Largësia!

 

NJËRA, QË NDOSHTA NUK ISHTE

 

(Humbjes sime, S. O.)

 

Unë

Matësi i zotuar i kohës dinake

Madhoj çastet e ditëkremtes së vonuar

Unë

Gjersa pres ndërrimin e stinëve t’fjetura në mua…

 

Por – kot:

Fjala ime tani s’është ideja ime

Loti im nuk është zhgënjimi im

As dashuria ime nuk dashuron më

Zot,

Ja ku po shoh se gjithçka u tjetërsua:

Kujtimi po zhduket si mjegull memece

Dashuria po shteret si pus i truar

Qentë po lehin urës sate gjer ke unë

Zjarret po fiken nga zjarrfikësit e paparë

Ujërat po ndalen nga pendat e pangrehura

Të mjerët,

Mendja na largoi, zemra na përfyti

Largësia na varroi, koha na përmbyti.

 

NEXHMIJE QUHET KJO POEZI

Bylbylit të Kosovës

 

Një ditë

Zogu vari veten pse këngën e harroi

Bjeshka sharroi n’tokë pse ushtimën e shkundi

Lumi qau djepin pse rrjedhën e ndërroi

Fyelli ja theu gishtat pronarit pse e humbi

Një ditë

Pasi në hije e para me dritën u ndërrua!

Tani përditë

Nexhmije – vajton zogu n’mëngjez,

Nexhmije – rënkon lumi n’mesditë

Nexhmije – gjëmon bjeshka pa shpresë

Nexhmije – thërret bjeshka pa shpresë

Nexhmije – thërret fyelli përditë

Përditë

Pasi një lule n’melodi natyrën e zgjoi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adem Gashi Lajmi për vdekjen e Xhemës erdhi i ftohtë,…