Policia jep detaje nga kapja e 32 kilogramëve drogë në Suharekë

16 shkurt 2022 | 22:15

Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga aksioni i sotëm ku u bastis një lokacion nën dyshimin për trafikim me narkotikë. Gjatë kësaj bastisjeje u arrestuan 6 persona, katër prej tyre shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe dy prej tyre shtetas të Kosovës.

Bastisja është realizuar në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, pas një hetimi që ka filluar me 4 shkurt të këtij viti ndaj tre personave.

Policia përmes një komunikate për media ka njoftuar se nga ky aksion janë gjetur rreth 32 kg narkotikë e llojit marihuanë, 2 mijë e 59 bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.

Vendi (laboratori) ku janë gjetur narkotikët i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës së kanabisit si: ndriçimin e posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese, si dhe sasi të konsideruar të dheut të vendosura në thasë.

Nga ky aksion janë sekuestruar: 3 automjete të markave BMË, Ford dhe Opel Zafira; 6 celularë; para të gatshme në shumë prej 2185.29 euro, 313 denar maqedon; – një DVR; dhe një llaptop.

6 personat janë arrestuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautroizuar e narkotikëve, substanave psikotrope dhe analoge”.

Lidhur me këtë rast hetimet do të vazhdojnë, ndërsa për të arrestuarit nga prokurori i çështjes është lëshuar vendimi për ndalim 48 orësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Roli i personalitetit në histori, gjithmonë ka qenë…