Policia amerikane në gatishmëri përpara arrestimit të mundshëm të Donald Trumpit

21 mars 2023 | 13:37

Policia në qytetet e mëdha amerikane po përgatitet për trazira të mundshme në rast se ish-presidenti Donald Trump arrestohet këtë javë si pjesë e një hetimi për “paratë për heshtje”, shkruan “BBC”.

Autoritetet zyrtare në Nju Jork, Uashington DC dhe Los Anxhelos po rrisin praninë e tyre për zbatimin e ligjit, për shkak se një prokuror i Manhatanit mund të akuzojë Trumpin për pretendimet se ai ka paguar yllin pornografik, Stormy Daniels, që të heshtë për aferën që dyshohet se kanë pasur.

Agjentët e Shërbimit Sekret të caktuar për të mbrojtur ish-presidentin Trump do të qëndrojnë me të gjatë çdo arrestimi, raporton “NBC”.

Për këtë rast, është ngritur një juri e quajtur juria e madhe për të përcaktuar nëse ka prova të mjaftueshme për të paditur Trumpin. Në seancën e fundit nga kjo juri të hënën, një aleat ligjor i Trumpit ka dëshmuar për të kundërshtuar provat e ofruara nga një dëshmitar i prokurorisë.

Po ashtu, vet ish-presidenti Trump ka mohuar se ai ka pasur ndonjë përfshirje seksuale me aktoren që kur akuzat u shfaqën në vitin 2018, ndërkaq kjo do të ishte çështja e parë penale e ngritur kundër një ish-presidenti amerikan.

Në anën tjetër, aktorja Daniels pretendon se ajo dhe Trumpi kishin marrëdhënie seksuale dhe se ajo kishte pranuar 130 mijë dollarë nga ish-avokati i tij përpara zgjedhjeve të 2016-ës në këmbim të heshtjes së saj. Më vonë avokati, Michael Cohen është burgosur me akuza të shumta.

A është e paligjshme të paguash “para për heshtje”?

Nuk është e paligjshme t’i paguash dikujt kompensim në këmbim të një marrëveshje moszbulimi (NDA) që nënkupton një kontratë ligjërisht e detyrueshme e cila krijon një marrëdhënie konfidenciale. Por meqenëse pagesa është bërë një muaj para zgjedhjeve presidenciale, kritikët e Trumpit e kanë argumentuar se paratë mund të përbënin një shkelje të fushatës, raporton “BBC”.

Në gusht 2018, Cohen, ish-avokati i Trumpit është deklaruar fajtor për evazion fiskal dhe thyerje të rregullave të financimit të fushatës, pjesërisht në lidhje me pagesën e tij ndaj Daniels dhe një dashnore tjetër të supozuar të Trumpit.

Edhe pse fillimisht ai ka thënë se Trumpi nuk kishte asnjë lidhje me pagesat, Cohen më vonë ka dëshmuar nën betim se Trumpi e kishte urdhëruar atë të bënte pagesën e heshtur prej 130 mijë dollarësh disa ditë përpara zgjedhjeve të 2016-ës. Ai ka thënë gjithashtu se presidenti e ka rimbursuar atë për pagesën.

Trumpi e ka pranuar personalisht rimbursimin e pagesës, e cila nuk është e paligjshme, por ka mohuar aferën dhe çdo keqbërje në lidhje me ligjet e fushatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës njofton se ka nisur vendosjen e pajisjeve…