Poezi nga Ramadan Mehmeti

09 qershor 2026 | 08:34

 MAKTH

O malli im, hap duart e gëzo këtë shi që presim gjatë

Si ëndrra e parë, si sythi në secilën degë të besimit të madh

Ah, ky det që turfullon furtunës së mendimit të hapur

Të mos e harroj puthjen, pranverën e blerimit të flaktë

Atë buzëqeshjen tënde shoh ngado, gonxhe gëzimi të rrallë

Krua i lashtë, të mos venitet asnjëherë një lule e parë

I vetmi stacion që kaluam menjëherë

E në sportelin e saj nuk nxorëm dot një biletë

Qe pritja jonë e gjatë. Lumi i gufuar, ky mall

Këtë stacion pritjeje e quajta dhe D’Ark

Shën Mëri, Tringë, Bubulinë

Bulëza, Ane-Mari

E prapë çdoherë qe veçse dashuri

Makthi i ëndrrës më nxirrte flakë në ethe

Zjarri duke përpëlitur, duke prekur e duke mikluar emrin tënd

Bini, orë të tëra, përplasuni mbi tokë

Por, asgjë s’ka kuptim, pa gjëkafshë nga ato që dua

Tepeleku i kokës i lot perëndisë për ty dhe për mua

 

HIJE E ZEZË

 

Momenti kur ciku i natës u bë mesditë tmerri

Dhe qielli i prerë me gërshërë metali të farkëtarit

Si do të dalë dielli, pas ikjes që s’do të donte ajo

Në ditarin tim orën pastroj me gjak dhe shkëlqen

Akrepat, ngrirë fort, ngulen si tri thika zemrës sime

Hija e zezë e vrerit, gjarpër i bardhë i lirisë së tij

E po mbes peng i tiktakut kohe vargu të rëndë

Po dhemb sa shumë fletët e mbledhura me pranga

Ditar që s’ndal vajin kurrë, as kur të mos jem më

Errësira që më kaplon shkronjat, s’do t’i sundojë dot

Kujtimi më tërheq para, dora-dorës ha tim shpirt

Më shumë se që më ha flaka

Dua të eci mbrapshtë dhe ti më vjen pas

Rrugët para meje ikin dhe rrugët prapa më qepen

E duhet të shtrydh mbi këto kujtime qiellin

Ty, tërë notat e ikjes së ujërave të kësaj toke tatëpjetë

Nga strehë zemre pikon shushurimë e shiut

Përmbytem si kurrë më keq në të, të mos pushojë, jo

Pikat litar më presin si shpatë, vetëm të mos ndalen sot

Të mos venitet lulja e mbirë secilës gjurmë të vjetër

Dhe shoh dorën e brigjeve pranë, shtrirë drejt meje

 

ZJARR

 

Etja nuk shuhet pranë dallgëve të detit

Pranë puhisë që i miklon jargavanit degët lehtë

Nuk shuhet para syve mbetur hapur

E kodra rrënohet atje, lumi ndalet nuk ecën tutje

Nëpër xhamat e avulluar shihet shpirti si plas

Se mos në jetë erdha unë kurorë e dashurisë, ashtu gand

Apo se ti ëndrrave të mia mbolle kot tërë këtë bar

Këto lule, këta drurë, këto gurgullima lumenjsh

Tash shoh buzmin e zi në vatër që flet me time hije

E trajtën e parë të etjes kthen në ujitje të mallëngjimit

Këtu s’ka lojë, humbës apo fitimtarë, jemi pranverë

Që gjithçka buis me blerimin e kthyer, nënë lulëzimi

Të të pyes, ku je? Ti do të më pyesësh pse s’jam aty

Kjo natë dhe hungërimat e saj të hanë vetveten

Të mos i ndërrojnë çerdhet zogjtë

E në natën e shtatë të varrit të shkruhen epigrame

Zvarrë sjellim shkronjat, deri te pllakat epigramike

Kur vuan guri e druri, nuk ka zemër të vetmuar

As gjarpri i shtëpisë nuk ndërron lëkurë stine

Më e mira lule në livadh më ka mbetur syri yt

Ti s’je e ikur dhe hija jote më sjell kundërmim

Të një të dashure gjithë mëndafsh, fildish, skofi

Duhej të ishe këtyre rrugëve me mua tok

Tash njoh mizorinë e qiejve pse tradhtojnë etje

Zjarr shpirti, uri e ëndërr shpëtimtare të njerëzimit

 

