POEZI TË DASHURA PËR BOTËN E FËMIJËVE

31 mars 2026 | 13:22

(Iliaz Bobaj “Zogjtë e ballkonit tim” sh.b.”MB”, Tiranë, fq. 80).

Bilall MALIQI

Të shkruash për fëmijë është një proces që e zhvesh poetin nga fshehtësitë e rëndomta të botës së të rriturve dhe e kthen atë në një gjendje pastërtie emocionale. Është një lloj përtëritje shpirtërore.
Po ashtu kur shkruan për fëmijë, poeti e sheh botën me sytë e tij. Kjo i jep një ndjenjë çlirimi. Ai braktis pesimizmin, ironinë apo kompleksitetin e tepruar dhe rigjen fëmijën e brendshëm. Është një lloj bisede me zë të lartë, me fillimet e veta, është lojë e këngë.
Poeti që shkruan vargje për më të vegjlit sigurisht se këto i ka parasyshë, sepse dallon në masë të madhe të shkruarit për të rritur dhe për fëmijë, përderisa kur shkruan për të rritur poeti mund të lirohet nga të qenit i drejtpërdrejt, apo përdorë vargje që nuk i përthekon dot imagjinata e fëmijës.
Ligjerimi poetik për fëmijë të futë thellë në brendi të brendisë së të vegjëlve, ato bukur mirë manifestohen në vargje të poetëve, të cilët u falin vargje të ngohta fëmijëve, me të cilat ata mvishen si me petkun e gëzimit.
Në përmbledhjen me poezi për fëmijë me titull “Zogjtë e ballkonit tim” të autorit Iliaz Bobaj, lexuesit e vegjël ndeshen me poezi të motiveve të ndryshme, poezi këto të ndërtuara me një stil të veçantë të autorit, si në gjetje motivuese, po ashtu edhe në forcimin e vargut me shprehje interesante, të rralla nga poetët e tjerë, duke hyrë kështu thellë në imagjinatën e tyre, në fantazinë dhe në botën e tyre të ngjyrosur me mijëra ngjyra gëzimi.
Në lexim të këtij libri shohim bukur mirë se autori ka përdorë një individualitet si në gjetje motivuese, po ashtu edhe në zgjedhje të shprehjeve, të cilat i përthekon kuptimshmëria e grupmoshave të ciklit të ulët shkollor. Brenda tyre ka lojë, ka argëtim, gëzim, mallëngjim, qeshje e përqafime, por ka edhe mallëngjime, të cilat ndërthuren bukur mirë nëpër brumin poetik të poetit.
Ky libër nuk është i ndarë fare në cikle poetike, siç jemi mësuar te librat e poetëve të tjerë, porse janë një njësi e gjerë poetike, me poezi mikste, të cilat me strukturimin e mirë të vargut kanë dalë të efektshme, të dashura për lexim, pa ndonjë shprehje që e futë në lajthitje fëmiun, porse janë të drejtpërdrejta.
Poezitë në të shumtën e tyre kanë rimën e jashtme, por disa kanë rimën e brendshme, të cilat begatohen me gjetje interesante e me një lloj-llojshmëri të shprehjeve, të lojës me vargje nga motivi në motiv, e nga gëzimi në gëzim.
Poezitë janë disa astrofike, disa katrena, dy vargjëshe e disa edhe më me shumë vargje, ashtu si e ka parë të arsyeshme poeti ti rregulloj vargjet e tij, konform kohës dhe rrethanave të krijuara nëpër ato poezi.
Kur themi se motivet janë të përziera, atëherë thirremi në strukturën e tyre kur u shkruan bukur zogjve, 36 shkronjave të bukura të alfabetit tonë, u shkruan stinëve, lojës së misseve, zogjve shtegtarë, detit, vjetërsisë sonë, autoktonisë, u shkruan kalave shqiptare dhe me këto fëmijët marrin një dituri qoftë shoqërore, kulturore por edhe historike .

