Policia dhe Prokuroria: Raportoni çdo presion, kërcënim apo ndërhyrje në procesin zgjedhor

06 qershor 2026 | 16:20

Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo ndërhyrjeve të kundërligjshme në procesin zgjedhor, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Në një komunikatë të përbashkët për media, dy institucionet theksuan se mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vullnetit të lirë të qytetarëve.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm, pa presion, pa frikë, pa ndikime të jashtme dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo çfarëdo forme tjetër të ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

Policia dhe Prokuroria njoftuan se po vazhdojnë monitorimin e afërt të situatës dhe trajtimin e informacioneve që mund të lidhen me cenimin e procesit zgjedhor.

Sipas tyre, ndërhyrjet e jashtme dhe përpjekjet për të ndikuar në vullnetin e votuesve përbëjnë kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe rendin kushtetues të vendit.

“Institucionet relevante janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026”, thuhet në njoftim.

Dy institucionet ftojnë qytetarët që, në rast se hasin ose dyshojnë për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, t’i raportojnë ato tek organet kompetente, në mënyrë që të garantohet një proces i lirë, demokratik dhe i rregullt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy profesorët universitarë, këngëtarët dhe artistët e njohur shqiptarë, Kastriot…