PARA TEJE ËNDËRROJ

 

Sikur asgjë s’ka ikur e asgjë s’ka mbetur

Ti duhet qenë pranë, ashtu si të di unë

Lumi të nxitojë tatëpjetë, shiu bimët të miklojë

Harrimi s’je ti dhe piktura je ti, i gjallë shpirti im

Çdo gjë po ndërroi ngjyrë, prapë të kërkoj ty

Prandaj dashuria pyet, a mungon uji, zjarri, udha

E përpiqet po ajo, “nëse nata vjen përsëri

Me një dhembje tjetër përjetë njëri-tjetrin duam”

Jemi, jo me vetminë e gjetheve të verdha

Vërtitur rrotull trishtim kukuvajkash

As udhëve të boshatisura s’do të gjejmë kuptim

Askush s’do të shoh me sytë e verbër të mëkatit

Sepse ti nuk qe mëkatare, por fati kryeneç qe

Derisa të kërkova të ruash trëndafilin

Brenda letrës së shkruar, ky është loti im

Sepse edhe thërret nga zemra lirika e dashurisë

Me xhelozi e ruaj këtë medaljon kujtimi

Me plagën time të paparë brenda

Ndryshe me shpirtin e së djeshmes e ëndrrës

Përqafoj dhe hedh sytë në vatër, zjarri i vjetër

Asnjë moment të mos pushojë

Para teje jam dhe syçelur ëndërroj

 

ËNDRRAT PO VDESIN

 

Sonte të mbaj me duar ninëzat e vështrimit tënd drejt meje

Dhe e di që një zog më cicëron mbi pullaz, më thërret

Ai mallkon acarin e dimrit të vjetshëm e verbërinë tash

Të shikoj ty në rrugët e mia, shkoj dy herë në një pikë

E kthej prapë dhe nuk gjej diçka që kërkoj përherë

Një hije më vjedh rrezet e shiun nuk më lëshon

Mbështjell shekullin para erës sonë

Po këto bimë po zgjohen

Jemi në shëtitje shpresës që s’ndahet me paragrafë

Të them me shpirt, ti më zgjove në këtë Ditar të Ri

Tashti dashuria duhet kapur me këmbë të përpjetën

E fjalët të marrin tatëpjetën e mërzisë.

Po, të thashë.

Po, përsërita, derisa në Prishtinën e ftohtë

Nuk po pushonte shiu t’ia fshinte lotët këtij agimi

Ëndrrat po vdesin, pa u lidhur kurorë

Po s’të largon zemra ime e s’dua gënjeshtrën

Më të shpejt se reja e zezë në këtë tmerr natë

S’të largoj zemre, se dhe të dehurit injorojnë

Ujkonjën që në mesnatë vajton fatin e dashurisë

Për (at)dhe

S’të largoj, se e pabesë përralla dhe vetes tash si t’i besoj

 

NË HORIZONT TË PIKËLLIMIT

 

Të kam si kripën për të mos më thënë, lamtumirë

Flokëve të shprishur të shpirtit

Gjethet po thinjen e shi i mërzitur bie

Bileta e udhëtimit prapa tashmë është prerë

I madh është momenti i nisjes drejt vetes

Ky nuk është fundi i stinës së re, lirisë së re, jo

Dashuria e amshuar vazhdon stacionet…

Nuk pyes, pse ma fshehe trishtimin në ëndërrimin e parë

As ta them rrugën e gjatë deri te bregu, o Dashuri!

Po, të them që mund të arrihet edhe Atje

Ku triumfon flaka në shpirtra, horizontit të pikëllimit

Se kudo, miq të mi të ikur, buzëqeshja jote e blertë

Është favori i parë të nis vërtet një pranverë…

Fluksit të rrugëve që nxjerrin e kthejnë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adelbert von Chamisso   Dashuri e tradhtuar   Ne putheshim…