“S’duket askund
Nënë e murosur
Por qumështi s’ka të sosur
Pikon nga burimi i gjirit
Kërkon buzët e të birit”

Këto vargje janë një shembull i fuqishëm i asaj që quhet e bukura tragjike në letërsi. Edhe pse i drejtohen një bote fëmijërore ose përdorin elemente të përrallës “si legjenda e Rozafës”, ndjenja që ato përcjellin te poeti dhe te lexuesi ngjarje sa tronditëse, aq edhe sublime.
Përdorimi i rimave të thjeshta (murosur/sosur, gjirit/birit) tregon se poeti ka kërkuar një ritëm fiziologjik, gati si rrahjet e zemrës apo frymëmarrja. Kjo i jep autorit një ndjesi qetësie dhe harmonie, pavarësisht tematikës së rëndë të murimit.
Në kontekstin e fëmijëve: Ky ligjërim i jep poetit rolin e përcjellësit të miteve. Ai nuk po i tregon fëmijës një histori të thjeshtë, por po i mbjell në shpirt konceptin e dashurisë së pakushtëzuar përmes një gjuhe që është sa e thjeshtë, aq edhe monumentale.
Vargjet te poezia “Deti” dëshmojnë fuqinë e personifikimit, ku poeti i jep detit tipare njerëzore për ta bërë atë të afërt dhe të kuptueshëm për botën e fëmijëve. Përmes këtij ligjërimi, autori përjeton një proces magjik transformimi Poeti nuk e sheh detin si një masë uji, por si një personazh me karaktere të ndryshme. Nga Gjyshi (butësia, tradita, loja e qetë). Te Përbindëshi (fuqia e pakontrolluar, e egra, ballafaqimi). Te Muzikanti (harmonia, arti, shpirti).Krahasimi “si gjyshi me mbesat” tregon se poeti po derdh në vargje kujtimet e tij më të shtrenjta. Kjo i jep një ndjesi ngrohtësie familjare. Ai gjen te natyra pasqyrimin e strukturës njerëzore, duke e bërë botën e madhe të duket si një shtëpi e madhe:

“Kur është i qetë,
Luan me valët si gjyshi me mbesat
Kur është i egër
Bëhet përbindësh ndeshet me shkëmbinjtë
Kur është i butë krijon meloditë”

Përveç kësaj poeti i ka shkruar poezi nënës, ashtu siç duan fëmijët t’i shkruajnë vargje mbresëlënëse, kuptimplote, të dashura e të magjishme si:

“Për nënën e saj të shtrenjtë
Një poezi e thurri Mira
Nga gjithë fjalorët e botës
Mori fjalët më të mira”

Ose

“Po kur vjershës i dha fund
Mbi vargje ran ë mendime
Asnjë vjershë sa do e mirë
Se arrinë dot nënën time”

Këto vargje na zbulojnë një dimension tjetër të ligjërimit poetik: rolin e poetit mirënjohës. Kur shkruan për këtë akt krijimi), poeti përjeton një ndjenjë të dyfishtë. Akti: “Thurri” (Gjuha krahasohet me një punë dore, me durimin dhe kujdesin e thurjes). Burimi: “Gjithë fjalorët e botës” (Hiperbolë që tregon se asnjë libër nuk mjafton për të përshkruar nënën). Qëllimi: “Më të mirat” (Estetika vihet në shërbim të dashurisë).

Në këtë rast, poeti ndihet i përmbushur, sepse ka arritur të thotë diçka universale përmes një skene të vogël e shtëpiake.
Në strofën e fundit të poezisë, poeti ndjen një lloj dorëzimi. Ai ka përdorur mjetet më të mira stilistike, rima dhe metafora, por në fund e kupton se realiteti i dashurisë është më i madh se gjuha. Kjo i jep autorit një ndjenjë çlirimi: ai nuk ka më nevojë të “garojë” me përsosmërinë, sepse e pranon që nëna (si simbol i jetës) është e paarritshme.
Me të tilla poezi të shkruara nga poeti rrumbullaksohet vëllimi poetik, i poetit Iliaz Bobaj, poezi këto të kapshme për imagjinatën e fëmijëve, poezi të dashura, të shoqëruara me figuracion të duhur poetik që kanë porosinë e natyrshme, poezi edukative të afërta me fëmijët, sepse secila poezi ka një botë në vete, një larushi dëshirash për fëmijët për lexim të dëshiruar, e jo të dhunshëm, sepse poezitë e këtij libri e fusin dëshirueshëm lexuesin të futet brenda margaritarëve, apo në mesin e vargjeve që ngallin dëshirë për lexim. E kjo zatën është edhe nisioni i poetit që libri i tij të pëlqehet dhe ta gjejë udhën deri te porta e dëshirës e të futet mandej në deriçkën e shpirtit të tyre.
Kjo tufëz e poezive me poezi motivesh të ndryshme kapë vlerën e veçantë artistike, duke u thirrë së pari në prurjen motivuese, ndërtimin e vargjeve me mjete poetike, rregullimin e poezive si në strofë, apo në astrofike, por me një qëndrueshmëri të fortë artistike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur ambasadorin e Republikës…