POEZIA DHE NDËRGJEGJJA KOMBËTARE

16 nëntor 2025 | 18:38

Nga: Rami KAMBERI

HYRJE

Poezia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, e poetes Shefqete Gosalci, është një elegji, një thirrje dhe një rrëfim shpirtëror që i ndërthur mitin kombëtar, historinë, dhimbjen dhe ndërgjegjen e sotme shqiptare.
Poetja e ndërton poezinë si një dialog intim mes “unë”-it lirik dhe figurës së Gjergj Kastriotit, duke e shndërruar heroin në simbol të dritës, drejtësisë dhe shpëtimit kombëtar.
Nëpërmjet vargjeve të fuqishme, të ngarkuara me emocione dhe figuracion poetik, ajo e paraqet Skënderbeun si udhëheqës të së kaluarës, por edhe si ndërgjegje të munguar të së tashmes, duke e zbritur nga mitologjia historike në realitetin e sotëm të plagës sonë kombëtare.
Pra, kjo poezi, e gjatë dhe epike në frymë, luan me dy kohë:
• kohën e Skënderbeut, dhe
• kohën e sotme.
Për të shfaqur kontrastin mes besnikërisë së dikurshme dhe, humbjes së besimit sot.
Në thelb, poezia është një thirrje për rikthimin te vlerat, besa, nderi dhe identiteti, të cilat në figurën e Gjergj Kastriotit, marrin formën e një arketipi kombëtar.

ANALIZA E VARGJEVE

1. Figura e Gjergjit si burim drite dhe paqeje
“Gjergj,
Ti ke le si ni burim drite
Si ujë i bekuem mbi një shkamb të çamë
Mbëltove paqe me shpatë e ullinjë
Nëpër Evropën e pérdalë…”
Poetja e prezanton Skënderbeun, si një qenie që lind e destinuar për dritë, duke përdorur metaforën e “ujit të bekuem”, mbi një shkëmb të çarë, imazh i tokës së plagosur që pret shërim. Kontrasti midis “shpatës” dhe “ullinjve”, krijon figurën e tij si luftëtar dhe paqebërës njëkohësisht. Kurse Evropën na e paraqet si të “përdalë”, si një kontinent të zhytur në konflikte, që kishte nevojë për forcën mbrojtëse të tij, Skënderbeut.
2. Sakrifica personale dhe amaneti i nënës
“Kur t’morën Gjergj zemrën e le n’prehër t’lokës
T’ma ruash nanë kur t’i kthehna tokës”
Poetja përdor tonin elegjiak për të theksuar dhimbjen e nënës arbërore dhe sakrificën e djalit të marrë peng nga perandoria osmane. Ky varg përçon motivin e amanetit dhe të rikthimit, një prej simboleve më të fuqishme të folklorit shqiptar, që poetja përmes dy vargjeve, na e përshkruan historikun e Skënderbeut dhe, amanetin e nënës së tij.
3. Formimi në Anadoll dhe besa e Arbërisë
“Asker n’Anadoll u bane ma i miri ushtar, djalë shqiptar…
Princat e Arbërit të patën betim,
Edhe Marica që ta mbajti besën”
Në këto vargje, poetja e vendos Skënderbeun, në realitetin historik të formimit të tij ushtarak në Anadoll, duke e theksuar paradoksin e rritjes larg atdheut, por me zemër shqiptare. Kurse përmendja e Maricës na e pasuron dimensionin e besës, si vlerë themelore, duke theksuar se besa ishte ajo që e solli heroin në atdheun e tij të robëruar nga perandoria, që i shërbente si ushtarak e udhëheqës betejash.
4. Heroina shqiptare dhe dhuna mbi gratë
“Edhe Nora e Kelmendit që i shkoj Pashës me thikë n’shokë
T’a nxurr hakun e krejt çikave që bajlozat t’i çnderuen agimeve t’nxime”
Përmes këtyre vargjeve, poetja na e risjell edhe figurën e Norës së Kelmendit, simbol i rezistencës femërore shqiptare.
Dhe, përmes këtij vargu, ajo lidh mitin e Skënderbeut me mitet e tjera të qëndresës kombëtare, sidomos me dhimbjen e grave, duke i dhënë poezisë edhe një dimension feminist dhe etik.
5. Pesë shekujt e robërisë dhe humbja e identitetit
“Tuj na mungue për pesë shekuj Gjergj,
Ilirikun na e ban Ballkan
E ram nër turq, nër shkije, nër grek e bugar,
E se di bre Gjergj a mbetëm shqiptar”
Në këto vargje që e përbëjnë edhe bërthamën historike të poezisë: poetja na e shfaq degradimin gjeopolitik e kulturor, nga Iliriku te Ballkani, duke ironizuar devijimin e identiteteve. Duke e shtruar pyetjen: “a mbetëm shqiptar”, që, është një akt akuzues ndaj historisë dhe mbarë shqiptarisë si dhe vetvetes.
6. Kritika ndaj shqiptarëve të sotëm
“Se t’kan dal do djem të ligj
Hileqar, lakmitar, qyqaré e tregtar
Që mexhat t’i kan ba pikë e pesë
E tokat t’i kan qit n’pazar”
Me këto vargje, poetja e prek edhe aktualitetin politik e shoqëror të shqiptarëve, duke kritikuar korrupsionin, tradhtinë, rrënimin moral dhe shitjen e tokave. Vargjet janë të drejtpërdrejta, me një gjuhë popullore, që i jep një ton të ashpër dhe autentik poezisë, si thirrje për vetëdije kombëtare.
7. Mosbesimi i përgjithshëm
“Kush kujna Gjergj ma s’poj beson”
E, ky varg e sintetizon krizën morale të shoqërisë së sotme shqiptare, duke e treguar një realitet të sotëm shqiptar, ku besa është zhdukur, që dëshmon, se: e sotmja shqiptare është kontrasti shumë i madh me shqiptarët në kohën e Skënderbeut.
8. Thirrja për rikthimin e heroit
“Ah bre Gjergj folma ni fjalë
Me vetëtima jepe një urdhër
Andrrat zhgandera me na u ba,
Bijtë me tu bashkue…”
Në këto vargje, poetja e trajton Skënderbeun si lider të vetëm dhe të aftë për të ringjallë unitetin kombëtar. Ngase vetë metafora e urdhrit, me vetëtima e thekson fuqinë e tij morale dhe mitike, por jetike për shqiptarinë.
9. Amaneti i flamurit
“Me dur t’mija qëndis flamurin ta kom,
E n’dur të djemve jau kam dhan,
E ata, s’po din ku e kan lan…”
Parmës këtyre vargjeve, ku na shfaqet tragjedia e humbjes së simboleve. Flamuri i qëndisur me duart e popullit i cili po humbet në duart e brezave të paqartë e të pavendosur. Dhe, besoj se janë vargjet që e finalizojnë thirrjen e poetes për brengën tonë kolektive, si shqiptarë.

PËRFUNDIM

Poezia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, e poetes Shefqete Gosalcit, është një poezi e ndërgjegjes kombëtare, e cila ndërthur mitin e Skënderbeut me realitetin e sotëm shqiptar. Ajo nuk është thjesht një himn për heroin, por një akuzë e fortë ndaj dekadencës sonë morale, humbjes së besës dhe ç’orientoimit të shoqërisë shqiptare.
Duke përdorur gjuhë të gjallë, të pasur me folklor, me metafora edhe me simbole historike, poetja e ngre Skënderbeun në piedestalin e ndërgjegjes kombëtare dhe, thërret për rikthim te idealet e tij. Në fund, poezia shfaq vetëdijen tragjike se flamuri i tij, simbol i identitetit dhe lirisë, sot na mungon, e bashkë me të, edhe fryma që dikur i bashkonte shqiptarët.
Kështu që, poezia bëhet jo vetëm një elegji për heroin, por një thirrje për ringjalljen e vlerave që ai mishëroi, pra, për një gjuhë, një atdhe, një komb dhe një flamur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali…